KORÇË - Tre persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale janë vënë në prangat e Policisë së Korçës në orët e para të mëngjesit të së martës përmes operacionit të koduar “Ngrica e Mëngjesit”.

Policia e Korçës bën me dije se 20-vjeçari Andrea Vangjush Kapurani, lindur dhe banues në qytetin e Korçës, kërkohej pasi ishte nën akuzë për vrasje me dashje e mbetur në tentativë.

Sipas policisë Kapurani bashkë me dy persona të tjerë, mesnatën e 09.10.2011 janë konfliktuar për motive të dobëta me tre shtetas të tjerë, në lagjen nr.11 të qytetit në mjediset e diskos “Galaxy”.

Nga ky konflikt ka mbetur i plagosur me armë zjarri shtetasi N.Samara dhe janë plagosur me sende të forta shtetasit e tjerë D.Metko dhe E.Shehu.

Ndërkaq, një tjetër i kërkuar, Jani Kristaq Kovaci 33 vjeç lindur dhe banues ne qytetin e Korçës, ka rënë në pranga pasi ishte i dënuar me dy vjet burg për plagosje të rëndë me dashje të shtetasit me iniciale D.I duke i shkaktuar plagë të rënda në trup, nga goditja me thikë.

Policia e Korçës arrestoi edhe 16-vjeçarin me iniciale E.K., lindur dhe banues në fshatin Mollaj të Korçës, i cili është nën akuzë për vjedhje në bashkëpunim, të Kishës së Satrivaçit në fshatin Boboshticë të Korçës.


(aq/shqiptarja.com)