Koronavirusi/ Kina shënon numrin më të ulët të të infektuarve në 24 orët e fundit, OBSH nën alarm: Shqetësimi ynë më i madh, shpërthimi i virusit në botë

Koronavirusi/ Kina shënon numrin më të ulët të të infektuarve në 24 orët e fundit, OBSH nën alarm: Shqetësimi ynë më i madh, shpërthimi i virusit në botë

Virusi vdekjeprurës, COVID-19 ka ulur ritmet e tij të përhapjes në Kinë, ndërsa 327 raste të reja raportohen në 24 orët e fundit. Sipas raportimeve, ka shkuar në 2,858 numri i viktimave në shkallë globale, ndërsa 83,386 persona janë konfirmuar të infektuar. Sipas të dhënave nga Autoritetet Shëndetësore, rreth 37 mijë persona janë rikuperuar pas infektimit me virusin.

Mirëpo, pavarësisht se ritmet e COVID-19 po ngadalësohen në Kinë, rreziku për përhapjen e tij në botë është gjithnjë e më i lartë, me raste të raportuara në çdo kontinent përveç Antarktidës.

Rastet e raportuara të virusit u konfirmuan në Spanjë, Francë, Nigeri dhe Emiratet e Bashkuara Arabe brenda natës, ndërsa shpërthimet në Korenë e Jugut, Itali dhe Iran vazhduan të përkeqësohen.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëroi këtë të enjte se “shpërthimi i koronavirusit në pjesën tjetër të botës, përbën shqetësimin më të madh".

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së tha se bashkësia ndërkombëtare ndodhet "në një pikë vendimtare" dhe se "nëse veprohet në mënyrë agresive tani, virusi mund të përmbahet, mund të parandalohet që të tjerë njerëz të sëmuren e të shpëtohen jetë", siç tha ai.

Autoritetet shëndetësore i frikësohen faktit se Koreja e Jugut dhe Italia rrezikojnë të kthehen në vatra të COVID-19, me ritmet që koronavirusi po ecën tani.

650 persona janë testuar pozitivisht për koronavirusin në Itali, thanë zyrtarët. Në të gjithë Evropën, të paktën 11 vende deri tani kanë konfirmuar raste të virusit, ku shumica prej pacientëve janë infektuar pasi kanë vizituar rajonin e Lombardisë, qendër e shpërthimit në Itali.

Po ashtu, Irani, i cili është në pararojë të krizës në Lindjen e Mesme, ka raportuar gjithsej 245 raste, dhe 26 vdekje. Ndërsa, Koreja e Jugut ka regjistruar deri tani 13 të vdekur, 334 raste të reja, dhe gjithsej 1.595 të infektuar deri tani.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:20
Frika nga koronavirusi, tregjet aziatike bien ndërsa COVID-19 vazhdon të përhapet në botë

1582871210_download.jpg

Tregjet e Azisë Paqësorit kanë pësuar rënie të Premten, ndërsa frika për përhapjen e koronavirusit ka nxitur një rënie të shitjeve globalisht.

Nikkei 225 e Japonisë ka bërë një rënie në më shumë se 3% të shitjeve. Kospi i Koresë së Jugut dhe S&P / ASX 200 i Australisë secili humbi më shumë se 2%.

Hang Seng i Hong Kong-ut dhe Shanghai Composite i Kinës gjithashtu ranë gati 2% secila.

Rënia në Azi pasoi një rënie historike në Shtetet e Bashkuara. Të tre indekset kryesorë të SH.B.A.-së ranë në territorin e korrigjimit të enjten, dhe S&P 500 shënoi ditën e saj më të keqe që nga viti 2011. Doë ra 1,191 pikë, ose 4.4% - rënia e tij më e keqe për një ditë në histori.

Ora 06:26
Itali, 650 persona të prekur nga COVID-19, OBSH: Përhapja e virusit jashtë Kinës përbën shqetësimin tonë më të madh

1582871504_1CD01543CFE140F8A632F40EEACCFB63cx0cy3cw0w1023r1s.jpg

Autoritetet italiane njoftuan të enjten se ka arritur në 650 numri i personave të prekur nga koronavirusi, COVID-19. Angelo Borrelli, shefi i Mbrojtjes Civile në Itali, tha se shumë prej persona të infektuar, po mjekohen në shtëpi, në izolim dhe se gjendja e tyre shëndetësore është "relativisht e mirë" siç tha ai.

Zoti Borrelli tha gjithashtu se në rajonin e Lombardisë janë regjistruar tre vdekje të tjera, të gjithë pacientë mbi moshën 80 vjeç. Me rënien e numrit të turistëve dhe mes panikut në rritje, Italia po ndryshon mënyrën se si po raporton rastet me koronavirus dhe se kush do të testohet.

