Sinjale “të koduara” nga Koreja e Veriut. Kim Jong-un mori pjesë në paradën ushtarake të Kongresit të Nëntë të Partisë së Punëtorëve, i shoqëruar nga vajza e tij Ju Ae, e cila tashmë shfaqet rregullisht në krah të tij. Ai i veshi asaj një pallto të zezë lëkure identike me të tijën – një veshje simbolike që Kim e përdor shpesh si “uniformë” të liderit suprem. Ky gjest ka forcuar dyshimet, të ngritura edhe nga inteligjenca e Koresë së Jugut, se Ju Ae mund të jetë zgjedhur si trashëgimtare e dinastisë Kim.

Nga ballkoni i pallatit që dominon Sheshin Kim Il Sung, ku 14 mijë ushtarë marshuan në paradë, Kim i tregonte vajzës repartet ushtarake, sikur po e përgatiste për rolin e komandantes së ardhshme të forcave të armatosura.

Ai e kaloi Ju Ae mbi tapetin e kuq përpara gjeneralëve të dekoruar, që ajo të merrte përshëndetjen e tyre. Sipas analistëve, ky ishte një gjest i menduar për t’i mësuar komandantët ta shohin si “Kim-in e katërt”, pra si udhëheqësen e ardhshme të Republikës Popullore Demokratike të Koresë (emri zyrtar i vendit). Edhe palltoja e zezë shihet si pjesë e kësaj strategjie simbolike.

Gjatë fjalimit, Kim la të hapur mundësinë për rikthim në negociata me Donald Trump. Ai deklaroi se, nëse SHBA heq dorë nga politika e përballjes dhe respekton statusin aktual të Koresë së Veriut, “nuk ka arsye pse të mos merremi vesh”.

Megjithatë, ai theksoi se vendi i tij e ka “çimentuar në mënyrë të pakthyeshme” statusin si fuqi bërthamore dhe do të rrisë numrin e kokave bërthamore dhe raketave për t’i përdorur ato. Sipas Stockholm International Peace Research Institute (SIPRI), Koreja e Veriut ka rreth 50 armë bërthamore dhe material për të ndërtuar edhe 40 të tjera.

Kim premtoi se në pesë vitet e ardhshme do të zhvillojë raketa të reja ndërkontinentale, sisteme sulmi me inteligjencë artificiale, dronë luftarakë dhe armë të afta për të goditur satelitë. Deri tani, programet ushtarake të Phenianit kanë përparuar sipas planeve të tij.

Megjithatë, në paradën e fundit nuk u shfaqën raketat dhe armatimet e rënda, siç ndodh zakonisht. Kjo mungesë mund të interpretohet si një shenjë “moderimi” në prag të një dialogu të mundshëm me SHBA-në. Kim dhe Trump janë takuar tri herë gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, por negociatat u ndërprenë në vitin 2019 në Hanoi, pasi Kim nuk pranoi çarmatimin bërthamor.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, Kim u afrua me Vladimir Putin, duke furnizuar Rusinë me municione dhe trupa. Kjo aleancë e re e ndihmon të zvogëlojë varësinë nga Kina. Në paradë, Kim mbërriti me një limuzinë Aurus të dhuruar nga Putini, ndërsa në rreshta u panë edhe ushtarë verikoreanë që kanë luftuar në krah të rusëve.

Trump pritet të vizitojë Pekinin nga 31 marsi deri më 2 prill dhe mund të zhvillojë një takim të ri me Kim. Presidenti amerikan nuk e përmendi Korenë e Veriut në fjalimin për gjendjen e Bashkimit, por Kim sinjalizoi se është i gatshëm për dialog, me kusht që SHBA të mos kërkojë heqjen dorë nga armët bërthamore.

Ndërkohë, çështja e trashëgimisë mbetet qendrore. Ju Ae, rreth 13–14 vjeç, shfaqet publikisht me të atin që nga fundi i vitit 2022. Ajo është parë në teste raketash, në festa ushtarake, në inspektime trupash dhe madje në Pekin, në një aktivitet të drejtuar nga Xi Jinping – një debutim ndërkombëtar.

Media shtetërore e ka quajtur “vajza e dashur” dhe “vajza e respektuar”, madje së fundmi “personalitet i madh udhëheqës”. Identiteti i saj u bë publik nga ish-basketbollisti amerikan Dennis Rodman, mik i Kim-it, i cili tregoi se e kishte takuar si fëmijë në vitin 2013.

Edhe pse Kim ka ndoshta një djalë, ai nuk është shfaqur publikisht. Kjo ka shtuar spekulimet se Ju Ae mund të jetë pasardhësja e zgjedhur. Megjithatë, ajo është ende shumë e re dhe Koreja e Veriut mbetet një regjim tradicionalisht mashkullor.

Kim Jong-un është vetëm 42 vjeç, por sipas vlerësimeve të inteligjencës perëndimore ka probleme shëndetësore si mbipesha dhe hipertensioni. Për momentin është herët të thuhet nëse Ju Ae do të bëhet një ditë liderja e katërt e dinastisë Kim, por shenjat publike tregojnë se po përgatitet gradualisht për një rol të tillë./ Corriere della Sera