Policia e Seulit bastisi të enjten zyrat e Federatës Koreane të Futbollit (KFA), si pjesë e një hetimi për “pengim të veprimtarisë zyrtare” lidhur me emërimin e ish-trajnerit të dorëhequr Hong Myung-bo.
Hong u rikthye në krye të kombëtares së Koresë së Jugut në vitin 2024, pasi më parë e kishte drejtuar ekipin në periudhën 2013-2014.
Emërimi i tij u vu nën pikëpyetje pasi KFA ndërpreu një proces kërkimi disa mujor, ku ishin shqyrtuar edhe kandidatë të huaj dhe e emëroi Hong-un pas një takimi të shkurtër.
Çështja mori sërish vëmendje pas paraqitjes zhgënjyese të Koresë së Jugut në Kupën e Botës 2026, ku skuadra u eliminua që në fazën e grupeve.
Në një seancë dëgjimore parlamentare muajin e kaluar, Hong hodhi poshtë pretendimet e disa deputetëve se kishte përfituar trajtim të privilegjuar gjatë emërimit të tij, ndërsa mori përgjegjësinë për dështimin e kombëtares në turne.
Ministria e Sportit e Koresë së Jugut deklaroi në tetor 2024 se Federata kishte shkelur rregullat e veta gjatë emërimit të Hongut dhe ish-trajnerit Jurgen Klinsmann. Sipas ministrisë, takimi mes drejtorit teknik dhe Hongut nuk mund të konsiderohej një intervistë e rregullt për këtë post.
Megjithatë, ministria nuk gjeti prova për veprime të paligjshme dhe nuk kërkoi anulimin e kontratës së Hongut.
Policia kishte nisur hetimet edhe përpara Kupës së Botës, pas ankesave që pretendonin ndërhyrje të papërshtatshme në procesin e emërimit të Hongut.
Deri më tani, nuk është shpallur asnjë përfundim penal apo akuzë zyrtare ndaj Hong Myung-bo ose zyrtarëve të Federatës Koreane të Futbollit.








Komente
Komento