...
Rajoni juglindor prej ditësh është përfshirë nga reshje të dendura bore duke sjellë edhe probleme në disa akse nacionale. Temperaturat nën zero gradë kanë paralizuar gjithë qarkun duke sjellë kështu probleme jo vetëm në qarkullimin e automjeteve, por edhe në lëvizjen e njerëzve.
Për qytetarët e Korçës, të cilët në këto ditë acari janë më të predispozuar për të pasur edhe probleme shëndetësore shërbimi i urgjencës mbetet shpresa e vetme. Në pak ditë sipas mjekëve këtu janë regjistruar 964 vizita ambulatore dhe në pak orë edhe 6 persona kanë kërkuar ndihmën e ortopedit pas rrëzimit në akull. Të moshuarit dhe fëmijët janë viktimat e para të humbjes së ekuilibrit dhe pasojave të tij.
“Atëherë për sa i përket ndryshimit të klimës, mund të them se këto dy tre ditët e fundit, sidomos gjatë rënies së dëborës dhe ngricave ka pasur raste të lënduarish, kryesisht mosha rreth 67 vjeç, të cilët kanë pasur trauma të ndryshme. Është një situatë e quajtur pothuajse normale për kohën që po kalojmë, vetëm se ka një fluks për patologji të tjera. Gjithsesi për këtë situatë që po kalojmë spitali i Korçës ka marrë të gjitha masat me ngritjen e stafeve për të përballuar fluksin që do të ketë. Gjithsesi këtu kërkohet edhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve që për rastet që janë të menaxhueshme në shtëpi të mos sillen në institucion për t'ju lënë vend pacienteve të tjerë që meritojnë të marrin një shërbim. Duhet të evitojmë lëvizjen e panevojshme për të zvogëluar edhe mundësit për lëndime”, tha Kujtim Shabani, mjek në Shërbiminin e Urgjencës së Korçës.
Edhe pse prej mëngjesit rrugët dhe trotuaret kanë qenë të mbuluara nga akulli askush nuk është kujdesur që të bëjë pastrimin e tyre apo kriposjen. Qendra e qytetit ku përgjatë viteve të fundit janë bërë edhe shumë investime madhore i ngjan më tepër një piste të madhe akulli, ndërsa rrugë dytësore apo kalldrëmet nuk pastrohen e as hidhet skorje që ato të shkrijnë.
Ndërkaq sipas të dhënave pastrimi i qytetit nga bora dhe akulli është pjesë e zërave të buxhetit të bashkisë së qytetit me vlerën 60 milionë lekë dhe që realizohet nga një firmë kontraktore.
Keshilla te vlefshme per te shmangur rreshqitjet
Por si mund t’i shmangim rrëzimet nga ngricat përmes disa teknikave? Fillimisht është shumë e rëndësishme që këpucët tuaja të jenë prej gome. Mbajta e këpucëve me taka nga gratë shton rrezikun duke favorizuar rrëshqitjet. Mënyra se si ecim në një sipërfaqe me akull luan një rol të veçantë. Ajo që këshillohet është e thjeshtë, imitoni pinguinët. Pra hapi juaj të jetë sa gjerësia e legenit. Teknika e të ecurit prej pinguini kërkon që peshën e trupit tuaj ta përqendroni në këmbën që hidhni përpara. Ndodh që ju të rrëzoheni, nëse pesha e trupit tuaj përqendrohet, ashtu si rëndom kur ecim normalisht, në mes të këmbëve tona.
Një tjetër element i rëndësishëm për të shmangur rrëshqitjet është veshja, duhen shmangur veshjet e ngushta , si pantallonat apo fundet që nuk lejojnë lirshmëri në lëvizje. Ndërsa për pjesën e sipërme të trupit është mirë që rrobat të jenë të ngushta, në mënyrë që të kufizojnë lëvizshmërinë e krahëve dhe rrotacionin e trungut.
Këshillohet po ashtu që trupi të jetë i lirë, pa pesha.
Por sipërfaqja e rrugës nuk bëhet të rrëshqitshme vetëm nga ngricat. Edhe gjethet e rëna të cilat janë në gjendje kalbëzimi duke u bashkuar në terren me lagështirën dhe forcën e fërkimit, bëjnë që të jemi më të prekshëm nga rrëshqitja. Një tjetër faktor që nuk duhet neglizhuar është moti i lagësht. Është mirë që në një kohë të tillë që gjithkush të mos nxitojë, pasi është në dëmin e secilit prej këmbësorëve. Po kështu edhe mbrëmja, kur faktori i rënies së dritës, ndihmon në mospasjen e vëmendjes dhe shtimin e mundësisë për të rrëshqitur.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)