KORCE - Edhe në qytetin e Korçës ka pasur raste të shumta pedofilie, por ndryshe nga rasti i Ardian Prenjasi i cili u dënua vetëm me një gjobë, ata janë ndëshkuar me vite burgim, por sot enden të lirë pasi kanë përfituar nga amnistia e vitit të kaluar në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë.

Korça është cilësuar si qarku në të cilin vitet e fundit janë shënuar rastet më të shumta të pedofilisë, por ngjarja më e bujshme ishte ajo e 7 korrikut të vitit 2011 në fshatin Bitinckë të rrethit të Devollit. 12-vjeçari Xh.P u dhunua seksualisht nga dy të rinj, Romario Mulla 17 vjeç dhe Eduard Bufi 21 vjeç, të cilët abuzuan seksualisht me të për orë të tëra në periferi të fshatit.

Për pasojë, Mulla u dënua me rreth 7 vjet burg, por sot ai endet i lirë, ndërsa Bufi u dënua me 21 vjet, por me gjykim të shkurtuar ai vuan dënimin për 14 vjet.

Sipas avokatit të Mullës, Nevzat Tarelli klienti i tij, Mulla u la i lirë duke përfituar nga amnistia e vjetshme në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë, si dhe nga fakti i të qenit i mitur.

Në 5 vitet vitet e fundit në qarkun e Korçës janë regjistruar të paktën 12 raste të pedofilisë, konkretisht në fshatin Mbroje, Pocestë, në qytetin e Korçës, Devoll, Bilisht etj.

Një prej rasteve më të bujshme është abuzimi i vetë babait që trafikonte vajzat e tij të mitura për prostitucion, i cili aktualisht vuan dënimin.

Një tjetër rast u shënua në Pocest ku mësuesit abuzonin seksualisht me nxënëset e klasës fillore. Lirimi i autorëve apo dhe mosdënimi i tyre nga drejtësia siç e parashikon ligji ka shtuar dhe rastet e pakënaqësisë tek familjarët e të dhunuarve, të cilët jo pak herë deklarojnë se do të bëjnë vetëgjyqësi.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)