Sulmi në aeroportin ndërkombëtar të Riadit, me të paktën 12 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur, ka rikthyer vëmendjen te rebelët Huthi të Jemenit dhe konflikti i tyre me Arabinë Saudite.
Rebelët e mbështetur nga Irani morën përgjegjësinë për sulmin, që është i treti ndaj aeroportit brenda një jave. Mes viktimave ishte edhe një shtetas amerikan, ndërsa presidenti Donald Trump tha se po shqyrton përfshirjen ushtarake të SHBA-së në operacionet kundër Huthive.
Zhvillimet kanë ngritur shqetësimin se lufta në Jemen, e cila vazhdon prej më shumë se një dekade, mund të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë rajonal.
Kush janë Huthët?
Huthit janë një lëvizje politike, fetare dhe e armatosur që u formua në vitet 1990 në veri të Jemenit. Ata i përkasin degës zajdite të islamit shiit dhe emri zyrtar i organizatës së tyre është “Ansar Allah”, që do të thotë “Ndihmësit e Zotit”.
Lëvizja e ka marrë emrin nga familja Huthi, prej së cilës dolën themeluesit e saj. Ajo drejtohet nga Abdul Malik al-Huthi.
Nga një lëvizje fetare lokale, Huthit u shndërruan gradualisht në një organizatë të fuqishme ushtarake. Ata kundërshtojnë ndikimin amerikan dhe izraelit në Lindjen e Mesme dhe marrin mbështetje politike e ushtarake nga Irani.
Huthit janë pjesë e të ashtuquajturit “bosht i rezistencës”, një aleancë joformale grupesh të mbështetura nga Teherani, ku përfshihen edhe Hezbollahu libanez dhe Hamasi palestinez.
Kontrollojnë zonat ku jeton shumica e popullsisë së Jemenit
Në vitin 2014, Huthit morën kontrollin e kryeqytetit Sana. Përparimi i tyre gjatë vitit pasues çoi në ndërhyrjen ushtarake të një koalicioni të udhëhequr nga Arabia Saudite.
Pavarësisht bombardimeve dhe luftimeve shumëvjeçare, rebelët ruajtën kontrollin mbi pjesë të mëdha të veriut dhe perëndimit të Jemenit.
Sipas vlerësimeve të cituara nga Index, ata kontrollojnë rreth një të katërtën deri në një të tretën e territorit, por në këto zona jeton shumica e popullsisë. Disa vlerësime e vendosin këtë përqindje mes 70 dhe 80 për qind.
Qeveria e njohur ndërkombëtarisht kontrollon pjesë të tjera të vendit, me mbështetjen e Arabisë Saudite dhe aleatëve të saj. Vitet e luftës e kanë lënë Jemenin të ndarë politikisht dhe territorialisht.
Pse luftojnë me Arabinë Saudite?
Konflikti lidhet me luftën për pushtet brenda Jemenit dhe rivalitetin mes Arabisë Saudite dhe Iranit për ndikim në Lindjen e Mesme.
Arabia Saudite druhej se Huthit mund të merrnin kontrollin e plotë të vendit fqinj dhe ta vendosnin atë nën ndikimin e fortë të Iranit.
Në vitin 2015, Riadi krijoi një koalicion shtetesh arabe që, me mbështetjen amerikane, ndërhyri ushtarakisht në ndihmë të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Jemenit.
Forcat saudite bombarduan për vite pozicionet e Huthive. Rebelët u kundërpërgjigjën me raketa dhe dronë ndaj qyteteve, aeroporteve dhe objekteve të naftës në Arabinë Saudite.
Megjithëse kishte epërsi të madhe ushtarake, koalicioni nuk arriti t’i mposhtte Huthit apo t’i largonte nga shumica e territoreve që kontrollonin.
Lufta shkaktoi një nga krizat më të rënda humanitare në botë, duke lënë miliona jemenas pa qasje të sigurt në ushqim, kujdes shëndetësor dhe shërbime bazë.
Si u përshkallëzua sërish konflikti?
Në prill 2022, me ndërmjetësimin e OKB-së, u arrit një armëpushim që uli ndjeshëm intensitetin e luftimeve. Edhe pse marrëveshja nuk u zgjat më tej, qetësia relative vazhdoi pas skadimit të saj.
Pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe nisjes së luftës në Gazë, Huthit filluan të lëshonin raketa e dronë drejt Izraelit dhe të sulmonin anije në Detin e Kuq. Ata i paraqitën këto veprime si mbështetje për palestinezët.
Sipas raportimit të Index, më 20 korrik të këtij viti Huthit shpallën një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite, duke deklaruar se nuk do të lejonin kalimin e anijeve saudite në ngushticën Bab al-Mandab.
Rebelët pretenduan se kjo ishte përgjigje ndaj bllokadës saudite të Jemenit dhe sulmeve mbi aeroportin e Sanas. Arabia Saudite i hodhi poshtë akuzat dhe paralajmëroi kundërpërgjigje.
Sulmet e reja dhe ofensiva saudite
Index raporton se gjatë shtatorit Huthit morën territore të tjera përgjatë bregdetit të Detit të Kuq, duke nxitur një operacion të ri ushtarak saudit.
Në fillim të tetorit, koalicioni i udhëhequr nga Riadi nisi bombardime të gjera ndaj pozicioneve të rebelëve, përfshirë objektiva në Sana dhe përgjatë bregdetit.
Në ofensivën tokësore u përfshinë edhe forca besnike të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Jemenit, me mbështetjen e aleatëve rajonalë. Huthit u përgjigjën me sulme ndaj aeroporteve, porteve dhe objekteve të naftës në Arabinë Saudite.
Pse pasojat mund të ndihen në gjithë botën?
Huthit kontrollojnë territore pranë ngushticës Bab al-Mandab, një prej kalimeve më të rëndësishme detare në botë. Ajo lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe më tej me Oqeanin Indian.
Përmes kësaj rruge kalojnë anije tregtare dhe cisterna që lidhin Azinë me Evropën nëpërmjet Kanalit të Suezit. Sulmet ndaj tyre ose bllokimi i kalimit mund të pengojnë tregtinë ndërkombëtare, të rrisin kostot e transportit dhe të ndikojnë te çmimet e naftës.
Rrezikun e shton përfshirja e fuqive të tjera: Irani mbështet Huthit, ndërsa Arabia Saudite është një nga aleatët kryesorë të SHBA-së në Lindjen e Mesme.
Pas sulmit të raportuar në Riad dhe vdekjes së një shtetasi amerikan, një ndërhyrje e mundshme e Uashingtonit mund ta zgjerojë më tej konfliktin./Index









Komente
Komento