Italia konfirmon uljen e kurbës, 542 viktima dhe 2099 të shëruar në 24 orë! 1939 vdekje në një ditë në SHBA! OBSH: Mos lehtësoni masat e izolimit (VIDEO)

Në të gjithë botën janë regjistruar mbi 80,000 vdekje nga infeksioni i koronavirusit kurse numri i përgjithshëm i rasteve të testuar pozitiv me Covid-19 është mbi pragun e 1 413 000.

Në 24 orët e fundit në SHBA u regjistrua rekordi me 1939 vdekje për një total prej mbi 12 700 gjysma e të cilave janë në New York.

Numri i përgjithshëm i të prekurve nga koronavirusi është rreth 387 000 por presidenti amerikan Donald Trump sheh shenja shprese përkundër ditëve shumë të dhimbshme.

Trump pranon gjendjen e vështirë që po kalon New York dhe New Jersey por ka deklaruar se së shpejti kurba e infeksionit do ulet.

"Ne do ta mposhtim virusin," siguroi manjati, "strategjia jonë po funksionon". "Vende të tjera," vazhdoi ai, "në të vërtetë kanë më shumë raste koronavirusi sesa kanë raportuar, ata ose mashtrojnë ose gabojnë".

Ndërkohë sipas mediave amerikane mësohet se këshilltari amerikan i tregtisë, Peter Navarro, kishte ngritur alarmin mbi koronavirusin që në fund të janarit, në memorandumet drejtuar Presidentit amerikan, Donald Trump, por kishte mbetur i padëgjuar.

Mediat kanë botuar edhe dokumentin në të cilin ai kërkontd ndalimin e udhëtimeve për dhe nga Kina si dhe masa kontrolli agresive.

Më pak se një muaj më vonë, përsëri me shkrim, ai kishte paralajmëruar se mund të shperthente një pandemi prej koronavirusit e cila kishte të ngjarë të shkaktonte mbi 1.2 milion vdekje.

Nga ana e tij Trump ka sulmuar sërish OBSH se ka dhënë me vonesë alarmin e rrezikut dhe  për përgjigjen e dobët të saj ndaj pandemisë si dhe ka pezulluar fondet për të. Edhe herë të tjera Trump e ka akuzuar si pro kineze.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:13
Covid-19/Itali-Konfirmohet ulja e kurbës, 542 viktima dhe 2099 të shëruar në 24 orët e fundit

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 542 viktima, 62 më pak se një ditë më parë ndërsa dje ishin 604 të vdekur, për një total prej 1766 viktimash që nga fillimi i epidemisë.                   

Sot është rritur me shifra rekord edhe numri i të shëruarve, 2099 në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin në mbi 26 mijë.

Numri i të infektuar të rinj në 24 orët e fundit është 3836 për një total prej 139 442 të prekurish që nga fillimi i epidemisë

Autoritetet e shëndetësisë në vend thonë se edhe nëse shifrat do vazhdojnë të bien shpejt, koronavirusi do mbetet mes popullatës dhe se duhet të zbatohen me rigorozitet masat e distancimit shoqëror sepse çdo relaksim mund të nënkuptojë një rifillim të qarkullimit të koronavirusit.

Ora 17:54
Koronavirusi-Britania e Madhe, 936 viktima në 24 orë

Në Britaninë e Madhe në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 936 persona nga infeksioni I koronavirusit, duke e çuar numrin total të viktimave në 7095.

Ky është një tjetër rekord negativ sa i përket viktimave në një ditë, duke e thelluar krizën epidemike, ndërkohë që numri i të infektuarve ka shkuar në mbi 55 mijë. “NHS England” konfirmoi 828 njerëz të vdekur në spitalet e saj, të moshës midis 22 dhe 103 vjeç.

Skocia, ku ka patur 77 vdekje të tjera, diagnostikoi 336 infeksione të reja në 24 orët e kaluara. Uellsi njoftoi 284 teste pozitive dhe 33 vdekje. Pesë vdekje të tjera u regjistruan në Irlandën Veriore.

Ora 16:49
Covid-19-Itali, Çfarë parashikon Faza 2? Detajet e zbutjes së masave të izolimit

Një rimëkëmbje e ngadaltë dhe graduale ajo që po planifikon qeveria italiane për kalimin në fazën 2 të emergjencës nga epidemia e koronavirusit.

4 maji vazhdon të jetë e mundshme për rihapjen e disa bizneseve. Sigurisht, distanca sociale do të mbetet në fuqi, si dhe pajisjet mbrojtëse të detyrueshme për ata që kanë kontakte me publikun.

Në përgjithësi, për kompanitë që do të jenë në gjendje të fillojnë punë, puna në distancë do të jetë e këshillueshme për ata sektor ku është e mundur kurse për ata që punojnë nëpër zyra do ketë numër të limituar punonjësish si dhe është e këshillueshme ndarja e punës në turne.

Në dyqane apo supermarkete do duhet të jetë e siguruar gjithmonë distanca, duke mbajtur rradhë si dhe parashikohet detyrimi për të mbajtur doreza dhe maska për punëtorët që kanë kontakte me publikun.

Në qendrat estetike, duke ruajtur distancën e lejuar, nuk do të ketë më shumë se dy klientë

Ka të ngjarë të ketë kufizime të vogla shtesë për kategoritë e rrezikut, të moshuarit, të sëmurët dhe studentët (të cilët nuk ka gjasa të kthehen në shkollë para shtatorit).

Të paktën për momentin, rihapja e kopshteve, shkollave dhe universiteteve duke e pamundur. Mos hapja e tyre do të thotë rreth 12 milion jerëz më pak në rrugë, tetë e gjysmë milion studentë, një milion mësues staf plus prindër.

Gjithashtu mendohet se nëse situata epidemiologjike konfirmon ende trendin zbritës në numrat e grafikut të epidemisë do të rifillojë lëvizja e reduktuar dhe njerëzit do të dalin nga shtëpitë por me shumë masa paraprake pasi koronavirusi ende nuk është mposhtur dhe duhet pritur të paktën mesi i muajit maj.

Për autoritetet është e kuptueshme se sa më shumë kohë të kalojë aq më shumë është e vështirë mbajtja e njerëzve në shtëpi siç u dëshmua në fundjavë ku u vendosën rreth 10 mijë gjoba për thyerje të masave izoluese, dhe duket se për të pirë një kafe në një bar apo për të ngrënë me miqtë në një restorant do duhet pritur akoma

Në ditët në vijim, pritet një fjalim i ri i Kryeministrit Giuseppe Conte për qytetarët ku ai do të shpallë dekretin e ri me për masat e adoptuara dhe zgjatjen e mëtejshme të ndalimeve të udhëtimit.

Ora 16:10
Britanikët nuk i rezistojnë kohës së ngrohtë, dynden nëpër parqe e bregdet (FOTO)

Ngrohja e kohës e ka bërë më të vështirë qëndrimin në izolim të shumë personave në të gjithë botën.

Pavarësisht masave të marra nga shumë shtete për të ngadalësuar përhapjen e COVID-19, ato përsëri nuk zbatohen.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një prej vendeve me numrin e lartë të të infektuarve qytetarët nuk I kanë rrezistuar diellit dhe kanë dalë nëpër parqe e bregdet për të shjuar temperaturat më të larta se zakonisht.

Distancimi social është një prej masave më të rëndësishme, por që nuk po zbatohet ashtu sic duhet në shumë vende.

Ora 15:36
Koronavirusi-OBSH: Nuk është koha për të hequr masat izoluese, përkundrazi të trefishohen përpjekjet!

Ndërsa disa vende në Europë po përgatiten të heqin masat e izolimit në situatën e pandemisë që ka përfshirë botën, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin dhe ka paralajmëruar se heqja e masave është e gabuar.

Hans Henri P. Kluge, drejtor rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetit tha se "Kjo nuk është koha për të lehtësuar masat, përkundrazi duhet të dyfishojmë dhe trefishojmë përpjekjet tona" për të mposhtur koronavirusin.

Kluge tha gjithashtu se "Shenjat pozitive të regjistruara në disa vende" nuk janë ende fitore”.

Zyrtari I OBSH e quajti situatën në kontinent ende "shumë shqetësuese" dhe tha se infeksionet vazhdojnë të rriten, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara në botë në rreth 1 milion e 500 mijë për një total viktimash prej 83 424 kurse në Europë janë regjistruar deri sot në mëngjes 687.236 kurse numri i viktimave ka shkuar në 52.824.

