Koreja e Veriut ka testuar ditën e djeshme një raketë anti-ajrore. Ky është testi i katërt i armëve në më pak se një muaj.
Testi i ditës së djeshme vjen disa ditë pasi Koreja e Veriut lëshoi një raketë të re hipersonike, e cila mendohet të ketë aftësi bërthamore. Testimi i raketës u bë nga akademia e mbrojtjes.
Përfaqësues nga kryeqyteti Pheniani thanë se armët janë të nevojshme për vetëmbrojtje, duke akuzuar SHBA dhe Korenë e Jugut për "standarde të dyfishta".
Testet e fundit po shihen si një shenjë e qartë se Koreja e Veriut nuk ka ndërmend të ngadalësojë prodhimin e armëve. Sipas lajmeve shtetërore KCNA, raketa e re kundërajrore tregoi performancë të jashtëzakonshme luftarake.
Testi i raketës erdhi një ditë pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un zgjati një degë ulliri drejt Jugut, duke thënë se ai donte të rivendoste një linjë telefonike vitale komunikimi mes tyre.