Koronavirusi, deri tani 3,200 viktima, 93,129 të infektuar globalisht. Irani vendos lirimin e rreth 54 mijë të burgosurve për të parandaluar përhapjen

Koronavirusi, deri tani 3,200 viktima, 93,129 të infektuar globalisht. Irani vendos lirimin e rreth 54 mijë të burgosurve për të parandaluar përhapjen

Ka arritur në 93,129 numri global i të infektuarve nga koronavirusi, ndërsa 3,200 persona kanë humbur jetën teksa shpërthimi i COVID-19 vazhdon të përhapet në të gjithë globin. Po ashtu, sipas të dhënave të publikuara në hartën për shpërndarjen e koronavirusit global, 50,681 persona kanë arritur të rikuperohen pas infektimit me koronavirus në të gjithë botën.

Shpërthimi më i keq jashtë Kinës deri tani është në Korenë e Jugut dhe Iran. Në Korenë e Jugut deri tani janë raportuar më shumë se 5.300 raste dhe 32 vdekje. Ndërkaq, Irani -si një ndër vendet e tjera i dyshuar se mund të kthehet në një vatër të përhapjes së koronavirusit- njoftoi  ditën e djeshme se do të lirojë përkohësisht më shumë se 54 mijë të burgosur në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Vendi i Lindjes së Mesme deri tani ka shënuar mbi 2300 raste të virusit, 77 vdekje dhe 291 të rikuperuar.

Përhapja e virusit vdekjeprurës vijon edhe në SHBA. Më shumë se 120 raste janë shënuar deri tani, ndërsa 9 persona kanë humbur jetën. Të infektuarit janë raportuar në 13 shtete. Ndërkohë në Evropë, Spanja ka konfirmuar vdekjen e parë nga koronavirusi. Mësohet se, viktima kishte ndërruar jetë në 13 shkurt. Pas testimeve të bëra, është zbuluar se shkaku i vdekjes ishte koronavirusi. Spanja deri tani shënon 165 raste të të infektuarve dhe 2 persona të rikuperuar pas infektimit nga virusi.

Udhëheqësi teknik i Programit të Shëndetit të Emergjencave të Shëndetit, Dr. Maria Van Kerkhove tha të martën se OBSH kishte shqyrtuar të dhënat e Kinës, dhe besonte se rënia e vazhdueshme e rasteve të reja me koronaviruseve në vend që nga fundi i janarit ishte i vërtetë, ndërsa nuk tregoi arsyen.

Epidemia e koronavirusit po bëhet gjithnjë e më komplekse. Është një virus unik me karakteristika unike 'dhe për këtë arsye kriza "nuk mund të zgjidhet vetëm nga organizimi i autoriteteve të kujdesit shëndetësor dhe as nga një vend i vetëm, por kërkon bashkëpunim dhe koordinim global" – kështu tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit.

Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore, në Evropë, vetëm Italia regjistroi dje 27 vdekje të tjera duke e rritur totalin e viktimave në 79, ndërsa mbi 2 mije e 500 persona konfirmohen të infektuar dhe 160 të tjerë të shëruar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 06:59
Përhapja e koronavirusit, vendet e grupit G7 diskutojnë për masat kundër virusit COVID 19

1583301738_10A5A62A1BFC41539E0513FB5AB844C3cx0cy5cw0w1023r1s.jpg

Ministrat e financave nga Grupi i Shtatë ekonomive më të fuqishme në botë janë mbledhur për të diskutuar mbi masat ndaj shpërthimi të koronavirusit (COVID 19) që ka sjellë raste të infektimit në të paktën 70 vende.

Bisedimet e grupit G-7 vijnë në një kohë kur Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in kërkoi fonde në vendin e tij për furnizime mjekësore dhe për të ndihmuar bizneset e vogla që janë goditur rëndë për shkak se njerëzit po qëndrojnë në shtëpi nga frika e infektimit me virusin COVID 19.

Koreja e Jugut është një nga vendet më të goditura pas Kinës. Të martën Koreja e Jugut njoftoi se sipas të dhënave më të fundit në vend janë shënuar gati 5,000 raste infektimi.

