Tërmeti/ Vijojnë lëkundjet në qarkun e Korçës, mbi 100 shtëpi të dëmtuara, 90 banorë e kalojnë natën në çadra (VIDEO)

Katër të plagosur, mbi 100 shtëpi të rrënuara dhe banorë të tmerruar. Është ky bilanci i tërmetit që u regjistrua mëngjesin e kësaj shtune në juglindje të vendit, qarkun e Korçës. Deri më tani mësohet se 4 persona kanë mbetur të plagosur, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën,  e ndërsa numri i banesave që janë shkatërruar i ka kaluar 100, disa prej tyre kanë dalë krejtësisht jashtë funksionit.

Epiqendra e tërmetit 5.3 ballë, që u shoqërua me mbi 20 lëkundje nga të cilat 6 të forta, ka qenë në fshatin Floq, që e përfshin Kolonja, ku dhe janë shkaktuar dëmet më të mëdha materiale. Mësohet se lëkundja e parë ka zgjatur për plot 10 sekonda. 

Sipas sizmologut, Rexhep Koçi pritet që të regjistrohen edhe tërmete të tjera, nisur nga fakti që gjithmonë ato shoqërohen me pasgoditje. Pas apelit të banorëve për të shpallur gjendjen emergjente, pasi nuk kthehen në shtëpitë e tyre nga frika se mund të ketë tërmete të tjera, Emergjencat Civile kanë vënë në dispozicion çadra për banorët e Floqit. Report Tv mëson se 90 banorë të fshatit Floq do ta kalojnë natën në çadër, pasi shtëpitë janë dëmtuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:57
Tërmeti në Korçë, mblidhet sërish shtabi i Emergjencave: Detyrë akomodimi i banorëve


Sot në orën 21:00, u zhvillua mbledhja e dytë e Shtabit të Emergjencave Civile në Prefekturën Korçë, ku u analizua zbatimi i detyrave dhe masave të lëna gjatë takimit të paradites, nga të gjitha institucionet dhe pushteti vendor.

Po kështu u lanë edhe detyra të tjera për çdo institucion, të cilat lidhen me akomodimin, kujdesin shëndetësor, sigurinë e banorëve të cilët kanë pësuar dëmtime nga lëkundjet sizmike të ditës së sotme në qarkun e Korçës.

Ora 21:11
Lëkundet sërish juglindja, panik te banorët, lënë shtëpitë

1559417126_1559399155shembetmuri.jpg

Panik te banorët e juglindjes së vendit, pasi një tjetër lëkundje është regjistruar mbrëmjen e sotme në orën 20:50 në fshatin Nikolic, pjesë e Devollit. Lëkundja ka qenë me magnitudë 4.5 ballë. Banorët të alarmuar kanë lënë shtëpitë duke dalë jashtë në qiell të hapur për të kaluar natën. 23 lëkundje janë regjistruar nga mëngjesi i sotëm në juglindje, ndërsa dëmet më të mëdha janë në Floq të Kolonjës.

Ora 20:19
Tërmeti/ 90 banorë do të kalojnë natën në çadra në Kolonjë

Mbi 100 banesa u dëmtuan nga tërmeti që goditi juglindjen sot me epiqendër fshatin Floq në Kolonjë, ndërsa Forcat e Armatosura kanë vendosur çadrat për strehimin e banorëve. Report Tv mëson se 90 banorë të fshatit Floq do ta kalojnë natën në çadër, pasi shtëpitë janë dëmtuar. Zv/ ministri i Mbrojtjes Petro Koçi nga Kolonja tha se 50 banesa janë të shkatërruara plotësisht vetëm në Floq, 20 të tjerë në të gjithë qarkun duke e çuar në 70 numrin, ndërsa pjesa tjetër kanë dëmtime të vogla.

Ora 19:21
Tërmeti/ Çako për Report Tv: Të plagosurit jashtë rrezikut, ngritëm çadrat, të prekurit do të dëmshpërblehen

Kreu i Emergjencave Civile Haki Çako ndodhet në Kolonjë pas tërmetit që lëkundi juglindjen duke dëmtuar mbi 100 banesa, ndërsa katër persona u plagosën, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në një lidhje telefonike për Report Tv nga Kolonja, Çako deklaroi se është ngritur shtabi i emergjencave për t'u ardhur në ndihmë të prekurve.

