Për Bashkimin Evropian dy janë çështjet e ditës në lidhje me Shqipërinë, protestat e dhunshme të opozitës dhe imuniteti i zv. Kryeministres Balluku.
Në diskutimin e draft raportit për Shqipërinë, në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, kreu i komisionit McAllister dhe përgatitësi i dokumentit, raportuesi Schieder, e shprehen pa rezerva shqetësimin e Brukselit për dhunën në rrugë.
"Ndërkohë që Shqipëria ka hapur negociatat, ne mbështesim ecurinë. Shqipëria duhet të punojë edhe më shumë teksa vendin hyn në fazë të rëndësishme. Procesi është strikt në bazë merite, për kriteret e Kopenhagenit. Miratimi i legjislacionit nuk është i mjaftueshëm, duhen ndryshime konkrete dhe impementimi i tyre. Protestat e dhunshme nuk janë të pranueshme në një shoqëri demokratike",- tha i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, David McCallister.
"Klima politika nuk është më e mira e mundshme. Ka shqetësime në lidhje me zgjedhjet, për dyshime për blerje votash, por gjithashtu ka shqetësime në lidhje me miniminim e bashkëpunimit politik, radikalizimin e politikës. Sidomos javët e fundit ka pasur një radikalizim, të fortë për ta bërë politikën në rrugë dhe jo në sallën e Parlamentit. Korrupsioni mbetet shqetësim i madh që kërkon adresim. Prioritet tani duhet të jetë mbylla e kapitujve të negocimit me ndryshim konkret. Objektivi për 20274-n është shumë më i arritshëm",- tha Andreas Schieder, Raportuesi i PE për Shqipërinë
Korrupsioni mbetet shqetësim i madh që kërkon adresim përsëritën thuaje të gjithë folësit gjatë diskutimit gati 45 minutësh, ndërsa rastin e hetimit dhe imunitetit të zv. Kryeministres Balluku e theksuan dy eurodeputetë të djathtë
"Lufta kundër korrupsionit duhet të japë rezultate edhe më konkrete. Hetimet që janë në vijim, përfshirë atë të Zv. Kryeministres duhet të vazhdojnë pa asnjë ndërhyrje. Zbatimi i ligjit nuk mund të jetë selektiv. Shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imuniteti pa asnjë vonesë është përgjegjësi e parlamentit. Jam i shqetësuar për amandamentet në Kodin e Procedurës Penale për të mbrojtur zyrtarët nga pezullimi kur janë nën hetim",- tha Andrey KOVATCHEV, Eurodeputet, pjesë e PPE.
"Çështja Balluku, Kushtetuesja tha se spak mund te pezulloje, mazhoranca refuzon t’i heqë imunitetin. Kjo duhet të ndikojë edhe në qëndrimin tonë",- tha Michael Ghaler eurodeputet nga CDU, grupi i PPE.
Drejtuesi i delegacionit PE-Shqipëri, italiani Marco Tarquino, përmend avancimin e Shqipërisë në fusha kyçe si nisja e punëve për reformën zgjedhore dhe atë territoriale. Eurodeputeti e thekson edhe shqetësimin për numrin e madh të të paraburgosurve.
"Vendi ka gati 60% të njerëzve në burg të paraburgosur, pra pa një vendim të formës së prerë. Një shifër shumë e madhe. Dua të përmend këtu edhe lëvizjen spektakolare të Kryeministrit Rama që ka vënë në dispozicion që Shqipëria të heqë dorë si nga e drejta e vetos, si nga Komisioneri. Kjo mendësi na mëson për bujarinë, që na shërben edhe ne të gjithëve këtu brenda",- tha Marco Tarquinio, kreu i delegacionit PE-Shqipëri
Raporti për Shqipërinë pritet të diskutohet sërish nga mesi i muajit të ardhshëm, pasi eurodeputetët kanë kohë deri më 12 mars për amendamente.

