KORE-Pas muajsh ndërprerjeje Koreja e Veriut ka rivendosur linjat e komunikimit telefonik me Jugun. Ky veprim vjen disa ditë pasi lideri i vendit Kim Jong-un tha se ishte i gatshëm të rivendoste komunikimin si 'një degë ulliri' me kusht.
Sidoqoftë, Pheniani zyrtar tha gjithashtu se rivendosja e marrëdhënies së tyre varej nga "qëndrimi i autoriteteve të Koresë së Jugut".
Koreja e Veriut gjithashtu ka shtuar kohët e fundit testet e saj ushtarake. Ajo ka lëshuar katër raketa në më pak se një muaj - një shenjë se nuk ka ndërmend të ngadalësojë zhvillimin e armëve.
Të hënën në mëngjes, ministria e unifikimit e Koresë së Jugut tha se zyrtarët nga të dy Koretë shkëmbyen thirrjen e tyre të parë telefonike që nga gushti.
"Me restaurimin e linjës së komunikimit Jug-Veri, qeveria vlerëson se është siguruar një bazë për rimëkëmbjen e marrëdhënieve ndër-koreane," tha ministria në një deklaratë.
Linjat telefonike të komunikimit mes dy palëve janë prerë - dhe restauruar - disa herë. Në vitin 2020, pas një samiti të dështuar midis Veriut dhe Jugut, Pheniani hodhi në erë një zyrë kufitare ndër-koreane që ishte ndërtuar për të përmirësuar komunikimet.
Në të njëjtin vit, Koreja e Veriut ndërpreu të gjitha linjat e komunikimit me Jugun, duke përfshirë një linjë telefonike midis udhëheqësve dhe kanaleve të komunikimit ushtarak pasi tensionet u përkeqësuan.
Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut janë teknikisht ende në luftë, sepse asnjë marrëveshje paqeje nuk u arrit kur përfundoi Lufta Koreane në 1953.
Komente