"I gjithë vendi ka hyrë në luftë kundër kësaj sëmundjeje infektive," tha Presidenti Moon.

Irani është një tjetër vend nga ku virusi është përhapur në vendet e tjera përmes udhëtimit të të infektuarve. Ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë shkuar atje për të ndihmuar punonjësit lokalë të shëndetit për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Britania, Franca dhe Gjermania gjithashtu premtuan të dërgojnë furnizime mjekësore në Iran.

Kina ka parë një ulje të numrit të rasteve të reja, duke raportuar vetëm 125 raste të martën. Kjo është nga shifrat e saj më të ulëta të rasteve të reja në dy muajt e fundit.

Ngadalësimi i përhapjes së virusit COVID 19 në Kinë vjen në një kohë kur rastet e infektimit janë rritur në vende të tjera.

Shtetet e Bashkuara njoftuan katër vdekje të tjera nga virusi COVID 19 të hënën, duke e rritur numrin e përgjithshëm të vjekjeve në gjashtë dhe atë të infektuarve në rreth 100.

Në të gjithë botën, virusi ka infektuar 90,000 njerëz dhe ka shkaktuar vdekjen e 3,100 të tjerëve.

Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se fokusi i të gjitha vendeve duhet të jetë në përpjekjet për të vënë nën kontroll virusin.

"Jemi në një territor të paeksploruar," tha Tedros. "Asnjëherë nuk kemi parë një patogjen respirator që është i aftë të transmetohet në komunitete, por që gjithashtu mund të vihet nën kontroll me masat e duhura".

Përhapja e koronavirusit ka prekur njerëzit në të gjithë botën. Miliona nxënës japonezë nuk shkojnë në shkollë prej katër javësh; Izraelitët e infektuar u detyruan të votonin në zgjedhjet kombëtare të së hënës në vendvotime të posaçme; dhe mijëra turistë nuk mund të vizitojnë Luvrin në Paris, muzeu më i njohur i artit në botë.

Në Gjermani është e zakonshme që njerëzit të përshëndesin njëri-tjetrin me shtrëngime duarsh. Por kur kancelarja gjermane Angela Merkel u paraqit për një takim me grupet e imigrantëve, Ministri i Brendshëm Horst Seehofer nuk e shtrëngoi dorën e saj të shtrirë.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në Paris (OECD) paralajmëroi se ekonomia globale mund të tkurret në tre muajt e parë të vitit për herë të parë që nga recesioni i vitit 2008.

"Parashikimet globale ekonomike mbeten të ulta dhe shumë të pasigurta," tha kjo organizatë.

OECD uli parashikimin e saj të rritjes globale për vitin 2020 me gjysmë përqind, në 2.4%, që do të ishte rritja më e dobët që nga kulmi i krizës ekonomike të vitit 2008.

Industria amerikane e prodhimit u ngadalësua përsëri në shkurt, tha Instituti për Menaxhimin e Furnizimit, pasi zinxhiri global i furnizimit u ndikua nga shpërthimi i koronavirusit.

Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Donald Trump dhe ekipi i tij i punës për koronavirusin u takuan në Shtëpinë e Bardhë me drejtuesit e kompanive të mëdha të ilaçeve në lidhje me mundësinë e përparimit të punës për zhvillimin e një vaksine për koronavirusin. Industria e ilaçeve ka thënë që një kurë e tillë është deri 18 muaj larg.

Trump tha se përpjekjet e administratës së tij kanë kufizuar efektet e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara.

"Unë u kritikova nga demokratët kur mbylla vendin nga Kina shumë javë përpara se kjo të rekamandohej pothuajse nga të gjithë," tha ai. "Shpëtuam shumë jetë. Demokratët po punonin në procesin mashtrues të shkarkimit (të Presidentit). Ata nuk e kishin idenë se çka po ndodhte! Tani ata mbjellin frikë në mesin e njerëzve. Qetësohuni dhe tregohuni syhapur!"

Të mërkurën, zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara do të takohen me drejtuesit e kompanive ajrore dhe atyre të anijeve turistike për gjendjen e

vështirë të tyre të shkaktuara nga pakësimi i udhëtimeve për shkak të përhapjes së koronavirusit.

