Rritet numri i viktimave dhe të infektuarve në 24 orët e fundit në Itali, ulet i të shëruarve! Mbi 1 mijë viktima në SHBA! Mbi 4000 vdekje në Spanjë

Në 24 orët e fundit në Itali është rritur numri i viktimave, krahasuar me ditën e djeshme, po ashtu fatkeqësisht pas 4 ditëve ulje, edhe i të infektuarve, ndërsa i të shëruarve në 24 orët e fundit është ulur. Në 24 orët e fundit në Itali janë shënuar 712 të vdekur (dje ishin 683), 4492 më shumë persona të infektuar (dje ishin 3612), ndërsa të shëruar sot janë 999 (dje ishin 1036).

Pandemia e koronavirusit vazhdon të zgjerohet në Shtetet e Bashkuara. Viktimat e infeksionit  arritën në mbi 1000 kurse rastet pozitive janë rreth 70 000 nga të cilat mbi 30 mijë janë në shtetin e New York-ut, pothuajse gjysma e atyre në të gjitha Shtetet e Bashkuara. Numri i rasteve të koronavirusit në Kaliforni po dyfishohet çdo 3-4 ditë dhe trendi tregon se ende do vazhdojë të rritet. Rreth 40 milionë banorë janë detyruar të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen e virusit.  

Sidoqoftë, ekspertët e shëndetit publik thonë se mund të duhen deri në dy javë që të shihen rezultatet e këtyre kufizimeve. Presidenti Trump ka deklaruar se nuk ka ndërmend të kryej depistimin e popullsisë dhe se SHBA kanë bërë një punë shumë më të mirë se çdo vend tjetër në lidhje me testet e tamponit. Ai kundershtoi këshillat e OBSH dhe e akuzoi atë se ishte "shumë e orientuar në favor të Kinës".

Ndërkohë senati amerikan ka aprovuar ndihmën prej mbi 2 trilion dollarë, paketa më e madhe e ndihmës në histori për të mbështetur ekonominë amerikane e kërcënuar seriozisht nga emergjenca shëndetësore si edhe familjet dhe pas kësaj është shpërndarë deri më 20 prill. Sipas Ministrit të Thesarit Steven Mnuchin, paketa e ndihmës do të lejojë që ekonomia amerikane të qëndrojë në ekuilibër për të paktën tre muaj.

Ndërkohë super virologu i Shtëpise së Bardhe Anthony Fauci tha se koronavirusi mund të jetë sezonal ose ciklik dhe se për këtë arsye ai do të kthehet edhe nëse emergjenca aktuale tejkalohet.
Në anën tjetër të opeanit, në të gjithë territorin e Kinës për të dytën ditë radhazi, nuk u regjistruan infeksione të reja lokale të koronavirusit. Vendi ka numëruar vetëm 67 raste të reja, të gjitha të importuara, si dhe gjashtë vdekje të tjera të përqendruara në provincën e Hubei, epiqendra e pandemisë. 104 raste të tjera të koronavirusit janë raportuar në Korenë e Jugut duke sjellë numrin e përgjithshëm të infeksioneve në 9.241.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:54
Princat e vegjël të familjes mbretërore britanike duartrokasin për mjekët që po luftojnë koronavirusin (VIDEO)

Tre fëmijët e princit William dhe Kate Middelton kanë sjellë për të gjithë një video sensibilizuese.

Ata kanë duartrokitur për të gjithë mjekët infermierëet dhe vullnetarët që janë në vijën e parë të rrezikut për të shpëtuar të prekurit nga COVID-19.
 

“Për të gjithë mjekët, infermierët, kujdestarët, farmacistët, vullnetarët dhe stafi tjetër i NHS që punojnë pa u lodhur për të ndihmuar ata që preken nga COVID19, faleminderit”, kanë shkruar në postimin e tyre.

Tre pasardhësit e familjes mbretërore që kanë dalë  në video  janë princi George, 6 vjeç, princesha Charlotte, 4 vjeç dhe princi Louis,1vjeç.

Kujtojmë që princi Charles, gjyshi i tyre dhe djali i madh i mbretëreshës Elisabeth është diagnostikuar me COVID-19.