Në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian u diskutua për Shqipërinë, ku u prezantua draft-raporti për progresin e vendit tonë në rrugën e integrimit.
Në fund të diskutimeve, Përfaqësuesja e Komisionit Evropian tha se reforma elektorale dhe polarizimi politik janë aktualisht shqetësimë serioze, ndërsa shtoi kritika edhe për situatën e mjedisit.
"Raporti i paraqitur këtu është shumë i balancuar. Reforma elektorale dhe polarizimi politik janë shqetësuese. Ne kemi punuar ngushtë me palën shqiptare për sundimin e ligjit dhe pavarësinë shqiptare. Hapat e Shqipërisë për transparencën e pronësisë mbi median është një hap i mirëpritur. Ne kemi shqetësime për situatën e mjedisit, të cilat i kemi përfshirë në qëndrimet e kapitullit 27",- tha përfaqësuesja e Komisionit Evropian.
Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Europian tha se Shqipëria duhet të vazhdojë një luftë shumë shumë të fortë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu. u vlerësua roli i Tiranës zyrtare në rajon dhe përputhja 100% e politikës së saj të jashtme me Bashkimin Evropian.
"Përshëndesim ecurinë e reformës në drejtësi dhe punën për sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Shqipëria duhet të vazhdojë një luftë shumë shumë të fortë kundër korrupsionit dhe krimin e organizuar, të përforcojë liritë themelore, minoritet dhe pronësisë. Reforma elektorale është shumë e rëndësishme dhe është kyçe që të dyja palët të bashkëpunojnë për këtë. Përshëndesim rolin e Shqipërisë në rajon dhe përputhjen 100% të politikës së saj të jashtme me Bashkimin Evropian. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin për sigurinë dhe mbrojtjen, dhe planifikojmë një tjetër takim me Shqipërinë më 16 prill",- tha Shërbimi i Jashtëm i BE.

Në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, eurodeputeti Fredi Beleri tha se Shqipëria ka një krizë domethënëse institucionale midis ekzekutivit dhe gjyqësorit për shkak të korrupsionit, ndërsa shtoi se 2/3 e vendit nuk furnizohet me ujë 24 orë. Gjithashtu, Beleri deklaroi se autoritetet shqiptare kanë treguar parregullsi me fondet e BE, si rasti OLAF.
"Në Shqipëri ka një krizë domethënëse institucionale midis ekzekutivit dhe gjyqësorit për shkak të korrupsionit. 2/3 e vendit nuk furnizohet me ujë 24 orë. Kemi parë parregullsi me fondet e BE. Rasti OLAF një ndër to. Dua të shoh progres dhe Shqipërinë në BE. Nëse ky raport përpiqet thjesht ta prekë, përkundër paraqitjes së realitetit siç është, nuk do të kontribuojë në reformat e nevojshme. Do mbështes amendamentet që do të paraqesin kolegët",- tha Beleri gjatë prezantimit të draft-raportit për progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit.

Në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, eurodeputeti Marco Tarquinio, ngriti shqetësimin për numrin e lartë të të paraburgosurve në vendin tonë.
Tarquinio shprehu vlerësimin e tij për propozimin e kryeministrit Edi Rama që Shqipëria të heqë dorë nga nga e drejta e vetos në BE, si nga Komisioneri, që procesi i integrimit të ecë përpara.
"Tek polarizimi politik inbsistojmë sepse është shumë shqetësues, në një vend ku opinioni publik ka një impaktësi për integrimin evropian. Respektimi i minoriteteve ka një avancim shumë të mirë. Edhe reforma elektorale ka nisur, ka një bashkëpunim, me një komision që tashmë ka filluar punën, sigurisht me vështirësitë që i imagjinoni. Edhe reforma territoriale është shumë e rëndësishme, është në vijim, që do të prekë edhe qeverisjen vendore. Dua të ndalem te një problem tjetër: Vendi ka gati 60% të njerëzve në burg të paraburgosur, pra pa një vendim të formës së prerë. Një shifër shumë e madhe. Çështje janë nisur edhe për ish Presidentin, kryetari i bashkisë Tiranës, apo edhe në hetim lideri i opozitës Berisha. Pra vendi është në një moment të rëndësishëm dhe delikat dhe duhet të dimë t’i ndihmojmë për një proces që t’i shpejtojë të gjithë elementët. Pika e fundit për lëvizjen spektakolare të Kryeministrit Rama që ka vënë në dispozicion që Shqipëria të heqë dorë si nga e drejta e vetos, si nga Komisioneri, që procesi të ecë përpara, është një moment që na mëson për bujarinë që duhet për të ndihmuar proceset, që na shërben edhe ne të gjithëve",- tha Tarquinio gjatë prezantimit të draft-raportit për progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit.

Në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, eurodeputeti Thomas Waitz tha se pavarësia e gjyqësorit në Shqipëri është një aspekt ku janë parë rezultate konkrete, të mishëruara kryesisht nga SPAK.
"Pavarësia e gjyqësorit është pikë kyçe dhe avancimi duhet të vijojë. Jo vetëm legjislacioni por edhe implementim i mirë. Fakti që SPAK ka pasur kapacitetin që të arrestojë zyrtarë të nivelit të lartë tregon se kanë kapacitet dhe kjo është një shenjë shumë e mirë. Na duhet të shohim më shumë gjithëpërfshirje, sidomos të shoqërisë civile",- tha Waitz gjatë prezantimit të draft-raportit për progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit.
Komente










