Korçë, zhduken objektet
e Shtëpisë së Flamurit

Korçë, zhduken objektet <br />e Shtëpisë së Flamurit
Ka kaluar vetëm një ditë nga premtimi i MTKRS-së për ringritjen e Shtëpisë së shembur të Themistokli Gërmenjit në Korçë dhe në ditën tjetër vjen një lajm akoma më i rëndë: janë zhdukur edhe objektet e saj. Askush nuk ka treguar interes më parë për vendndodhjen e sendeve muzeore të kësaj shtëpie, e cila sa ishte në këmbë u përdor për çdo lloj biznesi, madje edhe si parukeri..! Historianë të njohur na kanë kujtuar këto ditë se gjatë viteve më parë kur kjo shtëpi ka qenë përdorur si shtëpi muze i ka pasur pothuajse të gjitha reliktet, objektet, sendet dhe fotografitë. Por tashmë asnjë gjurmë e tyre nuk gjendet më, as në rrënojat e kësaj shtëpie dhe as në ndonjë institucion tjetër. Objektet dyshohen se janë shitur në tregun e zi, pohojnë qytetarët e Korçës. Ndërsa studiuesi dhe koleksionisti Niko Kotherja ka pohuar për “Shqiptarja.com” se në godinën ku patrioti Themistokli Gërmenji ngriti flamurin e Korçës Autonome ndodheshin edhe objekte qeramike dhe monedha ilire. Shembja e “Shtëpisë së Flamurit”,duket se nuk është pasuria e vetme kulturore që humbi qyteti i Korçës, bashkë me të janë mbuluar nën gërmadha dhe objekte të ndryshme qeramike të gjetura në kodrat partizane. Sipas tij këto objekte me rëndësi kulturore nuk u mbajtën asnjëherë nën kujdesin e duhur. Një pjesë e tyre u zhdukën,duke u shitur kryesisht në Greqi në vitet 90-të,periudhë kur u prish muzeu,ndërkohë ato objekte që shpëtuan ishin vendosur në “bodrumin”e ndërtesës. Por, me shkatërrimin total të “Shtëpisë së Flamurit” mbrëmjen e 15 gushtit,edhe objektet e fundit,duket se përfunduan nën gërmadha. Ndërkohë i pyetur nëse disa prej këtyre objekteve ruheshin në ambientet e galerisë së arteve “Guri Madhi”,ku vetëm një muaj më parë u zbulua skandali i zhdukjes së 61 veprave në pikturë, studiuesi Kotherja ka pohuar se në galeri nuk kishte vepra të muzeut historik. Sipas disa burimeve është hedhur dyshimi se kanë qenë familjarët e patriotëve ata që kanë marrë sendet e tyre nga ky Monument Kulture, por është vërtetuar se asnjë nga trashëgimtarët nuk i zotëron, sepse këto objekte kanë qenë të inventarizuara dhe të vendosura në bodrumin e këtij muzeu. Sipas ish- drejtorit të Muzeut të Luftës, Bashkim Jahollari, të gjitha sendet dhe objektet e ruajtura në këtë muze janë vendosur në pallatin e Kulturës pas viteve ’90. Por punonjësit e qendrës kulturore “Vangjush Mio” e mohojnë këtë deklaratë duke thënë se aty ruhen vetëm objekte të luftës.

Shtëpia muze e Themistokli Gërmenjit
Mëngjesin e 16 Gushtit banorët e Korçës kanë parë se shtëpia e Themistokli Gërmenjit ishte shembur. Alarmi për këtë masakër kulturore ndaj banesës, ku u ngrit Flamuri i Republikës së Korçës, Muzeu Historik që nga viti 1977, u denoncua publikisht nga vetë kryetari i bashkisë së këtij qyteti Niko Peleshi, i cili tha se të mërkurën mjete të rënda rrëzuan godinën ikonë të shpalljes së autonomisë së Korçës. “Kam njoftuar institucionet përgjegjëse dhe i bëj thirrje policisë të hetojë dhe kapë përgjegjësit e kryerjes së këtij akti të rëndë”,-tha Peleshi duke theksuar se askush nuk mund ta rikthejë në gjendjen e mëparshme shtëpinë muze. “E vetmja leje që mund të japë bashkia e qytetit për ndërtim në këtë pjesë është ajo e rindërtimit të ndërtesës përmes një projekti sa më afër origjinalit”,-shtoi Peleshi.
Pas lajmit për rrëzimin e “Shtëpisë së Flamurit” në Korçë ka reaguar drejtoria e monumenteve të kulturës duke kërkuar mbështetjen e autoriteteve për të nxjerrë para përgjegjësisë personat që kanë të bëjnë me shembjen e ndërtesës. Nga ana tjetër drejtoria e monumenteve ka pranuar amortizimin e godinës si pasojë e mungesës së investimeve për mirëmbajtjen e saj. Shtëpia muze e Themistokli Gërmenjit në Korçë prej vitesh ishte kthyer në një objekt mosmarrëveshjesh mes bashkëpronarëve të saj. Me njërën palë që akuzonte tjetrën se po e kthente muzenë në shtëpi private teksa pala tjetër justifikohej se rikonstruksioni që po i bëhej kishte për qëllim bërjen sa më atraktive të monumentit të kategorisë së parë të kulturës edhe pse ajo në dy vitet e fundit ishte amortizuar deri në vetëshkatërrim. Ndërkohë pritet të nisin hetime mbi zbardhjen e asaj çka ndodhi vërtet me një nga trashëgimitë më të vyera të kombit shqiptar.

(dhh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Borsh/ Gomonia pësoi defekt, 9 familjarëve iu rrezikua jeta, mes tyre edhe fëmijë! Policia iu vjen në ndihmë

Borsh/ Gomonia pësoi defekt, 9 familjarëve iu rrezikua jeta, mes tyre edhe fëmijë! Policia iu vjen në ndihmë