Rritet numri i viktimave dhe të infektuarve, ulen të shëruarit në 24 orët e fundit në Itali/ Trump i jep 100 mln $ Romës

Një tjetër ditë e zezë për Italinë fqinje. Në 24 orët e fundit në Itali janë shënuar 837 viktima, 2107 të prekur dhe 1109 të shëruar. Bilanci i azhornuar i Universitetit Johns Hopkins për pandeminë nga Covid-19 në botë tregon se numri i përgjithshëm i të infektuarve është mbi 786 mijë kurse numri i vdekjeve  ka shkuar në mbi 37 000 kurse të shëruarit janë më shumë se 166 mijë.

Dhjetë vendet më të prekura nga pandemia janë Shtetet e Bashkuara të ndjekura nga Italia. Kina, Spanja, Gjermania, Franca, Irani, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Hollanda. Zgjerimi i pandemisë në botë ende vazhdon. Rastet e prekurve nga koronavirusi në Europë tejkaluan shifrën e 400 mijë, dhe shumica e rreth 37 mijë vdekjeve të përgjishme që janë regjistruar në botë i përkasin territorit të kontinentit të vjetër.

Në SHBA numri i të prekurve është rreth 165 mijë kurse numri i viktimave është rritur në rreth 3200. Në epiqendrën e epidemisë në New York, numri i infeksioneve është në rritje, me 253 viktima në 24 orët e kaluara. Në Francë epidemia po zgjerohet në pjesën jugore të vendit. Totali i të prekurve nga infeksioni i Covid-19 ka shkuar në rreth 45 500 kurse viktimat numërohen në më shumë se 3000.

Në Gjermania, ku kancelarja Angela Merkel u testua negative në testin e tretë për Covid-19, numri i rasteve dhe vdekjeve mbetet një mister (rreth 67 mijë të infektuar dhe 645 viktima) Spanja ka regjistruar një rënie të lehtë të numrit të vdekjeve. Numri total i të infektuarve në vend është 88 mijë për një total prej më shumë se 7700 viktimash. Britania e Madhe e vonuar në marrjen e masave drastike në përballje të pandemisë numëron rreth 22 500 të infektuar dhe mbi 1400 viktima.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:47
Studimi amerikan: COVID-19 mund të përhapet edhe përmes ajrit

1585687817_shba.jpg

Sipas një studimi të Universitetit të Nebraskës në SHBA, koronavirusi mund të përhapet edhe nëpërmjet ajrit.

Shkencëtarët amerikanë gjetën nivele të larta të COVID-19 në ajrin e dhomave ku kanë qenë të shtruar pacientët me koronavirus, shumë ditë pasi ata ishin larguar nga spitali.

Gjithashtu, gjurmë të koronavirusit u zbuluan edhe në korridoret e spitalit. Këto gjetje, sipas kërkuesve shkencorë të Universitetit të Nebraskës, tregojnë rëndësinë e veshjeve mbrojtëse për mjekët dhe infermierët.

Ky studim thekson se sëmundja nuk përhapet vetëm me piklat e pështymës dhe tështimës.

Gjithashtu, përfundimet e tij sugjerojnë që njerëzit mund të preken nga koronavirusi edhe pa qëndruar pranë personave të infektuar.

Ora 22:28
COVID-19 i merr jetën gazetares së njohur amerikane, Maria Mercader

1585686579_GAZETARE.jpg

 

Gazetarja e njohur amerikane  Maria Mercader ndërroi jetë në Nju Jork pasi kishte vite që luftonte kundër një kanceri, por infektimi me COVID-19 e përkeqësoi shëndetin e saj.

Gazetarja dhe producentja 54-vjecare ishte një nga personazhet më të dashur për gjigantin mediatik CBS, ku kishte  punuar për rreth 30 vjet.

Për CBS ajo ndoqi disa nga evenimentet më të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, si vdekja e princeshës Diana dhe atentatet e 11 shtatorit.

Mercader fitoi çmimin prestigjioz Emmy për një reportazh mbi mashtrimet në Internet.

Ora 21:46
Studiuesit gjermanë krijojnë mënyrën efikase që mund të rrisë numrin e testeve në ditë

1585255029_1585158255koronavirus11024x577660x330.jpg

Shkencëtarët gjermanë kanë zhvilluar një metodë të testimit të koronavirusit që mund të rrisë dhjetëfishin e kapacitetit të testimit.

