Mësohet se dosjet e tërhequra janë gjatë periudhës Tetor 2013 tetor 2016, ku për çdo gjyqtar janë tërhequr 5 dosje, të cilat do verifikohen në ditët në vijim. “Shqiptarja.com” mëson se së bashku me anëtarët e komisionit të “Vettingut” kanë qënë dhe përfaqësues të OMN, të cilët kanë parë nga afër procesin e shortit të përzgjedhjes së këtyre dosjeve.
I kontaktuar në telefon nga “Shqiptarja.com” kreu i kësaj gjykate, Bashkim Dedja tha se ai nuk ka qënë prezent në momentin e hedhjes së shortit, pasi ndodhej në një vizitë në Kosovë. Dedja shtoi se “Ky proces kryhet për të realizuar procedurën e vlerësimit paraprak të gjyqtarëve, që më pas t’i hapet rruga nisjes së verifikimit total të figurës dhe pastërtisë së çdo gjyqtari”.
Gjyqtarët e Kushtetueses që do t’i nënshtrohen këtij kontrollit janë: Bashkim Dedja, Kryetar i rizgjedhur pak javë më parë, Vitore Tusha, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari, Besnik Imeraj dhe Fatos Lulo. Pas këtij filtri nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për gjyqtarët kushtetues procesi i Vetting-ut do të shtrihet tek Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe atyre të Këshillit të Prokurorisë.
I kontaktuar nga “Shqiptarja.com” zëdhënësi i KLD Elis Kuçi, pohoi se KLD ka qënë pjesëmarëse në procesin e hedhjes së shortit për përzgjedhjen e dosjeve, por në asnjë mënyrë nuk mund të bëjë ky institucion vlerësimin paraprak të anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
“Sipas ligjit KLD nuk mund të bëjë vlerësime paraprake pasi KLD vlerësimet e saj i ka bërë çdo vit. Rastin e Gjykatës Kushtetuese është komisioni i “Vettingut” që do realizojë këtë procedurë”-pohoi Kuçi. Në fakt që nga koha e krijimit të Gjykatës Kushetuese, pas 25 vitesh ky është kontrolli i parë që do i bëhet anëtarëve të kësaj gjykate.
Gjyqtarët që po kontrollohen
Bashkim Dedja, Kryetar
Vitore Tusha, anëtare
Altina Xhoxhaj, anëtare
Fatmir Hoxha, anëtar
Gani Dizdari, anëtar
Besnik Imeraj, anëtar
Fatos Lulo, anëtar
dy.b/shqiptarja.com