E hëna solli dy rastet e para të raportuara në Indonezi. Zyrtarët shëndetësorë atje thanë se të infektuarit kishin lidhje me një shtetas të infektuar japonez.

Italia ka qenë vendi më i goditur në Evropë dhe ka parë numrin e rasteve të saj të rritet në rreth 1.700 të Dielën. Zyrtarët atje thanë se ata prisnin që numri rasteve të rritet më tej.

OBSH thotë se shumica e pacientëve me koronavirus janë të rritur me simptoma që përfshijnë ethe, kollë të thatë dhe gulçim.

Organizata thotë se 80% e viktimave përjetojnë një nivel më të lehtë të sëmundjes; 14% përjetojnë sëmundje të rënda; dhe 5% e të infektuarve sëmuren në mënyrë kritike. OBSH thotë se ata që përjetojnë raste më të rënda janë njerëz të moshës mbi 60 vjeç dhe që kanë probleme të tjera shëndetësore./VOA

Ora 05:32
Koronavirusi, shkon në 77 numri i viktimave në Iran, qeveria njofton lirimin e 54,000 të burgosurve për parandalimin e përhapjes së COVID-19

1583297338_ea184d5d154445fd82968fe52dc75aa6.jpg

Një javë më parë, Irani kishte më pak se 100 raste të konfirmuara të koronavirusit. Të martën, autoritetet iraniane theksuan se numri i të infektuarve kishte arritur në 2.336, duke e bërë vendin e Lindjes së Mesme një nga më të prekurit në botë.

Ndërsa, 77 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi, deklaroi në një dalje publike në televizionin shtetëror- ditën e djeshme- Zëvendës Ministri i Shëndetësisë Alireza Raisi.

Situata e agravuar ka detyruar qeverinë iraniane të marrë masa duke lejuar lirimin përkohësisht të më shumë se 54,000 të burgosurve në një përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Përmes një deklarate, zëdhënësi i gjyqësorit, Gholamhossein Esmaili bëri me dije se “lirimi i të burgosurve është nën mbikëqyrjen e ministrisë së shëndetësisë të Iranit”, raporton agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve të Iranit, ISNA.

Rreth 23 ligjvënës të parlamentit të Iranit kanë rezultuar pozitivë pas testimit për koronavirus. Kjo do të thotë se deri tani rreth 8% e parlamentit janë të infektuar. Kreu i Parlamentit, Ali Larijani njoftoi të Premten e kaluar se seancat e parlamentit do të pezullohen deri në një njoftim të mëtejshëm.

Irani mori ndihmën e tij të parë për furnizimin me pajisje mjekësore nga Organizata Botërore e Shëndetësisë të hënën. Kjo përfshinte tetë ton kuti provash që do t'i lejojnë asaj të testojnë 100,000 njerëz, tha IRNA në një raport. OBSH dërgoi gjithashtu gjashtë ekipe të epidemiologëve, mjekëve dhe specialistëve në testet e laboratorëve.

Ndërkaq, vendet e huaja kanë filluar evakuuimin e qytetarëve të tyre nga Irani për shkak të virusit vdekjeprurës.  Emiratet e Bashkuara Arabe bën me dije këtë të hënë se janë duke evakuuar të gjithë qytetarët e saj nga Irani mes frikës së përhapjes së koronavirusit, njoftoi agjensia shtetërore e lajmeve WAM.

Ora 05:19
SHBA, Amazon konfirmon diagnostifikimin me koronavirus të një prej punonjësve të saj

1583296256_amazonprimeday.jpg

Amazon ka bërë me dije se një nga punonjësit e njërës prej bazave të saj, asaj në Seattle, është diagnostikuar me koronavirus.

Sipas një emaili dërguar anëtarëve të stafit në Seattle dhe Bellevue, Uashington, punonjësi i infektuar me koronavirus u sëmur më 25 shkurt dhe nuk është kthyer më në punë që nga ajo kohë.

Kompania tha se ka njoftuar drejtpërdrejt të gjithë bashkëpunëtorët që kishin qenë në kontakt të afërt me pacientin.