"Një seri lëkundjesh kanë shkaktuar një serë dëmesh. Tërmeti ka qenë me epiqendër në Floq, janë 100 banesa të dëmtuara, një pjesë të banuara dhe një pjesë jo. Janë marrë të gjitha masat, është ngritur shtabi në Korçë, janë vendosur në dispozicion të gjitha mjetet nga FA dhe drejtoria e EC. Kanë qenë katër banorë që janë lënduar lehë, kanë marrë mjekim dhe janë jashtë rrezikut. Disa banorët janë sistemuar te të afërmit, por edhe në çadrat që janë ngritur. Janë marrë të gjitha masat për ushqim dhe nevojat jetike" tha ai.

E ndërsa janë vendosur në gatishmëri kapacitetet për t'u ardhur në ndihmë banorëve, Çako deklaroi se ka filluar edhe inventarizimi për dëmshpërblyer banorët që u janë shembur banesat. "Patjetër që janë organizuar grupet përkatëse që bëjnë konstatimet e dëmeve, ky është një proces që do të vijojë, pasi komisionet e vlerësimit po përcaktojnë qartë dëmet për të bërë dëmshpërblimet dhe për të sistemuar banorët. Aktualisht jam me prefektin dhe n/kryetarin e Kolonjës në Qafë Zezë ku janë konstatuar një serë dëmtimesh, por edhe në Floq ku ka qenë epiqendra" tha ai. Çadrat janë vendosur në fushën pranë fshatit Floq.

Ora 17:47
Haki Çako mbërrin në Korçë: Po instalojmë vendosjen e çadrave

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Haki Çako ka mbërritur në Korçë për të mbikëqyrur nga afër situatën e krijuar nga tërmetet e njëpasnjëshme të ditës së sotme. Cako deklaroi se po punohet për rehabilitimin e situatës për të siguruar ushqim dhe fjetje për banorët, shtëpitë e të cilëve kanë pësuar dëme të rënda.

"Jemi informuar nëpërmjet medias për lëkundjet sizmike në Korçë. Ne bashkë me prefektin kemi marrë masat për inventarizimin paraprak të dëmeve të banesës. Janë dëmtuar disa banorë. Konstatohen rreth 100 banesa të dëmtuara. Një pjesë prej tyre kanë qenë të pabanuara. Ka nisur instalimi i çadrave për të shmangur qëndrimin e tyre në banesë. Ju kemi ardhur në ndihmë banorëve për të siguruar ushqime dhe fjetje, qoftë në fshatin Floq por edhe në fshatrat e tjera", u shpreh Çako.

Ora 16:57
Tërmeti në Korçë, Basha: Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme

1559401058_1559401019cadra.jpeg
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha kërkon që të shpallet gjendja e emergjencës në Korçë pas rënies së tërmetit ku u dëmtuan mbi 100 banesa, ndërsa 4 persona u plagosën. "Qindra banesa janë dëmtuar nga tërmeti që goditi në orët e para të mëngjesit rajonin e Korçës. Shumë banorë kanë mbetur në qiell të hapur dhe qindra të tjerë janë në panik se çfarë do të ndodhë me banesat e tyre. Gjithçka kishin ndërtuar me sakrificë të madhe është shkatërruar.

Duhet shpallur menjëherë gjendja e jashtëzakonshme në zonën e goditur dhe duhen dedikuar urgjent fonde për shtëpitë e dëmtuara. Familjeve të mbetura në mes të katër rrugëve dhe në gjendje tronditje dhe pamundësie totale shteti duhet t’ju ofrojë menjëherë ndihmë financiare dhe ushqim e strehë. Nuk duhet humbur asnjë çast për shkak të  paaftësisë apo lojrave politike, por duhet vepruar menjëherë dhe me veprime konkrete për të ndihmuar banorët e goditur. Familjeve të mbetura në mes të katër rrugëve dhe në gjendje tronditje dhe pamundësie totale, shteti duhet t’u ofrojë menjëherë ndihmë financiare dhe ushqim e strehë" shkruan ai.

