Kontrolli i figurës, bojkoti i PD
shpëton gjyqtarët e inkriminuar 

Kontrolli i figurës, bojkoti i PD<br />shpëton gjyqtarët e inkriminuar 
Përpos verifikimit të ligjshmërisë së pasurive, kontrolli i figurës do të jetë testi i dytë i rëndësishëm, i cili do të përcaktojnë fatin e rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve, nëse janë të përshtatshëm për të shërbyer në sistemin e ri të drejtësisë.

Por nëse verifikimi i ligjshmërisë së pasurive kryhet nga ILDKP, në mënyrë të pavarur nga organet e Vetingut, për kontrollin e figurës, ligji përcakton si autoritet përgjegjës institucionet e Vetingut. Në këtë kuadër, bojkoti i Parlamentit nga Partia Demokratike, i cili pritet të djegë afatin e 6 marsit për nisjen e procedurave për ngritjen e organeve të Vetingut, mund të sabotojë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve për lidhje të papërshtatshme me krimin, duke e futur procesin në një hulli paligjshmërie dhe afatesh të tejkaluara.

Po cili është raporti mes organeve të Vetingut me procesin e kontrollit të figurës? Me këmbënguljen e demokratëve, pika 1 e nenit 36 e ligjit të Vetingut, parashikon që institucionet e rivlerësimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar janë autoriteti përgjegjës për kontrollin e figurës.

Burime të pakonfirmuara thanë për Shqiptarja.com se, DSIK ka nisur procedurat me skanimin dhe kontrollin e formularëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo drejtori, brenda 60 ditëve nga konstituimi i grupit të punës me përfaqësues të SHISH dhe SHKB, duhet të përfundojë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke përgatitur një raport për gjithsecilin, nëse ka apo jo kontakte të papërshtatshme me krimin.

Plani i sabotimit
Katër janë pasojat e drejtpërdrejta të bllokimi të organeve të Vetingut nga opozita në procesin e kontrollit të figurës. Së pari, nisja procesit të kontrollit të figurës pa u ngritur organet e Vetingut, si institucione përgjegjëse të parashikuara në ligj, mund të përdoret si alibi nga opozita dhe gjyqtarët, për ta kundërshtuar procesin. Së dyti, ligji përfshin edhe institucionet e Vetingut, të cilët për llogari të kontrollit, kanë të drejtë të komunikojë me shtetet e tjera për të marrë informacionin e nevojshëm për personat e përfshirë në krimin e organizuar ose për personat e dyshuar si të përfshirë në krimin e organizuar për qëllim të këtij ligji. Kjo kompetencë nuk mund të ushtrohet për sa kohë institucionet e Vetingut nuk ekzistojnë.

Së treti, kapitulli për kontrollin e figurës përcakton disa afate. Ligji parashikon që, grupi i punës, brenda 60 ditëve nga konstituimi, kryen procesin e verifikimit. Por, DSIK mund t’i kërkojë komisionit të Vetingut zgjatjen e fatit me 30, në kushtet kur komisioni nuk është ngritur nga Parlamenti. Nëse Kuvendi nuk ka ngritur institucionet e Vetingut, DSIK nuk mund të kërkojë zgjatjen e afatit të verifikimit dhe për pasojë procesi mund të dëmtohet. Së katërti, brenda 100 ditëve, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, pas përgatitjes nga grupi i punës të dokumentit/raportit, ia paraqet atë komisionit të Vetingut. Por që ky afat të respektohet, duhet që Kuvendi të ngrejë komisionin e Vetingut.

Kushtëzimi
Pavarësisht presionit të Bashkimit Evropian dhe të opinionit publik, Partia Demokratike ka deklaruar se nuk do të votojë ngritjen e organeve të Vetingut, pa largimin e qeverisë “Rama”. Po ashtu, opozita shqiptare ka kërkuar që çështja e Reformës në Drejtësi duhet të trajtohet paralelisht me domosdoshmërinë e garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sipas opozitës, nuk mund të ketë Veting, me një qeveri, të cilën PD e quan të kapur nga krimi. Përfaqësuesit e opozitës kanë paralajmëruar se Vetingu do të votohet vetëm pas rrëzimit të Republikës së Vjetër dhe ngritjes së Republikës së Re.
 
Ndërvarja
Nëse verifikimi i ligjshmërisë së pasurive kryhet nga ILDKP, në mënyrë të pavarur nga organet e Vetingut, për kontrollin e figurës, ligji përcakton si autoritet përgjegjës institucionet e Vetingut.
 
Afati
Ligji parashikon që, grupi i punës, brenda 60 ditëve nga konstituimi, kryen procesin e verifikimit. Por, DSIK mund t’i kërkojë komisionit të Vetingut zgjatjen e fatit me 30, në kushtet kur komisioni nuk është ngritur nga Parlamenti.
 
4 arsyet
 
1. Institucionet e Vetingut, sipas ligjit, në bashkëpunim me DSIK janë përgjegjës për kontrollin e figurës.
 
2. Institucionet e Vetingut ka të drejtë të komunikojë me shtetet e tjera për të marrë informacionin e nevojshëm për të kaluarën e prokurorëve dhe gjyqtarëve.
 
3. Institucionet e Vetingut i japin leje DSIK të zgjasë afatin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
 
4- Pas 100 ditësh, institucionet e Vetingut duhet të administrojnë raportet e DSIK për kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

bojkoti pd
 
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Vjosa Osmani mbrojti sot, urat që ndërtoi perëndimi dhe jo urat që po shkatërron Albini

Spahiu: Vjosa Osmani mbrojti sot, urat që ndërtoi perëndimi dhe jo urat që po shkatërron Albini