Korça është kthyer në qendrën kryesore të festimeve të Pashkëve, duke tërhequr mijëra vizitorë.

Berati gjithashtu ka përjetuar një atmosferë të bukur, ku besimtarët kanë kaluar një muaj kreshmë dhe tashmë presin meshën e Ngjalljes së Krishtit.

Ata tregojnë për Report Tv ritualet tradicionale, që nga shërbesat fetare, deri te ngjyrosja e vezëve të kuqe të Pashkës.

“Kjo javë ka qenë një javë shumë e madhe dhe shumë e bukur ritualesh. Kemi mbajtur kreshmën gjithë javën, pa mish e bulmet. Sot në mesnatë ngjallet Jezu Krishti dhe themi ‘Krishti u ngjall’. Është një festë që sjell shpresë, dashuri dhe paqe për të gjithë ne", shprehet një besimtar. 

Traditat i kanë ruajtur mes vështirësive edhe në komunizëm.

“Në Goricë e kemi festuar gjithmonë këtë festë, edhe kur ishte e ndaluar. Vezët e kuqe janë simboli ynë kryesor. Edhe kur s’kishim bojë, i ngjyrosnim me çfarë të gjenim dhe i ndanim me njëri-tjetrin. Është një gëzim i madh", thotë një tjetër. 

Ndërkohë, në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, përpos vendasve kanë mbërritur edhe shumë turistë të huaj.

“Jam nga Kalifornia, SHBA. Është hera ime e parë në Shqipëri dhe jam shumë i impresionuar nga njerëzit. Janë shumë të sjellshëm dhe mikpritës. Vendi është i bukur dhe shumë interesant për t’u vizituar.”

“Jam nga Mbretëria e Bashkuar. Po bëjmë një tur dhe deri tani gjithçka ka qenë fantastike. Sot është Pashkë dhe është një përvojë shumë e bukur të jesh këtu në Gjirokastër", shprehen turistë. 

Mesnatën e së shtunës mbahet mesha e Ngjalljes së Krishtit në të gjitha kishat ortodokse të vendit.

Përgatitën gazetarët Armand Braho, Mimoza Sinanaj dhe Pirro Nase