Sipas policisë tre persona të maskuar me jelek policie, pasi kanë hyrë në fabrikën e lëngjeve të frutave, kanë lidhur me tel bashkëshorten e pronarit të fabrikës dhe më pas edhe vetë pronarin duke i kërkuar një sasi lekesh.
Pasi kanë arritur të marrin në kasafortë sasinë e lekëve dhe valutës së huaj janë larguar me shpejtësi në këmbë. Pas largimit të autorëve, pronari i kësaj fabrike ka lajmëruar policinë e cila ka arritur në vendin e ngjarjes. Pronari ka bërë me dije se kanë qenë tre persona.
30 minuta pas ngjarjes policia ka shoqëruar në komisariat 8 persona mes të cilëve, bëjnë me dije burime të sigurta, janë persona me rezikshmëri madje edhe të njohur si trafikues të lëndëve narkotike në shtetin Grek.
Në të gjitha akset rrugore nacionale të Korçës policia ka vendosur postblloqe. Vetëm pak kohë më parë në të njëjtin fshat në një banesë ka pasur një tjetër grabitje me arme.
Njoftimi i plotë i policisë:
Më datë 04.12.2017, rreth orës 19:15, jemi njoftuar se në fshatin Dvoran, në ambjentet e një firme private pijesh kanë shkuar persona të armatosur dhe të maskuar.
Nga të dhënat e para dyshohet se këta persona pasi kanë lidhur pronarin dhe bashkëshorten e tij, kanë vjedhur një sasi lekësh prej 50 mijë lek të reja, 70 Euro dhe 150 Dollarë. Më pas këta persona janë larguar me shpejtësi në këmbë.
Në vendngjarje, ndodhen forca të shumta policie. Janë ngritur pika kontrolli për të bërë të mundur identifikimin e kapjen e autorëve.
Nga ana e Policisë po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si edhe dokumentimin e plotë të saj.
[gallery]25034[/gallery]
Redaksia Online
J.Sh shqiptarja.com

FOTO