Ora 21:19
Kompania britanike do të prodhojë 15 mijë ventilatorë për personat në gjendje kritike nga COVID-19

1585254158_cnn.jpg

LONDËR- James Dyson projektoi një ventilator të ri në 10 ditë dhe tashmë  po bën 15,000 për luftën pandemike ndaj COVID-19.

Dyson ka marrë një urdhër nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për 10,000 ventilatorë në mbështetje të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit të vendit për të trajtuar pacientët me koronavirus.

"Një ventilator mbështet një pacient që nuk është më në gjendje të mirëmbajë rrugët e veta ajrore, por për fat të keq aktualisht ekziston një mungesë e konsiderueshme, si në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu edhe në vendet e tjera të botës", shkroi Dyson.

Dyson tha se kompania kishte projektuar dhe ndërtuar një ventilator krejtësisht të ri, të quajtur "CoVent", pasi ai mori një telefonatë 10 ditë më parë nga Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson.

"Kjo pajisje e re mund të prodhohet shpejt, me efikasitet dhe në vëllim", shtoi Dyson, duke thënë se ventilatori i ri është krijuar për të "adresuar nevojat specifike" të pacientëve me koronavirus.

Një zëdhënës për kompaninë, i cili njihet më së miri për fshesat e tij dhe tharësit e duarve, tha që ventilatorët do të ishin gati deri në fillim të prillit. 

Dyson, i cili ka pasuri në vlerë 10 miliardë dollarë sipas Bloomberg, shkroi në letrën e tij se gjithashtu do të dhuronte 5,000 njësi në përpjekjet ndërkombëtare për të trajtuar pandeminë.

"Sfida thelbësore ishte se si të hartohet dhe të ofrohet një produkt i ri, i sofistikuar mjekësor në vëllim dhe në një hapësirë ​​jashtëzakonisht të shkurtër kohe. Gara tani është duke u zhvilluar për ta prodhuar atë", u shpreh ai.

Mjekët në shumë pjesë të botës kanë probleme të mjaftueshme me furnizimet kritike, të tilla si maska, doreza dhe ventilatorë, për t'u marrë me fluksin e pacientëve që vuajnë nga koronavirusi.

Një firmë e dytë në Mbretërinë e Bashkuar, Gtech, po punon gjithashtu për të prodhuar ventilatorë dhe i ka dorëzuar qeverisë dy shembuj për vlerësim. 

Kompania është e specializuar në pastruesit mjetet e energjisë në kopësht.

Ora 19:42
Koronavirusi/ Kina rimëkëmbet, zhvillohet mini-maratona me rreth 20 mijë garues (VIDEO)

Kina ishte vendi i parë që u godit nga Covid-19, por pas gati tre muajsh po i kthehet normalitetit.

Ajo është rimëkëmbur, por mes shumë masash sigurie qytetarët I jan rikthyer jetës normale.

Përmes një videoje më 23 mars në qytetin Dujiangian është zhvilluar një mini-maratonë.

Më pak se 20 mijë garues kanë përshkruar rreth 6 km distancë.

Ora 18:15
Rritet numri i viktimave dhe të infektuarve në 24 orët e fundit në Itali, ulet i të shëruarve

1585246564_5e7cef04c055dtendenca.jpg
Në 24 orët e fundit në Itali janë shënuar 712 të vdekur, 4492 më shumë persona të infektuar, ndërsa të shëruar janë 999. Duke krahasuar shifrat, në raport me ditën e djeshme kemi të bëjmë me një rritje të numrit të viktimave, pasi dje u shënuan 683, ndërsa sot 712. Pas katër ditësh në ulje, sot është rritur edhe numri i të infektuarve duke shkuar në 4492, teksa dje ishin 3612 persona të prekur të rinj. Sa i përket numrit të të shëruarve është ulur, teksa dje ishin 1036, sot janë 999.

Në total bilanci nga koronavirusi në Itali
8215 viktima
10361 të shënuar
62013 të infektuar

Ora 16:45
Koronavirusi/Itali, në rritje numri i infeksioneve në jug. Ministri i shëndetësisë: shpresojmë që pandemia mos ta zgjerojë agresivitetin

Rajonet veriore të Italisë, më të prekurat nga koronavirusi, kanë parë këto katër ditë rënie në numrin e vdekjeve, por shqetësimet po rriten jug të vendit, ku në ditët e para të masave të marra nga qeveria italiane, pati një dyndje nga veriu i vendit.