Ora 16:53
Dëmtimi i banesave nga tërmeti, ushtarët e FA-së vendosin çadrat në Korçë

Në zonat e prekura nga tërmeti në Korçë janë vendosur çadrat, shtretërit dhe batanijet për familjet, banesat e të cilave janë dëmtuar. Efektivë të Forcave të Armatosura të Mbrojtjes janë vendosur në ndihmë të banorëve për nevojat e tyre.

Ora 15:49
Korçë/ Prefekti mbledh shtabin e emergjencave: Shtëpitë rrezikojnë shembjen, banorët do flenë në çadra

Prefekti Dhori Spirollari ka mbledhur shtabin e emergjencës pas situatës së krijuar nga tërmetet e njëpasnjëshme që prekën Korçën përgjatë ditës së sotme.

Sipas prefektit banorët nuk do lejohen të hyjnë në banesa e tyre, pasi një pjesë e tyre janë kthyer në të pabanueshme.

"Bashkia e Korçës të marrë masa për ujin e pijshëm. Nëse do na duhen vullnetarë, rinia korcare të na vijë në ndihmë", deklaroi prefekti.

Banorët do të sistemohen nëpër çadra,  ndërkohë që do shpërndahen ushqime në fshatrat Floq, Qafzezë dhe Vidohovë.Kompanitë private, gjithashtu janë ofruar paketa ushqimore.

Drejtori i Përgjithshëm i emergjencave civile Haki Cako dhe zv. ministri Petro Koçi janë nisur drejt Korçës. 

Ora 14:19
Tërmetet në Korçë/ Meta: Autoritetet të marrin masa

1558779906_ilirmeta.jpg

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar lidhur me tërmetet që kanë rënë ditën e sotme në Korçë. Presidenti shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me pasojat e rënda të tërmetit në zonën e Korçës dhe dëmet e shumta materiale të shkaktuara.

Ai u bën thirrje dhe nxit të gjitha autoritetet qendrore dhe lokale, që të ndjekin me shumë vëmendje dhe të analizojnë me përgjegjësi këto pasoja, si dhe të marrin masa të menjëhershme në plotësimin e nevojave emergjente të banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore duke u garantuar shërbim shëndetësor, pajisje me ushqim e ujë të pijshëm dhe sistemimin në ambiente të përshtatshme strehimi.

Presidenti Meta u uron shërim të shpejtë qytetarëve të lënduar.

Ora 14:05
Filo për Report Tv: Banorët kanë frikë të kalojnë natën në shtëpi, do ngremë një kamp të përkohshëm

Në një lidhje telefonike për Report Tv, kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo deklaroi se banorët ndihen të rrezikuar dhe se ka kërkuar që të furnizohen me 100 çadra që të ngrejmë në kamp të përkohshëm për banorët që do kalojnë natën jashtë.

"Nga ana e bashkisë dhe shtabit të emergjencave janë marrë masat dhe presim raportime nga qytetarët. Kemi bashkëpunuar edhe me shtabin qëndror të emrgjencave pasi një pjesë të banesave janë dëmtuar dhe banorët kanë frikë të kalojnë natën brenda tyre. Kemi kërkuar të furnizohemi me 100 çadra dhe të ngremë një kamp të përkohëshm për familjet që kanë problematika më të mëdha", u shpreh Filo.

Ora 11:44
Bilanci i tërmetit/ 100 banesa të dëmtuara, EC: 40 çadra për banorët e Floqit

1559382359_1559381164termet11.jpg

100 banesa të dëmtuara është totali i banesave të dëmtuara si pasojë e serisë të tërmeteve që kanë rënë në juglindje të vendit. Bëhet e ditur se në fshatin Floq , ku ishte dhe epiqendra e tërmetit janë vënë në dispozicion 40 çadra, për banorët. Në këtë fshat janë dëmtuar 70 banesa, në Qafzezë 10 shtëpi, në Vidohovë 20 banesa, ndërsa në Mollas, banesat kanë marrë dëme të lehta.  

"Banesa të evidentuara me çarje muresh, shembje çatie dhe shembje suvash deri tani në fshatin Floq dhe Dvoran janë 70 banesa. 50 banesa janë të vjetra dhe të pa banuara prej shumë vitesh.

Në fshatin Qafëzezë janë të dëmtuara nga tërmeti 10 banesa.

Në fshatin Vidohovë kanë pësuar çarje të mureve 20 banesa të vjetra.

