/ATSH-AFP/ - Lidhjet e internetit në Korenë e Veriut, krejtësisht të ndërprera dje nga një defekt gjigant, u rivendosën sot pas më shumë se nëntë orësh paralize totale, njoftuan ekspertët e informatikës duke sygjeruar se vendi komunist mund të ketë qenë shënjestër e një kundërpëgjigjeje pas sulmeve informatike të fundit kundër "Sony"-t.
"Të katër rrjetet e internetit që disponon Koreja e Veriut dhe të gjitha lidhjet kalojnë nëpërmjet kompanisë "China Netcom", filial i "China Unicom", mbetën të shkëputura për rreth nëntë ore e 31 minuta", njoftuan ekspertët e kompanisë "Dyn Research" me qendër në SHBA dhe e specializuar në sigurinë informatike.
Arsyet e këtij defekti mbeten ende të panjohura. Kjo paralizë erdhi vetëm disa ditë pas premtimit të presidentit amerikan, Barack Obama, për reprezalje amerikane pas sulmit kibernetik masiv ndaj "Sony"-t.
Sulmi, i zbuluar në fund të nëntorit nga "Sony", kishte paralizuar sistemin informatik të kompanisë dhe ishte shoqëruar me publikimin në rrjet të pesë filmave të studios ku disa ende nuk kanë dalë, të të dhënave personale të 47 mijë punonjësve, të dokumenteve konfidenciale si skenari i filmit të ri të James Bond si dhe publikimi i një serie email-esh shumë turpëruese për krerët e kësaj studioje.
FBI-ja akuzoi të premten për këtë sulm kibernetik, të marrë përsipër nga grupi i piratëve informatikë GOP (Guardians of peace), Korenë e Veriut e cila gjithë kohën ka mohuar çdolloj implikimi.