Numrat e fundit nga rajoni verior i Lombardisë sugjerojnë se epidemia mund të ngadalësohet në epiqendrën e saj.

Por pjesët jugore të Italisë po dëshmojnë një rritje të numrit të vdekjeve, duke rritur frikën se nëse edhe jugu bëhet si veriu, shërbimi shëndetësor mund të kolapsohet.

Çfarë po ndodh në Italinë e Jugut?

Infeksioni dhe vdekjet janë rritur në numër në rajone të tilla si Campania rreth Napolit dhe Lazio në Romë, ku sistemi shëndetësor konsiderohet shumë më pak i përgatitur sesa në veriun e pasur. Deri më tani në Campania ka pasur rreth 1200 të infektuar, (98 më shumë se një ditë më parë) dhe 74 vdekje, kurse në Lazio janë regjistruar 95 viktima dhe 1900 të prekur, me një rritje në 24 orë prej 173 rastesh.

Në Basilicata numri i të prekurve nga Covid-19 është 113 (21 raste më shumë në 24 orë). Në Puglia janë regjistruar 1,093 të testuar pozitiv (88 më tepër se një ditë më parë) kurse në Calabria ka 351 raste të infketuar  (32 më shumë se raportimi i mëparshëm).

Ministri i shëndetësisë Roberto Speranza tha se shpresojmë që pandemia mos ta zgjerojë agresivitetin e saj në jug dhe përsëriti ftesën ndaj qytetarëve për të qëndruar në shtëpi, jo vetëm në veri por edhe në jug, në të gjithë Italinë.

Ora 16:02
Koronavirusi-OBSH: Në Europë ka shenja inkurajuese. Pandemia ende nuk e ka arritur kulmin

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) thotë se ka "shenja inkurajuese" në Europë në luftën kundër koronavirusit Sars-CoV-2.

"Megjithëse situata mbetet shumë serioze, ne kemi filluar të shohim shenja inkurajuese," tha Hans Kluge, drejtori i seksionit europian i Organizatës Botërore të Shëndetit.

"Në Itali numri i rasteve është ulur paksa, por është shumë herët të thuhet se pandemia ka arritur kulmin", shtoi Kluge.

OBSH vlerëson punën e mjekëve italianë

Michael Ryan, drejtori ekzekutiv i OBSH-së i programit të emergjencës EMS, shprehu admirim për mjekët italianë dhe i quajti ata heronj. Drejtori i përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus, nga ana tjetër vlerësoi angazhimin e bërë nga qeveria dhe qytetarët, duke theksuar se "Italia po bën gjithçka që është e mundur për të kufizuar përhapjen e koronavirusit".

Ghebreyesus tha se masat parandaluese të paraqitura në vende të ndryshme janë të dobishme në kufizimin e përhapjes së koronavirusit, por vetëm ato nuk janë të mjaftueshme për të ndaluar pandeminë.

Ora 15:32
Koronavirusi, 23 të vdekur dhe 820 të infektuar në Greqi, viktima edhe në Serbi

Në Greqi numri i viktimave nga koronavirusi ka shkuar në 23 ndërsa të infektuarit janë mbi 820 teksa në 24 orët e fundit janë regjistruar 78 raste të reja infeksioni. Sipas mediave greke nga 134 pacientë të shtruar në spital, 53 janë të intubuar. 

Në Serbi në 24 orët e fundit janë regjistruar 2 viktima nga koronavirusi kurse numri i përgjithshëm i të infektuarve është rritur në 382. Dy viktimat kanë qenë të moshës 80 dhe 62 vjeç me sëmundje të mbartura

Serbia ka shënuar edhe dy viktima nga koronavirusi vetëm në 24 orë. Ministria e Shëndetësisë që ka bërë të ditur lajmin ka thënë se bëhet fjalë për pacientë që kanë vuajtur nga sëmundje të ndryshme, njëkohësisht dhe njeri prej pacientëve ka qenë 80, kurse tjetra 62 vjeç.

Edhe në Kroaci janë regjistruar dy viktima teksa të infektuarit janë 481.

Në Slloveni të infektuarit me Covid-19 janë 528 kurse viktimat janë 5.

