Kontrolle të befasishme të Policisë në Tiranë dhe Krujë gjatë kësaj fundjave kanë çuar në arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e kokainës, një shufre metalike dhe një automjeti luksoz. Gjatë aksionit u kontrolluan 87 automjete dhe u hoqën 34 xhama të errësuar që ishin jashtë normave të lejuara.
Aksioni u zhvillua nga Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Policinë Rrugore. Kontrollet u shtrinë në akset kryesore të Tiranës, si edhe në Fushë-Krujë, Bubq dhe Nikël, me fokus evidentimin e armëmbajtjes pa leje, posedimit të lëndëve narkotike, personave në kërkim dhe mjeteve që qarkullonin në kundërshtim me ligjin.
Sipas Policisë, gjatë kontrolleve u verifikuan 118 shtetas dhe u shoqëruan për verifikime të mëtejshme 16 persona, si edhe 12 automjete. Njëri prej të arrestuarve u kap me një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, ndërsa tjetri mbante me vete një armë të ftohtë, konkretisht një shufër metalike, e cila u sekuestrua.
Po ashtu, Policia shoqëroi një shtetas që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa sekuestroi automjetin luksoz që ai përdorte. Gjatë aksionit u konstatuan dhe u hoqën 34 xhama të errësuar në kundërshtim me Kodin Rrugor dhe ndaj drejtuesve të mjeteve u vendosën masa administrative.
Policia njofton se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si edhe për rritjen e sigurisë publike.
Njoftimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
"Vijojnë kontrollet intensive në terren për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë. Kontrolle edhe në rrethin e Krujës.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, sekuestrohen lëndë narkotike e dyshuar kokainë, armë të ftohta dhe një automjet luksoz.
Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, kanë intensifikuar kontrollet në terren, me fokus evidentimin e armëmbajtjes pa leje, posedimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave në kërkim, si dhe kontrollin e mjeteve luksoze, mjeteve të blinduara, automjeteve me xhama të errësuar tej normave të lejuara, përfshirë edhe xhamin e përparmë, si dhe të mjeteve me modifikime që shkaktojnë zhurma shqetësuese në qytet.
Në kuadër të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë dhe për parandalimin e goditjen e paligjshmërive, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, kanë zhvilluar kontrolle të befasishme në akset kryesore rrugore dhe në zona të ndryshme të Tiranës, si dhe në Fushë-Krujë, Bubq dhe Nikël.
Si rezultat i kontrolleve:
* janë kontrolluar dhe verifikuar 87 automjete;
* janë verifikuar 118 shtetas;
* janë konstatuar dhe hequr 34 xhama të errësuar, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor, si dhe janë vendosur masa administrative ndaj drejtuesve të mjeteve që qarkullonin me xhama të errësuar në kundërshtim me ligjin;
* janë shoqëruar 12 automjete dhe 16 shtetas për verifikime të mëtejshme;
* është arrestuar në flagrancë një shtetas, pasi gjatë kontrollit iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë;
* është arrestuar në flagrancë një shtetas, pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë (shufër metalike);
* është shoqëruar një shtetas, pasi kishte thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", ndërsa u sekuestrua automjeti luksoz që përdorte.
Kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.
Komente










