Dhe ndërsa kriza prej koronavirusit po ndikon fort në ekonominë kineze dhe jo vetëm, prej epidemisë humbjet financiare për linjat ajrore në të gjithë botën llogariten në 5 miliardë dollarë.
Kriza ka tronditur gjithashtu tregun e kapitalit në Kinë sikurse edhe atë në Wall Street, të shqetësuar gjithnjë e më shumë për ndikimin ekonomik të epidemisë së re të koronavirusit.
Shqetësimet për përhapjen e Covid-19 po shkaktojnë pasiguri të madhe në sektorin e turizmit. Anulimet dhe shtyrjet e prenotimeve, pas vendeve të Lindjes së Largët, kanë filluar gjithashtu të godasin vendet europiane, si Greqia dhe Italia.
Në Santorini, një nga ishujt grekë dhe destinacion i preferuar për shumë kinezë, ekziston një lloj efekti domino.
Anulimet e prenotimeve për muajt shkurt-mars arritën në 60-70% dhe ekziston frika se për muajin prill ato mund të arrijnë në 100%. Hotelierët thonë se shumë klientë pyesin nëse do ketë kinezë në hotel, dhe nëse përgjigja është po, ata tërheqin prenotimin.
Agjentët vendas vlerësojnë se humbjet në sektorin e turizmit do të kenë efekt zinxhir në të gjithë ekonominë greke.
Në këtë klimë pasigurie, shoqatat hoteliere greke dhe ato italiane i kanë kërkuar qeverisë të ndërhyjë në mbështetje të sektorit, për të zbutur humbjet dhe kanë ngritur alarmin për krizën që duket se po ndjehet gjithnjë e më afër.
Shoqata Kombëtare e hotelerisë italiane ka paralajmëruar se anulimet e fluturimeve mund të destabilizojnë akoma më shumë ekonominë. Vetëm në Venecia, kriza e zgjatur mund të kushtojë deri 4.5 miliardë euro.
Në Madrid, shumë kinezë kanë vendosur veten në karantinë vullnetare në atë që njihet si ‘chinatown’. Dyqanet janë mbyllur, rrugët gjysmë të shkreta, vetëm disa fenerë kanë mbetur në kujtesë të vitit të ri që shkoi.
Për momentin në Spanjë ka vetëm dy të infektuar në ishujt Balearik, por psikoza është shumë e lartë.
Lajmi kryesor: