KOPLIK-Sot është përcjellë për në banesën e fundit Lumturie Bajrakurtaj, e cila u vra nga burri mbrëmjen e djeshme. Ylber Bajrakurtaj, me probleme mendore e goditi disa herë me sëpatë në oborrin e banesës duke e lënë të vdekur.  Mjeku psikiatër Gjon Preci tregon për Report Tv në një prononcim se autori kishte qenë i shtruar disa herë në spital, madje pak ditë para vrasjes së gruas kishte bërë një vizitë.

Ai ka qenë i shtruar disa herë në spitalin psikiatrik në Shkodër. Para disa ditësh ai ka qenë pranë mjekut specialist. Raste të tilla janë në dorë edhe të familjarëve që duhet të njoftojnë mjekun specialist” deklaroi ai për Report Tv.  Mjeku u shpreh se edhe gruaja, Lumturie Bajrakurtaj ishte në kufijtë minimal të inteligjencës. Gjatë ceremonisë së varrimit, pranë dy familjeve prezent kanë qenë edhe efektivë të policisë nga frika e hasmërisë  mes dy familjeve.

Intervista në Report Tv
Si ka qenë gjendja e autorit, ka pasur probleme?
Pasi morëm lajmin për ngjarjen na rezultoi se pacienti ka qenë i shtruar dhe është me diagnozën ‘prapambetje mendore’. Kjo ka bërë atë që të jetë një person me ekuilibër të dobët dhe situatat që mund të jenë krijuar kanë precipituar në atë që ndodhi.

Nga kush shoqërohej kur bënte vizat?
Javën e kaluar kur erdhi për vizitë u shoqërua nga vjehrri i tij.

Po gruaja ka pasur probleme mendore?
Jo! Por nga të dhënat e historisë së sëmundjes, duket se edhe ajo ka qenë në kufijtë minimal të inteligjencës.

Gjatë kohës që autori ka ardhur për të bërë vizat, kishte tensione?
Jo dukej i qetë. Atë ditë ka qenë i qetë, ka komunikuar me psikologun, kemi dalë në përfundimin se rezultati i diagnozës është 'prapambetje mendore'.

A nuk është parë e arsyeshme që të mbyllej në spital?
Të sëmurët nuk rrinë në spital, por shtrohen. Rasti i tij ka  pasur shtrime në spital, por nuk rezultonte një person që kishte një acarim të gjendjes së tij mendore që të bënte të nevojshëm hospitalizimin. Nëse rastet e tilla kanë kujdes, mundësia për t’i parandaluar është, por jo gjithmonë shërbimet mund ti parandalojnë. 

d.b/shqiptarja.com