KORCE - Importimi i produkteve bujqësore nga jashtë ka lënë mënjanë prodhimet vendase të qytetit të Korçës. Prodhuesit e produkteve bujqësore përballen çdo ditë me rënie të nivelit të shitjeve.

Edhe pse në rajonin juglindor nuk ka filluar ende piku i prodhimit, prodhuesit e produkteve bujqësore përballen çdo ditë me rënie të nivelit të shitjeve. Futja e prodhimeve nga jashtë, por edhe rënia e nivelit ekonomik, duket se janë dy ndër faktorët kryesorë, të cilët kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në mbetjen e prodhimeve stok.

Fermerët shprehen se prej orëve të para të mëngjesit i drejtohen tregut të shumicës, por në fund të ditës fitimi pothuajse është zero, krahasuar kjo me koston e prodhimit.

Sipas tyre, jo në pak raste për shkak të mbetjes së prodhimit janë detyruar t’i hedhin produktet e tyre në ambientet e tregut apo dhe në kanal, duke çuar dëm dhe punën e një viti.

Fermerët nuk janë të vetmit, të cilët vuajnë mungesën e tregut. Me të njëjtën situatë përballen gjithashtu edhe tregtarët. Ata shprehen se nga viti në vit niveli i shitjeve ka pësuar rënie, ndërkohë që produktet gjithnjë edhe më shumë ju mbeten stok.

Pjesa më e madhe e banorëve të rajonit të Korçës i sigurojnë të ardhurat familjare nëpërmjet tregtimit të produkteve bujqësore. Por,mungesa e tregut si rezultat i futjes të prodhimeve nga jashtë ka ndikuar ndjeshëm dhe tek të ardhurat e tyre mujore.
(da.is/Shqiptarja.com)