Kontrollet e Policisë Rrugore në akset kryesore të Tiranës kanë çuar në arrestimin e 32 drejtuesve të mjeteve për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor. Sipas policisë, dy prej tyre tentuan të korruptonin efektivët pasi u konstatuan duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Policia bën të ditur se monitorimi vijon 24 orë në 24 në akset lidhëse dhe në rrugët me fluks të lartë qarkullimi, me fokus automjetet që shkaktojnë zhurma, shkeljet e shpejtësisë, si edhe drejtuesit që lëvizin nën efektin e alkoolit ose në gjendje të dehur.

Gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej 13 467 gjoba. Prej tyre, 4 998 për shkelje që lidhen me sigurinë rrugore, 7 868 për shkelje të rregullave të ndalimit, pushimit dhe qëndrimit, të cilat pengojnë qarkullimin dhe krijojnë trafik, 1 093 për drejtues të motomjeteve që nuk kanë përdorur kaskën mbrojtëse, 83 për automjete që krijojnë zhurma përmes modifikimeve të paligjshme, 418 për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe 309 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.

Po ashtu, 19 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për drejtim të automjetit nën efektin e alkoolit, ndërsa 75 mjete janë bllokuar për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor.

Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi dhe të tregojnë më shumë përgjegjshmëri në rrugë, me synim rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e saj.