Turqia deri tani ka regjistruar 59 viktima dhe më shumë se 2400 të infektuar

Në Kosovë totali i të prekurve me koronavirus është 71 teksa është regjistruar edhe një viktimë

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 29 raste të reja me koronavirus, 20 në Shkup, 3 në Kumanovë, 3 në Veles, 2 në Prilep dhe 1 në Dibër për një total prej 177 personash.

Ora 15:02
Koronavirusi-Rumani, mbyllen dy spitale, shumë raste infeksione te personeli mjekësor

Numri i rasteve të konfirmuara me Covid-19 në Rumani ështe shumë se 1000, teksa në vend janë regjistruar edhe 17 viktima, 5 prej të cilave në spitalin Suceava.

Suceava është një nga dy spitalet që janë mbyllur ditët e fundit për shkak të rritjes së numrit të rasteve të konfirmuara të infektuar në mesin e personelit mjekësor.

Ministria e Shëndetësisë në Rumani mori vendimin drastik, por të pashmangshëm pasi 83 punonjës u testuan pozitivë.

Një histori pak a shumë të ngjashme pati edhe spitali ushtarak Focsani, ku një mjek, një infermiere dhe një duzinë pacientësh u testuan pozitive për virusin përpara se të shpallej mbyllja e tij.

Autoritetet po kryejnë protokollin për raste të tilla si dezinfektimin e ambjenteve dhe vendosjen e pajisjeve adekuate për të shmangur infeksionin.

Mendohet që në 48 orët e ardhshme dy spitalet do të jenë gati për të pritur pacientët e parë

Ora 14:47
Koronavirusi-Itali, rritet numri i të infektuarve në Lombardi, Administratori Fontana: Nuk di nëse na ka shpëtuar diçka

2.500 njerëz të tjerë në Rajonin italian të Lombardisë janë testuar dje pozitiv për koronavirusin. "Për fat të keq, numrat nuk janë shumë të bukur, numri i të infektuarve është rritur pak a shumë në krahasim me linjën e ditëve të kaluara", tha administratori i Rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana.

"Ne do të duhet të vlerësojmë - shtoi ai - nëse është një fakt i jashtëzakonshëm i përcaktuar nga ndonjë episod i veçantë apo nëse është një trend në rritje, i cili do të ishte pak i sikletshëm. Unë nuk e di nëse pandemia ka arritur kulmin e saj”.

"Ne jemi rajoni që kemi bërë numrin më të madh të testeve të tamponëve, laboratorët e Lombardisë aktualisht janë në gjendje të përpunojnë 5,000 teste në ditë me kapacitet të plotë dhe duhet që të na mundësohet përpunimi i më shumë testeve” – tha Fontana.

Italia është në rreshtin e parë në luftën kundër emergjencës së shkaktuar nga pandemia Covid-19 dhe ka nisur të shoh dritë në fund të tunelit teksa për katër ditë rresht ritmi i rritjes së rasteve të infeksionit është ngadalësuar por numri i viktimave mbetet ende i lartë.
Për autoritetet ky është një moment delikat ku nuk duhet ulur vigjilenca përndryshe kurba e infeksionit mund të rikthehej në ngritje dhe se qëllimi tani është ta stabilizojmë dhe ta zbresim.

Ora 14:27
Koronavirusi, Mario Draghi: Veproni menjëherë pa u shqetësuar për rritjen e borxhit publik

"Një tragjedi me përmasa biblike", kështu e quajti pandeminë ish presidenti i Bankës Qendrore Europiane Mario Draghi në një intervistë për ‘Financial Times’.

Qeveritë,- tha Draghi, duhet të mobilizojnë të gjitha burimet e disponueshme, pa marrë parasysh nëse kostoja është rritja e borxhit publik, sepse alternativa tjetër do të jetë "një shkatërrim i përhershëm i kapaciteteve prodhuese, ekonomisë në përgjithësi si dhe do të lëkundet besueshmëria e qeverisjes”.

Ai tha gjithashtu se duhet vepruar menjëherë, pa u hezituar për kostot e borxhit.

Draghi vlerësoi veprimet e ndërmarra deri më tani nga qeveritë evropiane, duke i quajtur ato "guximshme dhe të domosdoshme", por sipas tij, ato nuk janë të mjaftueshme sepse kostoja ekonomike do të jetë e madhe dhe e pashmangshme.

"Në radhë të parë, ne duhet t'i parandalojmë njerëzit të humbasin punën," rekomandon Draghi.

Ora 14:12
Koronavirusi, edhe Papa Françesku do t’i nënshtrohet testit të tamponit

Pas lajmit se një prift që jeton në Santa Marta, vendbanimi ku jeton edhe Papa Françesku, është testuar pozitiv për koronavirus, edhe Papa Françesku do t’i nënshtrohet testit të tamponit.  

Prifti italian i cili u testua me koronavirus është shtruar në spital në Columbus, institucioni i dytë shëndetësor për Covid-19 në Romë.

Më 3 Mars Selia e Shenjtë deklaroi se papa kishte një ftohje të lehtë pas lajmeve të përhapura se Françesku ishte testuar pozitiv, por ato u deklaruan të pavërteta nga Vatikani.

Ora 12:49
Koronavirusi, ‘tsunami’ në spitalet e Londrës. Tre anije të bllokuara në ujrat australiane. Mbi 39 mijë të infektuar në Gjermani

Spitalet publike në Londër po përballen me një "tsunami" të vazhdueshëm ndërsa numri i pacientëve të sëmurë rëndë nga infeksioni i koronavirusit është tejet i lartë dhe ndërsa ka shumë mjek të prekur nga koronavirusi.

Chris Hopson, një zyrtar i lartë në sistemin britanik shëndetësor ka deklaruar për BBC se 'spitalet në kryeqytetin britanik tani po përballen me "shpërthim" të madh përsa i përket numrit të "pacientëve të sëmurë rëndë", "një lloj tsunami i vazhdueshëm".

Tre anije në ujërat Australiane

Tre anije lundrimi janë bllokuar nga shteti Australian në perëndim të vendit pasi dyshohet se kanë në bord njerëz të infektuar. Njëra nga anijet është MSC Magnifica, kurse dy të tjerat Artania, me 800 pasagjerë në bord, kryesisht gjermanë (shtatë prej të cilëve janë pozitivë me Covid-19, dhe anija Vasco de Gama, me pak më shumë se 900 pasagjerë në bord.

Rusia ndalon fluturimet ndërkombëtare

Autoritetet në Rusi kanë  udhëzuar Agjencinë Federale të Transportit Ajror (Rosaviazia) që të ndalojë të gjitha fluturimet ndërkombëtare të planifikuara, si një masë për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Gjermani, mbi 39 mijë të infektuar

Sipas Institutit Robert Koch, rastet pozitive të koronavirusit në Gjermani u rritën në 39,502, 4954 më shumë se një ditë më parë, kurse numri i viktimave ka shkuar në 222.

Ora 12:27
Koronavirusi-Itali, Mjekët e familjes do përdorin ilaçe anti AIDS në trajtimin e pacientëve me Covid-19. Me rrezik përdorimi i Clorochinës

Drejtori i Agjencisë Italiane të Ilaçeve, Nicola Magrini ka deklaruar se së shpejti mjekët e familjes do kenë lejen që, për trajtimin e pacientëve me Covid-19 mund të përdorin ilaçe anti AIDS. Magrini gjithashtu tërhoqi vëmendjen se trajtimi me ilaçe të tjerë siç është ilaçi kundër malarjes, clorochina ka rreziqe dhe se është e domosdoshme të kihet kujdes përdorimi i tij në masë të madhe.

Magrini e quajti koronavirusin "një virus të keq por jo një virus shumë të keq, sepse Sars dhe Mers kishin një vdekshmëri shumë më të lartë. Ky është më serioz, si profil, sesa gripi sezonal, por nuk është virusi që të na terrorizojë".  Ai tha gjithashtu se: Procesi i zbulimit dhe vlefshmërisë së një ilaçi është i gjatë, të paktën dy vjet. Ekzistojnë disa prova që po kryen mbi disa ilaçe ekzistues dhe të njohur.

Një dritë e re shprese për luftën kundër koronavirusit vjen edhe nga Japonia, ku tashmë është provuar një ilaç, i cili mendohet se jep rezultate kundër pandemisë. Ilaçi tregtohet nën emrin komercial Avigan, me emërtimin shkencor Faripiravir, dhe konsiderohet si një mjet anti-virus farmaceutik, që po përdoret kundër formave të reja të viruseve gripale, të panjohura më parë. Avigan ka nisur tashmë të testohet edhe në disa spitale në Itali te pacientët e infektuar nga koronavirusi.

