Në Qarkun Korçë, gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit kanë filluar reshje shiu dhe bore, me intensitet të ndryshëm sipas zonave.
Ka rrëshqitje dhe bllokime rrugësh në aksin Qukës–Qafë Plloçë dhe në fshatra të Proptishtit ku po merren masa për hapjen e tyre. Reshjet e shiut po kalojnë në formë llohe/bore në zonë.
Qarkullimi në akset Ersekë–Leskovik dhe Ersekë–Korçë vijon normal, borëpastrueset janë në terren. Në vendin e quajtur Gropat e Gëlqeres (rreth 5 km nga Erseka, aksi Ersekë–Leskovik) ka rrëshqitje të pjesshme të rrugës, është vendosur sinjalistika dhe ka shërbim policie. Shërbimet e Rendit po këshillojnë drejtuesit e mjeteve për lëvizje me kujdes.
Në Dardhas, rruga për në fshat është e pakalueshme. Ka mungesë të energjisë elektrike në të gjitha fshatrat e njësisë dhe rrëshqitje rruge në Grunjaz. Raportohen probleme në lumin Rëmenj dhe Verdovë, veçanërisht në zonën e unazës së qytetit ku qarkullimi është kufizuar në një kalim.
Në Devoll paraqitet situatë më e rënduar në njësinë Proger (fshatrat Proger, Maqurisht, Cangonj, Shyec) për shkak të rritjes së prurjeve.
Në Maliq, lumi Devoll ka dalë nga shtrati në disa pika të argjinaturës në Sheqeras. Në Dunavec niveli është në maksimum, por nuk ka dalje nga shtrati. Në aksin Maliq–Lozhan (Senisht) pati bllokim gjatë natës, u pastrua, por ka batisje dhe rrezik për trupin e rrugës.
Në Mesmal ka rrëshqitje dherash me bllokim të rrugës. Në Lozhan i Lartë ka rënie gurësh dhe aktivizim të rrëshqitjes në Kakaç. Rezervuarët ndodhen nën monitorim, është hapur lëshuesi katastrofik në Leminot pasi arriti kuotën maksimale. Kanë filluar reshje bore rreth 2 cm.
Në akset Korçë–Ersekë dhe Ersekë–Leskovik kanë filluar reshje bore ku po punohet për pastrim dhe kriposje.
Në Maliq–Kufi Gramsh reshje shiu me rënie gurësh e inertesh dhe po kryhet pastrim.
Në aksin Korçë–Voskopojë është pastruar dhe kriposur. Qarkullimi vijon normalisht.
Në Boboshticë–Dardhë ka reshje bore, mjetet janë në punë për pastrim dhe kriposje.
Në Bilisht–Miras dhe Zemblak–Goricë ka reshje shiu me intensitet të ulët.
Në hidrovorin në Tushemisht vijon puna me 3 pompa (1 pompë jashtë funksionit). Niveli i ujit është i lartë, por situata është nën kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm.
Rruga për në Denas mbetet problematike nga situata e mëparshme, por niveli i ujit ka rënë ndjeshëm dhe nuk paraqet rrezik për banesat.
Në Kolonjë, prej orës 03:30 kanë filluar reshje bore me intervale.
Në Çërravë, lumi i fshatit ka fryrje të madhe, por nuk ka dëme të raportuara.
Lajmi kryesor:
Moti i keq/ Viktima e parë, 54-vjeçari humb jetën në Durrës! Evakuime në Katund të Ri, Sukth dhe 3 fshatra të Fierit e Vlorës (VIDEO)