OBSH e shqetësuar mbi përhapjen e koronavirusit jashtë territorit kinez

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëroi të enjten se shpërthimi i koronavirusit të ri jashtë Kinës përbën tashmë "shqetësimin më të madh". Ndërsa është raportuar një rënie e numrit të rasteve të reja në Kinë për të ditën dytë me radhë, Tedros Adhanom Ghebreyesus u tha gazetarëve në konferencën e tij të përditshme në Gjenevë se: "’ajo që po ndodh në pjesën tjetër të botës, përbën shqetësimin tonë më të madh".

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së tha se bashkësia ndërkombëtare ndodhet "në një pikë vendimtare" dhe se "nëse veprohet në mënyrë agresive tani, virusi mund të përmbahet, mund të parandalohet që të tjerë njerëz të sëmuren e të shpëtohen jetë", siç tha ai.

Ndërkohë zyrtarët e shëndetit publik në të gjithë botën janë përqendruar në marrjen e masave për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19) që ka infektuar të paktën 82,000 vetë në më shumë se 40 vende, që nga momenti i shfaqjes në Kinë në fund të muajit dhjetor.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë pezulluar stërvitjet e përbashkëta ushtarake. Uashingtoni lëshoi një paralajmërim të ri lidhur me udhëtimet duke këshilluar qytetarët amerikanë që të shmangin vizitat në Korenë e Jugut, vend që ka raportuar më shumë raste deri më tani pas Kinës. Autoritetet në Korenë e Jugut njoftuan të enjten 505 raste të tjera, që e çuan totalin e personave të prekur nga virusi në 1.766 vetë.

Kryeministri japonez Shinzo Abe bëri thirrje për mbyllje të shkollave për disa javë. Gjithashtu u bë thirrje që njerëzit të shmangin tubimet e mëdha për anulim të ngjarjeve sportive ose zhvillimit të tyre pa spektatorë në një përpjekje për të parandaluar përhapjen e virusit. Japonia ka njoftuar rreth 200 raste, pa llogaritur më shumë se 700 të tjera që ndodhen në një anije kruz e futur prej javësh në karantinë në Jokohama.

Kryeministri Australian Scott Morrison njoftoi se qeveria e tij ka nisur zbatimin e një plani urgjent si reagim ndaj asaj që ai tha se ishte "kujdes i gjerë", por që lidhet dhe me frikën se përhapja e virusit mund të shdërrohet në pandemi.

"Bazuar në këshillat e ekspertëve, ekziston çdo tregues që bota së shpejti do të hyjë në fazën e pandemisë", tha zoti Morrison.

Presidenti i Francës Emmanuel Macron vizitoi të enjten një spital në Paris, ku këtë javë një person humbi jetën si pasojë e virusit. Ai shprehu mbështetje për punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Në Gjenevë, komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet paralajmëroi kundër diskriminimit të lidhur me virusin.

"Epidemia e koronavirusit ka nxitur një valë shqetësuese paragjykimesh ndaj atyre personave me përkatësi etnike kineze apo që vijnë nga lindja e Azisë. U bëj thirrje shteteve anëtare të bëjnë çmos për të luftuar këtë dhe format e tjera të diskriminimit", tha ai.

Në Shtetet e Bashkuara është përhapur një tjetër shqetësim lidhur me një rast të mundshëm të prekjes nga virusi të një personi që nuk ka histori të njohur udhëtimesh në një vend me shpërthim të vazhdueshëm të epidemisë apo kontakte me dikë që dihet se është i infektuar. Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e njoftuan këtë rast të mërkurën dhe bëhet fjalë për një person në shtetin e Kalifornisë.

Presidenti Donald Trump zhvilloi një konferencë shtypi të mërkurën vonë duke shprehur besim në gatishmërinë e qeverisë së tij për t'iu përgjigjur situatës. Vëmendja lidhur me situatën është zhvendosur nga Kina në vende të tjera. Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se qeveritë duhet të vazhdojnë të jenë vigjilente edhe nëse shohin një ulje të rasteve. Ai theksoi zgjerimin "thellësisht shqetësues" të situatës në Itali dhe Iran, të cilat kanë qenë të lidhura me rastet që përhapen në vendet e tjera.

Ndërkohë, Danimarka raportoi rastin e saj të parë të enjten, bëhej fjalë për një person që ishte kthyer nga një udhëtim në Itali. Kjo pason rastin e parë të raportuar në Brazil, i pari në Amerikën Latine, që gjithashtu përfshinte një person që kishte vizituar Italinë. Disa nga vendet e tjera që hyjnë në listën e atyre me raste të konfirmuara janë Rumania, Greqia, Norvegjia dhe Pakistani.

Arabia Saudite, e cila nuk ka raportuar ndonjë infeksion me koronavirus, njoftoi se ka ndaluar hyrjen në vend të pelegrinëve të huaj të cilët vijnë për të vizituar vendet e shenjta të islamit./VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja