KORE E VERIUT - Agjencia shtetërore e Koresë së Veriut, KCNA ka përcjellë mesazhin e liderit Kim Jong-un, që ka lëshuar një urdhër për gjendje alarmi për të gjitha njësitë raketore, të gatshme për të nisur sulmin ajror me objektiv bazat amerikane në Paqësor si dhe kundër Koresë së Jugut.

“Ka ardhur moment, që të lajmë hesapet me SHBA-në” - thuhet më tej në deklaratë duke theksuar se ky veprim i Koresë së Veriut vjen si kundërpërgjigje e dërgimit të bombarduesve strategjikë “B-2 të Amerikës në rajonin koreano-jugor.

Gjithashtu stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut kanë zemëruar Penianin, i cili ka paralajmëruar se “lufta mund të shpërthejë në çdo moment”.

Ndërkohë Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel, ka thënë për mediat se vendimi për të dërguar dy bombarduesit B-2, në Korenë e Jugut, kishte të bënte me ushtrime përgatitore pasi këto provokime nga Korea e Veriut janë marrë shumë seriozisht dhe ne do të përgjigjemi", ka deklaruar Hagel.

Peniani ka ndërprerë të gjitha marrëveshjet e paqes pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën për ashpërsimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut, për shkak të zbatimit të testit të ri bërthamor në shkurt.

(ad.ti/l.ç/shqiptarja.com)