Disa ditë më parë Presidenti i SHBA, Donald Trump dha një shpresë të mirë për të gjithë të prekurit nga koronavirusi, kur ai deklaroi se një kombinim ilaçesh konkretisht 'hydroxychloroquine & azithromycin' janë efektive dhe se ky ilaç do të ndryshojë të gjithë historinë e mjekësisë.

Ora 10:50
Rrëfimi i infermieres në Torino: Pashë një vajzë duke i dhënë lamtumirën nënës së saj përmes telefonit

"Zonjë, le të tentojme të bëjmë një video thirrje me vajzën tuaj? Le të shohim nëse ajo do përgjigjet! ".

Dëgjohet tingulli i telefonit dhe në anën tjetër të kamerës, shfaqet imazhi i një vajze me sy të shndritshëm, e cila më në fund, pas ditëve të shtrimit në spital, sheh përsëri nënën në një shtrat spitalor, e rrethuar nga punonjës të shëndetit plotësisht të dërmuar ndërsa sinjalet bip të një monitori bien vazhdimisht.

Mbi kokën e zonjës së sëmurë një helmetë, frymëmarrje e vështirë dhe e munduar, lodhje për shkak të sëmundjes ... dhe nga ana tjetër dëgjohen fjalë të ëmbla dhe të trishtueshme, të lehta dhe të rënda në të njëjtën kohë: gjithmonë ke qenë nënë luftëtare, kurrë mos hiq dorë, ne jemi të gjithë me ty.

Askush besoj se nuk do donte ato që kam parë unë në ato pak çaste ndërsa virusi  i shkëputi asaj shpirtin nga trupi dhe në anën tjetër të telefonit dëgjoheshin thirrje dhe lutje zotit". - Kjo është shkruar në faqen e saj në facebook nga Noemi, një infermiere e kujdesit intensiv në spitalin Martini në Torino. Ajo thotë se ky virus nuk zgjedh. Për të nuk ka rëndësi mosha. Ai ndan lidhjet deri sa i shuan përgjithmonë. 'Të paktën sot na dëgjoni. Qëndroni në shtëpi. Po ju flasim ne që në ditë paqe keqtrajtohemi e në ditë lufte lavdërohemi. Bëni gjënë e duhur. Mos dilni nga shtëpia. Ai vret këdo që i del përpara'.

Ora 10:30
Koronavirusi/Itali, kreu i Mbrojtjes Civile është testuar negativ nga koronavirusi. Tre viktima të tjera në rradhët e bluzave të bardha

Në Itali, Kreu i Mbrojtjes Civile Angelo Borrelli është testuar negativ nga koronavirusi për testin e tamponit.

Njoftimi u bë nga Departamenti i Mbrojtjes Civile i cili njoftoi se Borrelli "aktualisht vazhdon të përjetojë një gjendje të butë gripi", por do të vazhdojë të punojë nga shtëpia, ndërsa mbetet në kontakt të vazhdueshëm me komitetin operativ dhe njësinë e krizave.

Dje në mëngjes Shefi i Departamentit të Mbrojtjes Civile Italiane, Angelo Borrelli, kishte patur simptoma të etheve dhe si masë paraprake iu nënshtrua testit të tamponit, dhe u larguar nga selia e Departamentit të Mbrojtjes Civile.

Ndërkohë lista e mjekëve që janë prekur nga koronavirusi dhe kanë rënë viktima prej epidemisë vazhdon të zgjatet teksa janë regjistruar edhe tre mjekë të vdekur duke e rritur numrin e viktimave mes bluzave të bardha në 36 kurse totali i të infektuarve nga rradhët e punonjësve të shëndetit ka shkuar në 6205.

Ora 09:25
Itali/ Conte rajoneve veriore: Po paguani çmimin më të lartë! Në prill 25 mld € për ekonominë dhe familjet

Koronavirusi nuk di të ndalet. Italia është në rreshtin e parë në luftën kundër emergjencës së shkaktuar nga pandemia Covid-19 dhe ka nisur të shoh dritë në fund të tunelit teksa për katër ditë rresht ritmi i rritjes së rasteve të infeksionit është ngadalësuar por numri i viktimave mbetet ende i lartë.