Komisionet e konstatimit dhe vlerësimit të dëmeve janë në terren dhe po evidentojnë çdo dëm të shkaktuar.

Nga informacioni i marrë nga Spitali Rajonal Korçë, informohemi se 4 shtetas kanë shkuar në urgjencën e spitalit për të marrë ndihmën e parë pasi nga rënia e mureve të disa banesave kanë pësuar lëndime të lehta. Spitali Rajonal Korçë është në gatishmëri me autoambulanca, staf mjekësor dhe me kapacitet 300 shtretër për përballimin e çdo situate.

 Është komunikuar me QBO-në në ministrinë e Mbrojtjes për të vënë në dispozicion Detashmentin e Korçës në ndihmë të banorëve për montimin e çadrave që do të shkojnë nga DPRMSH si dhe një autobot me ujë të pijshëm. Janë marrë masa edhe për furnizimin e banorëve me ushqime", njoftom Ministria e Mbrojtjes. 

Ora 11:14
Banorët: U tmerruam, të shpallet gjendje emergjente! Të sillen çadra dhe ushqime

Banorët në fshatin Floq kanë bërë apel që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Asnjë prej tyre nuk pranon të futen në banesë, për shkak se i tremben një tërmeti të radhës. Ato i bëjnë apel pushtetit vendor që të nisin ngritjen e çadrave dhe dërgimin e ushqimeve, pasi disa prej banesave janë jashtë funksionit.

Për mikrofonin e Report Tv, ata kanë rrëfyer se si kanë përjetuar momentin që kanë ndjerë tërmetin.

"Isha shtrirë dhe në momentin që doja të ngrihesha, pata një aritmi të tmerrshme. Ime shoqe u trondit shumë. Menjëherë mora në telefon vajzën, që jeton në kat të gjashtë dhe ajo ishte shumë e trembut. E dyta më tmerroi fare. Nuk kthehemi në shtëpi sepse mund të përsëritet sërish. Unë dola në tërmetin e tretë", u shpreh një banor.

"Shumë frikë. Isha në punë, na ranë xhamat dhe u larguam. Jemi të tmerruar. Që nga viti 1994-1995 nuk kemi parë një tërmet të tillë", tha një tjetër.

"Frika është e madhe. Ishte shumë e fortë. Ku të rrish? Kush e di se nga do të fluturojmë. Isha vetëm në shtëpi", tha një e moshuar.

Ora 11:12
Tërmeti 'shkatërron' Floqin, disa banesa dalin jashtë funksionit

Pjesa më e madhe e banesave janë dëmtuar në fshatin Floq, ku ka qenë edhe epiqendra e tërmetit. Ka mbërritur në Flloq drejtori i NSHP, Ilir Dinellari e ndërsa pritet të mbërrijë edhe kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo. Siç raporton gazetarja Gladiola Hoxha, vijojnë lëkundjet e lehta të tërmetit, e ndërsa thekson se ka banesa që kanë dalë jashtë funksionit. Përveç fshatit Flloq, ka pasur dëme materiale edhe në Pogradec, Ersekë, Devoll.

Ora 10:07
Katër të plagosur nga tërmetet e rëna në Korçë

Katër persona kanë mbetur të plagosur nga tërmetet e rëna mëngjesin e sotëm në Korçë. Ata kanë pësuar dëmtime në kokë dhe në trup, por janë jashtë rrezikut për jetën.

Ora 09:27
'6 tërmete dhe pesë banesa të dëmtuara'/ Ministria e Mbrojtjes: Situata po ndiqet në vazhdimësi

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar lidhur me tërmetet e ndodhura mëngjesin e sotëm në Korçë duke informuar lidhur me shkallën e tyre dhe dëmet e shkaktuara në qytetet që janë prekur prej tyre. Sipas ministrisë, nga 6 tërmetet që kanë rënë mëngjesin e sotëm janë dëmtuar 5 banesa në fshatrat Dvoran dhe Floq, ndërkohë që lëkundjet sizmike vijojnë të ndjehen ende. 

Reagimi i plotë

Miremengjes, sipas informacioneve paraprake informojme se: 
Më datë 01.06.2019, ora 06:20:49 (GTM), Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, ka regjistruar një lëkundje tërmeti me magnitudë ML=3.9 Rihter, me koordinata 40.450 në Veri dhe 20.770 në Lindje, me thellësi 3 km dhe me epiqendër, 16 km në jug të bashkisë Korçë.
 