Shkencëtarët gjermanë kanë zhvilluar një metodë që mund të rrisë ndjeshëm aftësinë për të testuar koronavirusin, sipas Ministrisë së Shkencës së Shtetit Gjerman të Hessen.

Metoda e re lejon që disa mostra të vlerësohen menjëherë, shkruajti Ministria në një njoftim për shtyp, duke shtuar se kjo do të lejojë një rritje të aftësisë së provës në Gjermani nga rreth 40 mijë teste në ditë në rreth 200 mijë në 400 mijë teste në ditë pa ndonjë humbje të cilësisë në diagnostikim. 

Normalisht, tamponët e ndryshëm të marrë gjatë testeve nga zona e gojës dhe hundës, të gjitha vlerësohen veçmas.

Me metodën e re, shkencëtarët vendosën disa nga sondat në një zgjidhje të vetme, të veçantë dhe i testojnë ato me të ashtuquajturën metodë PCR, e cila direkt zbulon gjenomin SARS-CoV-2.

Nëse rezultati i përgjithshëm është negativ, atëherë është e qartë se shtupat e ndara janë të gjitha negative, nëse rezultati është pozitiv, atëherë të gjitha shtupat duhet të vlerësohen veçmas.

Ora 21:34
Cilat janë vendet e paprekura ende nga koronavirusi

1529998151_antarktide.jpg

Koronavirusi është përhapur pothuajse në të gjithë botën, por ka edhe vende të cilat akoma nuk janë prekur.

Ishulli tropikal i Palaut në veri të Oqeanit Paqësor është shumë larg ishujve të tjerë dhe ende nuk ka njohur një rast me COVID-19.

Gjithësesi, vendi ka marrë masa shtrënguese dhe supermarketet po zbrazen nga banorët e frikësuar.

Ishuj të tjerë pa koronavirus janë Samoa, Tonga, Mikronezia, Ishujt Solomon dhe Ishujt Marshall.

Edhe në 4 baza në Antarktidë, janë rreth 90 njerëz që mund të hanë ende darkë së bashku dhe të përdorin palestrën.

Një vend tjetër që ende nuk ka regjistruar raste me COVID-19 është Turkmenistani.

Ora 19:36
Fytyrat e shpresës në Itali, gjyshja 102-vjeçare dhe vogëlushi 6-muajsh mundin koronavirusin

Një djalë i vogël 6-muajsh dhe një gjyshe 102-vjeçare janë shëruar nga koronavirusi, duke u kthyer  në fytyrat e shpresës në Itali të kthyer në epiqendrën e koronavirusit në Evropë.

Leonardo është një djalë vetëm gjashtë muajsh i cili së fundmi është kthyer në shtëpinë e tij në komunën e Corbetta-s, pasi fitoi betejen me 50 ditore me Covid-19.

Ndërsa, Grondona, është një gjyshe 102-vjeçare nga Xhenova, e cila arriti që të mposhte koronavirusin edhe pse ndodhet në grup-moshën më të rrezikuar.

Leonardo është quajtur nga Marco “si fytyra e mrekullueshme e shpresës” ndërsa e falenderoi vogëlushin që u bë shkak për pak gëzim në rajon.

Nga ana tjetër 102-vjeçares mjekët i janë referuar si “gruaja e pavdekshme” e cila i vuri vetes qëllim që të shërohet për njerëzit që do më shumë.

Kujtojmë që të martën brenda 24 orëve është rritur numri I bviktimave dhe të infektuarve në Itali dhe është ulur numri l të shëruarve.

Ora 18:15
Rritet numri i viktimave dhe të infektuarve, ulen të shëruarit në 24 orët e fundit në Itali

1585671352_spitali.jpg

Një tjetër ditë e zezë për Italinë fqinje. Në 24 orët e fundit në Itali janë shënuar 837 viktima, 2107 të prekur dhe 1109 të shëruar. Vdekjet janë rritur në krahasim me ditën e djeshme, pasi të hënën ishin 812, ndërsa sot 837, ndërsa në total 12428. Po ashtu edhe numri i të infektuarve është rritur në 24 orët e fundit. Dje ishin 1648 të infektuar, ndërsa në 24 orët e fundit 2107  të prekur. Bilanci negativ i ditës së sotme prek edhe të shëruarit, pasi nga 1590 që u shënuan dje, sot janë rikuperuar vetëm 1109. Në total janë shëruar në Itali 15729 persona.

