KORCE - Arrest me burg është masa e sigurisë që dha sot Gjykata e Faktit, Korçë për 61 vjeçarin Hajdar Bregu, i cili dhunoi me karrige mjekun pneumolog, Thoma Ninin, vetëm tre ditë më parë.

Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, 61 vjeçari ka pranuar akuzën e ngritur kundrejt tij, ndërkohë që ka kërkuar masë më të lehtë sigurie. Nga prokuroria është kërkuar gjithashtu e njëjta masë sigurie që dha edhe gjykata. Në leximin e fakteve bazuar dhe në dëshminë e dhënë në polici nga 61 vjeçari, prokurori i çështjes ka deklaruar se i pandehuri ka pranuar se e ka goditur mjekun pneumolog pasi ai kishte një kohë të gjatë që kurohej, ndërkohë që mjeku i pengonte marrjen e KEMP-IT.

Ndërkohë pala mbrojtëse e ka cilësuar atë një masë ekstreme dhe të padrejtë. Krahas mjekut pneumolog Thoma Nini, 61 vjeçari ka akuzuar gjatë seancës për mjekim të gabuar kryeinfermierin e sanatoriumit, Ilirin dhe bashkëshorten e tij. Ndaj 61 vjeçarit, Hajdar Bregu, rëndon vepra penale”Goditje për shkak të detyrës”.

Mjeku pneumolog Thoma Nini u dhunua befasisht mëngjesin e së hënës në zyrën e tij nga 61 vjeçari Hajdar Bregu, i cili u arrestua më pas nga policia e Korçës.

(da.is/Gre.M/Shqiptarja.com)