Një 47-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë teksa nëpërmjet shantazhimit për një periudhë 3-vjeçare, ka përfituar nga një person nga Greqia 4000 euro. Kristi Joga i ka përfituar paratë duke kërcënuar se do t’i publikonte grekut biseda, foto dhe video intime.

Me të njëjtën skemë, 47-vjeçari Kristi Joga ka përfituar dhe nga persona të tjerë po me origjinë greke shuma të konsiderueshme që variojnë nga 30 000 deri në 40 000 euro. Sakaq, hetimet po vijojnë për identifikimin dhe kapjen e persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë kriminale.

“DVP Korçë

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar "Blackmail". Operacioni, rezultat i 4 muajve hetime me metoda proaktive.  

I mori 4000 euro një shtetasi grek, duke e shantazhuar për rreth 3 vjet, se do t'i publikonte biseda dhe foto intime, vihet në pranga 47-vjeçari. 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Korçë, si rezultat i hetimeve të kryera për një periudhë 4-mujore, me metoda speciale, në drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Blackmail".

Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi K. J., 47 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë" dhe "Mashtrimi".

Nga hetimet dyshohet se shtetasi K. J., për një periudhë rreth 3-vjeçare, nëpërmjet shantazhit për publikimin e bisedave dhe fotove intime, ka përfituar rreth 4000 euro, nga një shtetas grek. Gjithashtu, shtetasi K. J. dyshohet se me të njejtin mekanizëm, ka përfituar edhe nga shtetas të tjerë grekë, shuma të konsiderueshme parash, që variojnë nga 30 000 - 40 000 euro. 

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë të përshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.