Ora 16:43
Koronavirusi, vdes nga infeksioni foshnja në New York. Largohet nga spitali në Turqi, humb jetën në shtëpi pacienti me Covid-19

New York-u ka regjistruar sot vdekjen e një fëmije i infektuar nga koronavirusi ndërsa numri i të vdekurve në të gjithë shtetin tejkalon shifrën 1.300. Autoritetet njoftuan se foshnja kishte sëmundje para-ekzistuese.

Në Kaliforni, një djalë 17 vjeçar që vdiq i infektuar nga koronavirusi në shtëpi, më parë ishte refuzuar shtrimi në spital sepse nuk kishte sigurim shëndetësor.

New York-u është epiqendra e infeksioneve koronavirus në të gjithë Shtetet e Bashkuara, me mbi 40% të të gjitha vdekjeve. Shumica e pacientëve janë nën 50 vjeç.

Në SHBA, numri i të identifikuarve me Covid-19 është mbi 164 700 kurse viktimat numërohen në rreth 3180

Turqi, largohet nga spitali dhe vdes

Një burrë 74-vjeçar që ishte testuar pozitiv me Covid-19 vdiq në Turqi pasi u largua nga spitali, ku ishte shtruar për disa orë. Ngjarja ndodhi në Tokat, në Anadollin verior. Sipas njoftimeve të mediave lokale, burri u gjet I vdekur në shtëpinë e tij pas largimit nga spitali.

Ora 16:29
Koronavirusi-Spanjë, dekreti i qeverisë: Ndalohen ceremonitë e varrimit, lejohet pjesëmarrja e vetëm tre personave

Ndërsa në Spanjë në 24 orët e kaluara janë regjistruar 849 vdekje kurse numri I të infektuarve në vetëm një ditë ishte rreth 9000, nga sot autoritetet kanë ndaluar ceremonitë e varrimit dhe ka kufizuar në tre numrin e të afërmve që mund të jenë të pranishëm.

Sipas dekretit qeveritar, "Funeralet fetare ose ceremonitë e varrimit janë të ndaluara deri në fund të gjendjes së jashtëzakonshme", e cila parashikon masa sociale deri më 11 prill. Tre personat që lejohen të marrin pjesë në varrim apo krematorium "duhet të respektojnë një distancë minimale nga një deri në dy metra midis tyre", saktëson dekreti.

Qeveria e gatshme të fillojë me masat ekonomike

Ndërkohë, qeveria spanjolle po punon për të aprovuar disa masa të mbështetjes ekonomike. Plani parashikon ndihmë për ata që nuk mund të paguajnë qiranë, me kredi me normë zero. Po studiohet gjithashtu një shtyrje e pagesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore për punëtorë të vetëpunësuar dhe disa ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

Ora 15:49
OBSH: Pandemia stabilizohet në Itali dhe Spanjë. Instituti i Lartë i Shëndetit: Kurba e infeksioneve në pllajë, masat po funksionojnë

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë lajmin e mirë se pandemia e koronavirusit në Itali dhe Spanjë pritet të stabilizohet së shpejti.

Megjithatë ekspertët paralajmërojnë se për t’i reduktuar rastet drejt zeros autoritet shëndetësore duhet të dyfishojnë përpjekjet, pasi virusi nuk do të zhduket vetë.

“Ne shpresojmë se pandemia është drejt stabilizimit në Itali dhe Spanjë. Por çështja është se si do të kalohet nga stabilizimi drejt reduktimit të rasteve me Covid-19 deri në zero. Për të ulur shifrat, kërkohet dyfishim i përpjekjeve të shëndetësisë publike pasi virusi nuk do të zhduket vetë. Ai duhet të sulmohet, dhe pikërisht tek kjo duhet të fokusohen tani vendet”, tha eksperti i OBSH, Mark Ryan.

Qeveria italiane njoftoi se izolimi do të zgjasë të paktën deri për Pashkë, e më pas nëse numri i të sëmurëve do të vazhdojë të bie, do të vlerësohet një rihapje e mundshme graduale.

Presidenti i Institutit të lartë të shëndetit në Itali, Silvio Brusaferro tha se "Kurba e infeksionit na tregon se po arrijmë një lloj pllaje dhe se masat e marra nga qeveria Conte po funksionojnë. Brusaferro përsëriti se në Itali "ka zona me qarkullim më të lartë, qarkullim të ndërmjetëm dhe numër të kufizuar të rasteve nga koronavirusi.