Më datë 01.06.2019, ora 04:56:40 (GTM), Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, ka regjistruar një lëkundje tërmeti me magnitudë ML=3.2 Rihter, me koordinata 40.470 në Veri dhe 20.780 në Lindje, me thellësi 4 km dhe me epiqendër, 17 km në jug të bashkisë Korçë.
 
Më datë 01.06.2019, ora 04:51:57 (GTM), Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, ka regjistruar një lëkundje tërmeti me magnitudë ML=4.7 Rihter, me koordinata 40.470 në Veri dhe 20.810 në Lindje, me thellësi 13 km dhe me epiqendër, 15 km në jug-lindje Nikolicë, të bashkisë Korçë.
 
Më datë 01.06.2019, ora 04:43:11 (GTM), Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, ka regjistruar një lëkundje tërmeti me magnitudë ML=3.7 Rihter, me koordinata 40.440 në Veri dhe 20.760 në Lindje, me thellësi 3 km dhe me epiqendër, 18 km në jug të bashkisë Korçë.
 
Më datë 01.06.2019, ora 04:33:11 (GTM), Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, ka regjistruar një lëkundje tërmeti me magnitudë ML=5 Rihter, me koordinata 40.470 në Veri dhe 20.670 në Lindje, me thellësi 18 km dhe me epiqendër, 16 km në jug-lindje Mollaj, të bashkisë Korçë.
 
Më datë 01.06.2019, ora 04:26:17 (GTM), Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, ka regjistruar një lëkundje tërmeti me magnitudë ML=5.3 Rihter, me koordinata 40.470 në Veri dhe 20.710 në Lindje, me thellësi 14 km dhe me epiqendër, 15 km në jug-lindje Floq, të bashkisë Korçë.
 
Nga informacionet e marra është raportuar se lëkundjet e tërmetit janë ndier në zonat përreth epiqendrave, në Nj.A.Mollaj, fshatin Dvoran, raporton për 2 banesa të dëmtuara, dhe në fshatin Floq 3 banesa, vazhdon monitori i situatës.
Lekundjet sizmike me intensitet me te ulet vazhdojne te ndihen ne vazhdim ne jug te vendit, si Gjitokaster e Korce.
 
Nga të gjitha qarqet e vendit nuk janë raportuar situata te jashtezakonshme.
Situata po ndiqet ne vazhdimesi me prefekturat dhe gjithe institucionet. Ju lutem per informacionin referojuni Ministrise se Mbrojtjes.

Ora 09:23
Tërmeti në Korçë/ Sizmiologu Koçi për Report Tv: Është ndjerë edhe në Selanik

Në një lidhje telefonike për Report Tv, sizmologu Rexhep Koçi është shprehur se ky tërmet ishte relativisht i fortë, i cili është shoqëruar edhe me disa pas goditje.

"Kjo goditje është shoqëruar edhe me disa pasgoditje që vazhdojnë. Tërmeti i parë ka rënë në orën 06:26 me magnitudë 5.3 ballë; në orën 06:43 me magnitudë 3.7 ballë dhe një tjetër në orën 06.51 me magnitudë 4.7 ballë.  Njerëzit e ndjejnë shumë. Tërmeti duhet të jetë ndjerë edhe në Selanik. Në afërsi të fshatit Kamenicë. Ndjeshmëria ka qenë shumë e lartë. Është një zonë, ku shoqërohet me disa pas goditje. Mirë është për të qëndruar jashtë banesave, se mund të ketë tërmete të tjera", Rexhep Koçi.

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Rilindje: 19/05/2020 23:50

    DUAM TEATRIN E RI PA POPULLIT AKOMA SI KA RENE FLAKA

    Përgjigju
  • Tirana: 01/06/2019 14:06

    Edhe termetin kena magute se tjerat i kena ne terezi

    Përgjigju
  • Loli: 01/06/2019 12:57

    Keq ardhje per keto banore!deshiroj qe sa me shpejt te sistemohen.por ketyre gazetareve qe qesin ne foto disa barake te jene ma te kujdes,shem per fotot qe kane paraqitur.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë