Deputetët e Koresë së Jugut i kërkuan të mërkurën presidentit Yoon Suk Yeol që të japë dorëheqjen ose të përballet me gjykim në një proces për 'impeachment' pasi ai shpalli ligjin ushtarak, për ta ndryshuar atë vetëm disa orë më vonë, duke shkaktuar një krizë politike në ekonominë e katërt më të madhe të Azisë.
Deklarata e befasishme të martën vonë ndezi një përplasje me parlamentin, i cili hodhi poshtë përpjekjen e tij për të ndaluar aktivitetin politik dhe për të censuruar median, pasi trupat e armatosur u futën me forcë në ndërtesën e Parlamentit në Seul.
Partia Demokratike, partia kryesore e opozitës kërkoi që Yoon, i cili ka qenë në detyrë që nga viti 2022, të japë dorëheqjen ose do të përballet me shkarkimin.
“Iu zbulua qartë të gjithë kombit se Presidenti Yoon nuk mund ta drejtonte më vendin normalisht. Ai duhet të japë dorëheqjen”, tha në një deklaratë deputetja e lartë e PD-së, Park Chan-dae.
Gjashtë parti opozitare të Koresë së Jugut thanë se do të dorëzonin projekt-ligjin për shkarkimin e Yoon të mërkurën, tha Partia Demokratike në një mesazh për gazetarët, me votim që do të zhvillohet të premten ose të shtunën.
Udhëheqësi i Partisë së Pushtetit Popullor në pushtet të Yoon kërkoi që ministri i Mbrojtjes Kim Yong-hyun të shkarkohet dhe i gjithë kabineti të japë dorëheqjen. Yoon i tha kombit në një fjalim televiziv të martën vonë se ligji ushtarak ishte i nevojshëm për të mbrojtur vendin nga Koreja e Veriut e armatosur me armë bërthamore dhe forcat antishtetërore pro-Veriore, dhe për të mbrojtur rendin e tij të lirë kushtetues, megjithëse ai nuk përmendi kërcënime specifike.
Foto: Kim Keon-hee
Deputetët e Koresë së Jugut kanë nisur procedurat e shkarkimit për presidentin Yoon Suk Yeol pas lëvizjes së tij shokuese për të vendosur gjendjen e shtetrrethimit në vend.
Por mesa duket presidenti ishte ishte në telashe prej disa kohësh, kur një video e gruas së tij, Kim Keon Hee shfaqej duke pranuar si dhuratë një çantë nga një pastor koreano-amerikan. Videoja u bë virale në rrjetet sociale vitin e kaluar.
Zonja e Parë pretendohej se kishte thyer rregullat për dhuratat, të miratuara me qëllim mbrojtjen kundër korrupsionit. Por përgjigja e Yoon e futi qeverinë e tij në një krizë të plotë.
Yoon e quajti videon, të filmuar nga një kamera e fshehtë më 2022, një marifet që synonte të dëmtonte partinë e tij përpara zgjedhjeve kryesore legjislative dhe tha se gruaja e tij ishte thjesht shumë e këndshme për të “refuzuar me zemër të ftohtë” çantën Dior me një vlerë prej 2200 dollarë, shkruan BBC.
Pas këtij skandali partia e tij pësoi humbje masive në ato zgjedhje në prill dhe ndërsa shqetësimi vazhdoi të rritej, muajin e kaluar Yoon më në fund kërkoi falje në emër të gruas së tij - një vit të plotë pasi videoja po qarkullonte në internet.
Por Yoon përjashtoi lejimin e një hetimi mbi incidentin dhe zemërimi publik vetëm sa është intensifikuar që atëherë.