Ora 14:54
Koronavirusi-Studimi, në Itali u parandaluan 38,000 vdekje falë mbylljes totale

Masat e marra nga qeveria italiane për të luftuar përhapjen e koronavirusit kanë shpëtuar jetën e 38 mijë njerëzve.

Vlerësimi është bërë nga ekipi i ‘Imperial College’ në Londër i udhëhequr nga Neil Ferguson dhe Samir Bhatt kurse studimi doli në dritë nga Qendra Bashkëpunuese e OBSH-së për Modelimin e Sëmundjeve Infektive.

Analiza e studiuesve vlerëson ndikimin ndërhyrjeve të miratuara në 11 vende evropiane - përfshirë Italinë - për të luftuar pandeminë e koronavirusit, përfshirë mbylljet e shkollave, mbylljen e fabrikave dhe zyrave, aktiviteteve tregtare si dhe masa e izolime të tjera

Në detaje, këto masa kanë shpëtuar në Spanjë jetët e rreth 16,000 personave dhe rreth 370 në Mbretërinë e Bashkuar. Në total në 11 vende europiane janë shmangur vdekjet e rreth 120,000 personave.

Ora 14:09
Koronavirusi, Rusia dhe Koreja e Jugut, dënime me burg për ata që nuk respektojnë rregullat e karantinës dhe të vetëizolimit

Koreja e Jugut, merret si shembull për tu ndjekur në luftën kundër përhapjes së koronavirusit.

Pavarësisht uljes së numrit të rasteve të reja, masat e marra nga qeveria janë shtrënguar ndjeshëm sepse autoritetet i druhen një shpërthimi të dytë pandemik. Kështu, kush nuk respekton rregullat e karantinës dhe të vetëizolimit rrezikon deri në 1 vit burg ose gjobë 8200 dollarë. Kjo sipas ligjit të ri të miratuar për emergjencat e koronavirusit që hyn në fuqi më 5 prill.

Kujtojmë se Covid-19 në Korenë e Jugut shpërtheu në të njëjtën kohë më Italinë , pra dikur rreth datës 21 shkurt, por ndryshe nga fqinjë tanë, Koreja arriti ta kontrollojë virusin dhe t’i shpëtojë kolapsit.

Vendi arriti të ndalojë përhapjen e koronavirusit në 7,5 milionë banorë me masa si testimi masiv, gjurmimi i kontakteve, distancimi social, higjena personale, dhe veshjet mbrojtëse. Afro 20 mijë njerëz testohen çdo ditë për koronavirus në Korenë e Jugut, më shumë njerëz për frymë se kudo tjetër në botë.

Ligjvënësit rusë kanë miratuar legjislacionin që i lejon kryeministrit rus, Mikhail Mishustin, që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, teksa ky shtet ka regjistruar rritje prej 27 përqind të rasteve të konfirmuara me koronavirus brenda një dite.

Deputetët kanë miratuar edhe dënim me burg deri në pesë vjet për ata persona që “me qëllim” shpërndajnë informacion të rremë dhe deri në shtatë vjet burgim për personat që shkelin rregullat e higjinës apo masën e karantinës.

Miratimi i këtij dokumenti vjen në kohën kur të dhënat e zyrtarëve shëndetësorë tregojnë se brenda 24 orëve në Rusi është raportuar për 500 persona të infektuar apo 2,337 persona në total.

Ora 12:32
Koronavirusi, në mesditë Italia u ndal për 1 minutë, flamuj në gjysmë shtize dhe heshtje zie

Sot për Italinë ishte dita e zisë.

Si një haraç për të vdekurit, sot në orën 12:00 të gjitha bashkitë e Italisë në shenjë zie kanë ulur në gjysmë shtizë flamurin tri ngjyrësh dhe kanë mbajtur një minutë heshtje, një mënyrë kjo për të kujtuar viktimat e koronavirusit si dhe për të nderuar sakrificën dhe angazhimin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor.

Edhe Selia e Shenjtë në shenjë solidariteti me Italinë, uli në gjysmë shtizë flamurin deh mbajti zi për të shprehur afërsinë e saj me viktimat e pandemisë në Itali dhe në botë, për familjet e tyre dhe për ata që bujarisht luftojnë për t'i dhënë fund asaj.

