Kontrolli i lartë i shtetit

SHPALLJE PËR KONKURRIM PËR POZICION TË LARTË DREJTUES NË KLSH

Në zbatim të neneve 9, 10 dhe 12 të ligjit nr. 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, i ndryshuar, të rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë datë 2.6.2011 për Kontrollin e Lartë të Shtetit, si dhe të Strategjisë së Zhvillimit të KLSH 2009-2012, me synim përballimin e sfidave të përafrimit të ri strategjik dhe përmirësimit të dukshëm të performancës së institucionit, KLSH ka vendosur të funksionojë me dy drejtorë të përgjithshëm, duke i dhënë stimul punës kërkimore dhe arritjes së një përputhshmërie sa më të madhe me standardet e përditësuara të INTOSAI. Për këtë, njofton çeljen e konkurrimit për pozicionin:

Drejtor i Përgjithshëm në Kontrollin e Lartë të Shtetit

Kërkesat për kandidatët e këtij vendi pune janë:

- Të kenë gradë shkencore Doktor i Shkencave në Jurisprudencë;
- Pranohen kandidatët deri në 40 vjeç. Preferohen nën moshën 35 vjeç;
- Të kenë eksperiencë 10 vite pune në administratën shtetërore, nga të cilat pesë vite në pozicione drejtuese të administratës;
- Të kenë njohuri të thella për strukturat dhe proceset juridike që garantojnë mbrojtjen e interesave ekonomike të pronës publike dhe Shtetit;
- Të kenë realizuar botime shkencore dhe kryer mësimdhënie në universitet;
- Të zotërojnë gjuhën angleze;
- Të zotërojnë programet bazë të kompjuterit;
- Të mos jenë dënuar më parë në ushtrimin e funksioneve të tyre apo në jetën shoqërore.

Paga mujore për këtë vend pune është në nivelin e pagave të shërbimit civil.

Paraqitja e dokumenteve
Kandidatët duhet të paraqesin në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore dhe Metodologjisë
deri në datë 25/03/2012 këto dokumente:
CV-në, kërkesë për vendin e punës që konkurron, kopje të gradës shkencore, kopje të diplomës së shkollës së lartë dhe të kualifikimeve pasuniversitare, çertifikatën e notave dhe librezën e punës të noterizuara, dëshmi penaliteti, çertifikatë personale, si dhe dokumente të tjera (botime, etj.), që i çmon se mund t’i vlejnë për vlerësimin e përgatitjes arsimore dhe profesionale.

Konkurrimi
Konkurrimi është i hapur, do të kryhet me vlerësim dokumentash dhe intervistim, nëpërmjet një Jurie të përbërë nga personalitete të botës akademike të vendit dhe nga drejtues të lartë të institucionit si Kryetari dhe Drejtori tjetër i Përgjithshëm i tij.
Në procesin e konkurrimit do të vlerësohen njohuritë për sistemin kushtetues dhe ligjor të vendit, në veçanti të lidhur me funksionimin e auditimit publik dhe standardeve të përditësuara të INTOSAI. Po ashtu, kandidatët do të ftohen të paraqesin idetë e tyre për zbatimin sa më efiçient të strategjisë afatgjatë të KLSH në mbrojtjen e interesave të administrimit dhe menaxhimit të fondeve dhe pronës publike.

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)