Policia e Durrësit, ajo e Krujës, në bashkëpunim me RENEA dhe SHÇBA kanë arrestuar 12 persona dhe 3 i kanë shpallur në kërkim.

U zbatua masa arrest me burg për Haxhi Memajn, Saba Sallakun, Nazmi e Ymer Malokun, Ervin Lekën, Sajmir Zajën, Avni Ferrën, Sajmir Zajën, Avni Ferrën, Hasan Krojen dhe Glodjan e Leonard Kroji. 2 të tjerë u arrestuan gjatë operacionit për zbatimin e masave të sigurisë

Ndërkohë që janë sjpallur në kërkim Blerim Durma, Ilir Kroje dhe  Leonard Dema. Policia njofton se ka sekuestruar 1 pistoletë, 2 armë gjahu e municione, dy radio policie, lëndë narkotike dhe një sasi parash.

Njoftimi i Policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “KOORDINIMI“, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, si dhe atë të armëmbajtjes pa leje. Operacioni i zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Komisariati i Policisë Krujë dhe RENEA, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të SHÇBA-së Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Ekzekutohen masat e sigurisë për 10 shtetas, shpallen në kërkim 3 shtetas të tjerë.  Gjithashtu, gjatë operacionit kapen dhe arrestohen në flagrancë edhe dy shtetas të tjerë. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, dy armë gjahu, dy radio si të Policisë, municion luftarak, lëndë narkotike dhe një sasi parash.

Si rezultat i një pune disamujore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në funksion të procedimit penal të vitit 2020, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, nga strukturat e Policisë, në bashkëpunim me ato të SHÇBA-së, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gyqësor Krujë, u ekzekutuan urdhrat e ndalimit të lëshuara nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, për shtetasit:

 H. K., 35 vjeç, G. K., 32 vjeç, L. K., 27 vjeç, N. M., 40 vjeç, Y. M., 25 vjeç, E. L., 25 vjeç, S. Z., 39 vjeç, A. F., 47 vjeç, H. M., 33 vjeç dhe S. S., 19 vjeç, banues në Krujë.

Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasve: B. D., 30 vjeç, I. K., 49 vjeç dhe L. D., 20 vjeç, banues në Krujë.

Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

G. Z., 33 vjeç, banues në fshatin Vrijon, Krujë, për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike", kryer në bashkëpunim.

A. K, 39 vjeç, banues në fshatin Virjon Krujë,  për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Mbajta pa leje e armëve dhe municioneve”, pasi gjatë kontrollit në banesë Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë. Vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjere të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, për hetime të mëtejshme.