Flamuri u ul edhe në ndërtesën e qeverisë, në Quirinale si dhe në fasadën e Parlamentit. Nismës iu bashkuan edhe mjaftë nga mediat kryesore në Itali.

Deri tani në Itali numri i të prekurve nga pandemia është mbi 101 700 kurse numri i viktimave ka shkuar në 11 591.

Vendi fqinjë me Shqipërinë po lufton me të gjitha forcat për të frenuar përhapjen e infeksionit dhe zgjerimin e epidemisë në rajonet jugore të vendit. Zonat më të goditura nga Covid-19 janë kryesisht rajonet në veri të Italisë.

Ora 11:56
Koronavirusi, Spanja me thuajse 9 mijë raste të reja në 24 orë. Në Belgjikë, 12 vjeçarja viktima më e re nga Covid-19

Spanja ka arritur një rekord të ri teksa në 24 orët e fundit ka regjistruar rreth 9 të testuar pozitiv me Covid-19 për një total prej rreth 88 mijë raste të identifikuar të infektuar kurse numri i viktimave ka shkuar në mbi 7700, por vendit ka regjistruar një rënie të lehtë të numrit të vdekjeve.

Ndërsa në tërësi sistemi shëndetësorë në vend po përballet me mungesa të theksuara të mjeteve mbrojtëse dhe deri tani në rradhët e bluzave të bardha ka rreth 13 mijë të infektuar, Presidenti amerikan Trump ka premtuar se veç Italisë do të dërgojë edhe në Spanjë ndihma me pajisje spitalore

Në Belgjikë është regjistruar vitkima më e re nga koronavirusi, një vajze 12 vjeçare. Pak ditë më parë në Europë pati edhe dy viktima të tjera në moshë fare të re, një 16 vjeçare në Francë dhe një 14 vjeçare në Portugali.

Sipas OBSH në Kinë pati mbi 2143 raste të fëmijëve të infektuar nën moshën 18 vjeç. Rreth gjysma e tyre kishin simptoma të buta, të tilla si ethe, lodhje dhe kollë. Më shumë se një e treta, rreth 39 përqind, u shtruan në spital me probleme te mushkërive por pa vështirësi në frymëmarrje dhe vetëm 4 përqind nuk kishin simptoma.

Në Belgjikë deri tani numërohet rreth 12 mijë të infektuar nga koronavirusi dhe 513 viktima.

Ora 10:10
Koronavirusi-Itali, autoriteti i OBSH: Harrojini plazhet, koncertet dhe aperitivët. Qeveria Conte po mendon për rihapje të pjesshme pas Pashkëve

Pas të dhënave të djeshme të Mbrojtjes Civile të cilat treguan se pati për të disatën ditë me rradhë një rënie të numrit të të infektuarve nga koronavirusi, për të ngrirë shpresat e italianëve për një rikuperim të shpejtë të gjendjes së rëndë dhe çlirimit nga izolimi, ka menduar këshilltari i Ministrit të Shëndetësisë dhe anëtar i bordit ekzekutiv të OBSH,  Walter Ricciardi i cili është shprehur se me shumë mundësi duhet të harrojmë plazhet, koncertet dhe aperitivët, "derisa të kemi gjetur një terapi ose vaksinë kundër Covid-19".

Nga grupi i shkencëtarëve pranë qeverisë është hedhur poshtë edhe hipoteza se për grupmosha të caktuara dhe për gratë (më pak të ekspozuara sesa burrat ndaj virusit) mund të kishte masa çliruese nga izolimi pasi ata i konsiderojnë opsionet jo shkencore.

Më parë, presidenti i Këshillit të Lartë të Shëndetit, Franco Locatelli ka deklaruar se “Ata që, pasi i janë nënshtruar testeve serologjike, që mund të kenë kontraktuar tashmë virusin dhe për këtë arsye janë imunizuar për disa muaj të paktën nga rreziku për t’u ri-infektuar, edhe mund të kthehen në punë. Por për momentin nuk do të ketë asnjë vendim.

Kryeministri italian Giuseppe Conte do të lëshojë një dekret të ri në orët e ardhshme për të zgjatur bllokimin deri pas Pashkëve. Risia e dekretit të ri duket se do të jetë që vendimet e mëtejshme do t'i besohen prefektëve të rajoneve, të cilët do të vlerësojnë se cilat masa mund të zbuten apo të shtrëngohen për të garantuar distancimin shoqëror dhe ruajtjen e zinxhirit të furnizimit të kompanive prodhuese.

Për Institutin e Lartë të Shëndetit në Itali, vendi është afër fazës në të cilën numri i infeksioneve do mbetet i qëndrueshme për një periudhë të caktuar, duke dëshmuar se masat e kontrollit për të frenuar pandeminë po funksionojnë. Gjithashtu në këtë këndvështrim, qeveria po mendon për një rihapje të pjesshme pas Pashkëve, por me shumë masa kufizuese që do të mbesin të paktën deri në fillim të majit.

Ora 09:46
Covid-19, Europa nuk është homogjene as në llogaritjen e vdekjeve nga koronavirusi


Leximi i numrave të pandemisë në zhvillim nuk është homogjen për të gjitha vendet, duke marrë parasysh kriteret jo-homogjene të statistikave të lëshuara nga organet zyrtare të shteteve të ndryshme. Statistikat që ndryshojnë edhe në Europë, kanë krijuar shumë perceptime që me siguri nuk korrespondojnë me realitetin.

Të dhëna të vërtetuara nga Universiteti i Oxford-it dhe hijet kineze

Sipas të dhënave të siguruara nga Qendra për Mjekësi të Bazuara në Provë, të vërtetuar nga Universiteti i Oksfordit, nivelet e vdekshmërisë në botë  janë si më poshtë: Italia: 11.03% - Spanjë: 8.38% - Mbretëria e Bashkuar: 6.29% - Francë: 6.16% - Kinë: 4.05% - Shtetet e Bashkuara: 1.77% - Gjermani: 0.79%.

Të dhëna që mbeten shumë të diskutueshme janë ato në Kinë me vetëm 3298 vdekje zyrtare teksa mijëra njerëz po radhiten para zyrave të "Funeral Parlor", objektet e kremmimit, në Wuhan për të mbledhur urnët me hirin e të dashurve të tyre të vdekur nga epidemia e koronavirusit. Kjo dëshmi vërteton se të flasësh për nivelin e vdekshmërisë nga koronavirusi mbetet një gjë shumë e pasigurt, mbase që kurrë nuk do të ketë të dhëna të vërteta. Fakti që Kina ishte e para që donte të bashkonte vdekjet e çdo shkaku në të njëjtin kazan, nuk lejon kurrë një analizë të saktë të shkallës së vërtetë të vdekshmërisë që ka qenë në Hubei.

Statistikat në Europë

Ndërsa në Itali - deri më datë 30 Mars ka rreth 11 590 vdekje, duhet thënë se Instituti i Lartë i Shëndetit ofron një lexim të hollësishëm epidemiologjik. Sidoqoftë, vëzhguesit tregojnë se faktori që përkeqëson shkallën e vdekshmërisë në Itali është i lidhur me moshën e popullsisë së saj. Italia ka popullsinë më të vjetër në Europë, me rreth 23% të banorëve të moshës 65 vjeç e lart.

Rasti i Spanjës

Në Spanjë, sipas zyrtarëve shëndetësorë nga komunitetet autonome, njerëzit që vdesin në shtëpi me 3 shenjat bazë të infeksionit dhe që nuk janë ekzaminuar nuk llogariten.

Ora 09:24
Covid-19-Britania e Madhe, teatrot dhe sallat e konferencave shndërrohen në spitale. Ishulli nxiton për teste tamponi

Ishulli britanik tani, me 22 500 të infektuar nga koronavirusi, nga të cilët  9000 të shtruar në spital dhe 1400 vdekje, duket se është në telashe dhe sistemi shëndetësorë po vuan.

Autoritetet pohojnë se janë duke u shfrytëzuar edhe teatrot për ti përshtatur në salla spitalore dhe se janë gjithashtu duke u ngritur 2 spitale fushorë në terren.

Një qendër konferencash në Londër gjithashtu është konvertuar në spital me 4000 shtretër për pacientë me Covid-19. Dy simotra të tilla po përdoren si salla spitalore në Birmingham dhe Manchester.

Ndërkohë, kryeministri dhe ministri i shëndetësisë, pozitivë për koronavirus dhe që ndodhen në izolim, vazhdojnë të punojnë nga shtëpia për të menaxhuar emergjencën shëndetësore.