Vërtetësia e lajmit është konfirmuar për mediat nga një zëdhënës i Amazon konfirmoi, i cili shtoi se: "Ne po mbështesim punonjësin e prekur.”

Ora 03:52
Frika për përhapjen e koronavirusit, Marina e SHBA vendos vetë-karantinim të anijeve në Evropë

1583296336_httpscdn.cnn.comcnnnextdamassets191011111859usnavyfile190522.jpg

Flota e 6-të e marinës amerikane në Evropë po krijon një vetë-karantinim 14-ditor për shkak të shqetësimit mbi koronavirusin. Anijet do të qëndrojnë në det të hapur për të paktën 14 ditë para se të vizitojnë ndonjë port në Evropë për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Vetë-karantinimi është konfirmuar nga një zëdhënës i flotës së 6-të, i cili tha se:

"Në bashkëpunim me flotat e tjera, ne kemi krijuar një periudhë 14-ditore në vazhdim para se të vizitojmë portin për të monitoruar ekuipazhin", tha komandanti Kyle Raines.

Flota e 6-të është përgjegjëse për praninë e Marinës amerikane në Evropë, në Rusi dhe pothuajse në të gjithë Afrikën. Masa paraprake për të mbajtur anijen e saj në rajon për dy javë nuk ka ndikuar në aftësinë e Marinës për të kryer misionet e saj atje, raporton CNN.

Transportuesi amerikan i avionëve “USS Dwight D. Eisenhower” zhvilloi një ushtrim ndër-operacionaliteti me aeroplan-mbajtësen franceze “FS Charles de Gaulle” të martën në Detin Mesdhe. Ushtrimi përfshinte edhe zbarkimin e avionëve ushtarakë amerikan dhe francezë në anijet e njëri-tjetrit.

Vetë-karantina për Flotën e 6-të është vetëm hapi i fundit që Pentagon ka ndërmarrë për të mbrojtur anëtarët e tij të shërbimit nga virusi, i cili është përhapur globalisht në më shumë se 40 vende jashtë Kinës dhe ka prekur operacionet ushtarake amerikane në Azi, Lindjen e Mesme dhe Evropë.

Një stërvitje e ardhshme ushtarake me Korenë e Jugut është pezulluar për shkak të shqetësimeve për virusin. Dhe, javën e kaluar, Komanda e Indo-Paqësorit të ushtrisë amerikane, e cila mbikëqyr të gjitha trupat amerikane në rajon, kufizoi të gjitha udhëtimet jo të nevojëshme në Korenë e Jugut për gjithë anëtarët e shërbimit amerikan, kontraktorët dhe civilët e departamentit të mbrojtjes që shërbejnë si pjesë e komandës.

Komanda Qendrore e SHBA, e cila mbikëqyr forcat amerikane në Lindjen e Mesme, gjithashtu ka vendosur kufizime në lëvizjen e trupave amerikane atje. Në bazat ushtarake amerikane në Itali, hyrja në shkolla bazë, institucione për kujdesin e fëmijëve, palestra dhe ndërtesa të tjera publike është ndaluar përkohësisht dhe trupat po bllokojnë mundësinë e kufizimeve të ngjashme në bazat e tjera në Evropë.

"Ndikimi i përgjithshëm në ushtrinë e uniformuar të SH.B.A.-së është shumë, shumë minimal. Për të mos thënë që është zero”, u shpreh Gjeneral Mark Milley, kryetari i Shefave të Përgjithshëm të Shtabit, para gazetarëve në Pentagon të hënën.

"Komandantët janë duke marrë të gjitha masat e nevojshme, sepse kjo është unike për çdo situatë dhe çdo vend. Kështu që ne kemi dërguar memorandume dhe direktiva. Komandantët kanë informacionin e nevojshëm, dhe ne jemi duke u mbështetur në ta për t'i bërë gjykimin e duhur", shtoi Milley.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kafsha: 04/03/2020 08:41

    Eshte bere kaq bajat kjo puna e kesaj pune sa nuk komenton më njeri, bajat!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare