Një aksion i Komisariatit të Policisë së Korçës, mbrëmjen e djeshme, ka çuar në arrestimin e një 31-vjeçari. Gjatë një kontrolli në një lokal të qytetit, shërbimet e policisë konstatuan se i riu mbante armë zjarri pa leje.

I arrestuari është Andi Qeraxhi, një emër i njohur për policinë për shkak të precedentëve penalë. Sipas burimeve zyrtare, 31-vjeçari ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale, ndërsa në vitin 2017 ka qëlluar me kallashnikov drejt një lokali nate në periferi të qytetit të Korçës.

Ai rezulton gjithashtu i përfshirë edhe në veprimtari të paligjshme të trafikimit të lëndëve narkotike. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme, ndërsa policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rastit.

Në videon e arrestimit të 31-vjeçarit shihet momenti kur ky i fundit tenton t'i ikë me vrap efektivit të policisë, por pa sukses.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, si dhe bazuar në kontrollet e ushtruara nëpër ambiente të ndryshme, ku mund të ushtrohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas lëvizte i armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Target”.

Si rezultat i operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në lagjen nr. 9, në një lokal, në ambientet e të cilit u konstatua shtetasi A. Q., që dyshohej se ishte i armatosur. 

Ky shtetas, sapo vuri re forcat e Policisë, ka tentuar të largohej me shpejtësi, me qëllim që të shmangte kapjen nga Policia, por u kap dhe neutralizua.

Nga kontrolli fizik, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me krehër, municion luftarak dhe një shumë parash.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Q., 31 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".