I karantinuar në Downing Street, Boris Johnson ditët e fundit i kapluar nga kritikat për nënvlerësimin që ai i bëri epidemisë, tha se përsa i testeve të tamponit ato janë kryer në rreth 10 mijë në ditë dhe se synimi është që të bëhen 25 mijë së shpejti. Por pavarësisht dëshirës së kryeministrit, kapacitet aktualisht janë të pasigurt në Mbreterinë e Bashkuar.

Ora 09:08
Koronavirusi-Itali, parashikimet e ekspertëve: Në muajin maj infeksionet bëhen zero. Dalje graduale nga izolimi

Në Itali, për të dalë nga karantina e pafund për shkak të pandemisë nga Covid-19 është pothuajse e sigurtë se do të flitet në muajin maj. Në takimin e fundit të komitetit tekniko-shkencor që mbështet qeverinë u theksua se të dhënat e dala nga Mbrojtja Civile janë akoma shumë teorike dhe se numra mbi të cilët do të bazohen hapat e mëtejshëm do të arrijnë brenda dy javësh.

Kryeministri Giuseppe Conte është shprehur se “Nëse Italia në situatën pandemike është në pikën e kthesës, këtë do ta thonë dy ose tre ditët e ardhshme, por për herë të parë numrat e epidemisë janë zvogëluar qartë dhe pa ekuivoke.

Nga llogaritjet statistikore e të publikuara nga Instituti për Ekonomi dhe Financa Einaudi, bazuar në shifrat e dhënat çdo ditë nga Mbrojtja Civile, thuhet se në periudhën midis 5 dhe 15 maj mund të shohim zerim të rasteve të koronavirusit në Itali.

Për autoritetet e shëndetësisë, kthimi në normalitet do të jetë gradual, se po shkohet në drejtimin e duhur dhe se nuk duhet të ndryshohet strategjia.

Sipas Këshillit të Lartë të Shëndetësisë, procesi i rikthimit në normalitet nuk do të jetë nga asgjëja në gjithçka, por do të jetë gradual dhe se qëllimi është që të parandalohen shpërthime të mëtejshme të epidemive në rajone te tjera të vendit.

Një studim nga SHBA i revistës shkencore "Harvard Business Review" lavdëron vendimin për ta vënë gjithë vendin në izolim por edhe thekson se masat në përgjigje të emergjencës duhej të mos ishin graduale por totalisht të menjëhershme.

Ora 08:46
Koronavirusi, Presidenti Donald Trump: 100 milion dollarë ndihma mjekësore Italisë

Gjatë një konference për shtyp presidenti amerikan Donald Trump ka premtuar se do te dërgohen si ndihma në Itali për të luftuar koronavirusin 100 milion dollarë mjete dhe produkte të kujdesit shëndetësor duke përfshirë edhe pajisje të reja dhe të shpejta  testimi të prodhuara nga Abbott.

President Trump dhe kryeministri italian Conte me parë kishin patur një bisedë telefonike.

Në Itali "po kalojnë një kohë të vështirë", pranoi Trump, duke theksuar se Conte ishte "shumë i lumtur" me ndihmën e SHBA. Kryeministri Conte kishte raportuar përmes Tëitter për bisedën e tij "të gjatë dhe miqësore" me Trump, duke shprehur "mirënjohje për solidaritetin dhe mbështetjen e miqve amerikanë".

Për Trump, piku i infeksioneve në SH.B.A. do të jetë brenda dy javësh. "30 ditët e ardhshme do të jenë jetike," tha ai, duke iu referuar zgjatjes së masave për distancimin shoqëror deri në fund të prillit dhe duke u bërë thirrje njerëzve të respektojnë rregullat sepse vetëm kështu  "do të bëjmë të mundur shpëtimin e një milion jetëve". "E ardhmja është në duart tuaja", tha Trump duke iu drejtuar amerikanëve.

Amerika është e gatshme që pas stinë së verës të përballet me një valë të re të mundshme të rasteve me Covid-19 - tha virologu emrikan Anthony Fauci i cili ditë më parë kishte deklaruar mundësinë e rikthimit të virusit në vjeshtë.

Në SHBA numri i të prekurve është rreth 165 mijë kurse numri i viktimave është rritur në rreth 3200. Në epiqendrën e epidemisë në New York, numri i infeksioneve është në rritje, me 253 viktima në 24 orët e kaluara.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave