KORCE - Pas shembjes së dy ndërtesave historike në Pazarin e Vjetër të qytetit të Korçës ka reaguar dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në qytetin juglindor. Drejtoresha Jorida Nemacka ka pohuar se shembja e dy ndërtesave nuk ka ndodhur për shkak të amortizimit.

Sipas saj, gjithçka ka qenë e qëllimshme. Për rastin në fjalë janë kryer të gjitha procedurat në polici, ndërkohë që është njoftuar dhe Ministria e Kulturës. Drejtoresha Nemacka u ka bërë thirrje personave përgjegjës të mos ndjekin shembullin “famëkeq” të shembjes së Shtëpisë së Flamurit.

Dy ndërtesat e shembura rreth orës 15:00 të së mërkurës iu janë bashkuar në këtë mënyrë dy ndërtesave të shembura po në këtë pazar dy javë më parë, duke e çuar në katër numërimin e ndërtesave historike që zhduken nga lista e pazarit të vjetër të qytetit të Korçës që daton 500 vjet më parë.