Për autoritetet ky është një moment delikat ku nuk duhet ulur vigjilenca përndryshe kurba e infeksionit mund të rikthehej në ngritje dhe se qëllimi tani është ta stabilizojmë dhe ta zbresim.
Duke folur në Dhomën e Parlamentit italian kryeministri Giuseppe Conte tha se "jemi duke luftuar me një armik të padukshëm dhe tinëzar që hyn në shtëpitë tona, na ka detyruar të ripërcaktojmë marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe na bën të dyshojmë në duart tona miqësore" dhe se "kjo është një situatë e pashembullt që nga Lufta e Dytë Botërore.

Conte tha gjithashtu se "përhapja e epidemisë ka shkaktuar një krizë të paparë që e ka vënë Italinë përball një prove të rëndë e cila ka patur gjithashtu ndikim negativ në ekonomi. Ai ka premtuar gjithashtu një tjetër injektim deri 25 miliardë euro në muajin prill për ti dhënë frymëmarrje ndërmarrjeve prodhuese.

Në një letër drejtuar administratorëve të rajoneve veriore të Italisë, Lombardi, Piemonte, Veneto dhe Emilia Romagna, më të goditurat nga koronavirusi, Conte shkruan se “është akoma herët të thuhet se kur vendi do të dalë nga kjo situatë. Masat e marra deri më tani me këshillën e komitetit teknik shkencor, kërkojnë edhe pak kohë para se të shpalosin efektet e tyre. Ajo që ne të gjithë duhet të bëjmë tani është të vazhdojmë të respektojmë rregullat, me durim, përgjegjësi dhe besim. Tani më shumë se kurrë duhet të qëndrojmë në shtëpi, një sakrificë minimale në krahasim me përpjekjet e jashtëzakonshme të shumë mjekëve dhe infermierëve çdo ditë në llogore, të cilët vënë në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar atë të të tjerëve”.

Ora 08:56
Koronavirusi, në Spanjë mbi 4000 viktima. OKB: Bashkëpunim i koordinuar kundër Covid-19

Situata në Spanjë vazhdon ende të përkeqësohet teksa numri i viktimave nga koronavirusi është rritur në mbi 4000 kurse numri i të infektuarve ka shkuar në rreth 50 mijë.

Raportohet se 655 vetë kanë humbur jetën nga koronavirusi në 24 orët e fundit.

Ekspertët i lexojnë këto shifra si një përshpejtim më i fortë se në Itali, si në aspektin e ritmit, ashtu edhe të shtrirjes gjeografike të pandemisë.

Në spitale mungojnë mjetet mbrojtëse dhe derti tani ka patur edhe 5,000 mjekë të infektuar.

Shqetësues në Spanjë mbetet fati i të moshuarve dhe Ministria e Shëndetësisë ka menduar që shtëpitë e të moshuarve mund t’i shndërrojë në qendra shëndetësore për të trajtuar të sëmurët pa i zhvendosur ata në spitale.

Qeveria Spanjolle ka votuar për zgjatjen e gjendjes aktuale të jashtëzakonshme deri më 12 Prill, ndërsa vendi vazhdon të përballet me një nga shpërthimet më të rënda të koronavirusit në botë.

Kryeministri Spanjoll Pedro Sánchez tha se vendimi është "një sakrificë e re për të gjithë", por thelbësore për të "blerë kohë" për të lejuar që spitalet të kujdesen për pacientët dhe për të zhvilluar një vaksinë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres ka deklaruar se bota është në një situatë lufte kundër koronavirusit dhe duhet të përballemi me të duke adoptuar një ekonomi lufte.

Ai tha se është e nevojshme që të gjithë të bashkohen në një mënyrë të koordinuar për të fituar luftën dhe bëri thirrjë për koordinim në nivelin e G20 për ekonominë.

"Ne sapo kemi botuar një plan, një plan reagimi për të përballuar më mirë Covid-19. E gjithë kjo është në një paketë prej 2 miliardë dollarë për të përmbushur plotësisht nevojat e më të prekurve nga epidemia në vendet në nevojë”.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale