KORCE - Një 25 vjeçare nga qyteti i Korçës është dhunuar nga bashkëshorti i saj e më tej është lënë për rreth 2 orë në mes të rrugës.

Romeo Babani, 28 vjeç ka rrahur bashkëshorten e tij, Esilda Elmazi orët e para të mëngjesit të sotëm, dhe pas këtij veprimi e ka nxjerrë nga shtëpia duke e lënë në rrugë, në lagjen numër 8 të qytetit.

Kanë qenë punonjësit e pastrimit të cilët e kanë gjetur 25 vjeçaren rreth orës 04:00 të mëngjesit në mes të rrugës.

Sipas policisë së Korçës, Esilda Elmazi u dërgua në spitalin e Korçës e më tej Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Të njëjtat burime konfirmojnë se 25 vjeçarja është goditur me mjete të forta e të mprehta nga bashkëshorti, i cili tashmë është shpallur në kërkim.

Esilda Elmazi është nënë e dy fëmijëve, ndërsa mësohet se i shoqi ushtronte dhunë të vazhdueshme ndaj saj.

DESHMIA E NENES: U GRINDEN PER BORXHET
Nëna e 25 vjeçares së dhunuar, Dallandyshe Ridvani, e cila i përket komunitetit rom në Korçë, flet për A1 Report. Ajo thotë se çifti ishte grindur për punë borxhi, teksa në grindje e sipër 28 vjeçari, bashkëshorti i Esildës, Romeo Babani, e ka goditur duke i shkaktuar plagë në kokë e fytyrë dhe e ka nxjerrë jashtë.

Sipas saj vajza ka qëndruar në mes të rrugës nga ora 2 e mëngjesit deri në 4 të mëngjesit të sotëm.

Çifti është martuar prej 5 vitesh dhe kanë 2 fëmijë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)