Ora 15:12
Koronavirusi, Papa Françesku: Shenjtorët e vërtetë janë mjekët. Fjalimet populiste si ato të Hitlerit

Papa Françesku ka dhënë sot një intervistë për gazetarin britanik Austen Ivereigh. Duke folur për situatën e krijuar në botë nga pandemia e koronavirusit, Papa tha se "Disa qeveri kanë ndërmarrë masa shembullore, me përparësi të përcaktuara mirë, për të mbrojtur popullsinë në situatën e pandemisë prej koronavirusit.

Në këtë situatë të vështirë që po kalon bota, mendoj se shenjtorët e vërtetë janë mjekët dhe jo fetarët. Sa shumë mjekë dhe infermierë kanë vdekur! Sa priftërinj kanë vdekur! Sa fetarë kanë vdekur!

Papa Francesco duke folur për sfidat që po kalon njerëzimi tha gjithashtu se “na pëlqen apo jo ta themi, bota sot është e strukturuar rreth ekonomisë. Në botën financiare, duket se sakrifica është normale. Njerëzit e pastrehë mbeten të pastrehë. Ditë më parë pashë një fotografi të Las Vegas që disa njerëz të varfër po karantinoheshin në një parking ndërkohë që hotelet ishin bosh, por të pastrehët  nuk mund të shkojë në hotel. Sot askush nuk flet për përmbytjet. Nuk e di nëse kjo është hakmarrje e natyrës por sigurisht që është një lloj përgjigje prej saj. Më bëri përshtypje festimi i 70-vjetorit të zbarkimit në Normandi. Kishte shumë figura të politikës që morën pjesë në atë eveniment por askush nuk u kujtua për 10,000 djemtë që dhanë jetën në atë plazh. Sot, në Europë, kur dëgjojmë fjalime populiste nuk është e vështirë të kujtojmë fjalimet e Hitlerit në vitin1933, pak a shumë e njëjta gjë që bëjnë disa politikanë sot. Unë jam i shqetësuar për hipokrizinë e disa figurave politike që thonë se duan të përballen me krizën, që flasin për urinë në botë duke prodhuar armë. Tani shoh shenja fillestare të konvertimit në një ekonomi më pak të dëmshme dhe më humane. Ka ardhur koha ta rekuperojmë natyrën. Të varfërve duhet tju kthejmë dinjitetin. Nuk mund ti trajtojmë ata si kafshë të braktisura”.

Ora 14:40
Covid-19, ‘Pacienti 1’ në Itali mund koronavirusin, humbet të atin dhe fiton Giulian

Mattia, të cilin në Itali të gjithë e njohin si ‘pacienti 1’ i epidemisë nga koronavirusi dhe që doli nga spitali pasi qëndroi aty për rreth 1 muaj, është bërë baba.

Gruaja e tij Valentina, e cila si ai ishte infektuar dhe ishte shtruar në spital në muajin e tetë të shtatëzanisë, doli nga spitali përpara se të shërohej Mattia dhe lindi vajzë, Giulia, fëmija e parë e bashkëshortëve.

Mattia ,38-vjeçari nga Codogno, i cili më 20 shkurt u klasifikua si i infektuari i parë në Itali, doli nga spitali San Matteo në Pavia pas shumë ditësh në kujdes intensive.

Ai u infektua pasi pasi kishte takuar një mikun e tij i cili sapo ishte kthyer nga Kina, ndërkohë që pa e ditur në ditët në vazhdim ai infektoi edhe disa të tjerë.

Gjatë shtrimit në spital ai mësoi për vdekjen e babait të tij, edhe ai viktimë e Covid-19. Menjëherë pasi u shërua dhe doli nga spitali, Mattia tha se ‘E vetmja dëshirë që kam është të marr pjesë në lindjen e vajzës time. Mjekët më kanë siguuar që do të jem”.

Ora 13:08
Koronavirusi/Itali, rritet në 95 numri i viktimve në rradhët e bluzave të bardha

Numri i mjekëve që kanë vdekur nga epidemia Covid-19 është rritur sot në 95, teksa I fundit që humbi betejën me infeksionin ishte mjeku i familjes Giuseppe Vasta.

Që nga fillimi i epidemisë, në Itali kanë vdekur 26 infermierë dhe janë infektuar 6549 prej tyre, 1049 më shumë se një javë më parë.

Sipas autoriteteve edhe në rradhët e farmacistëve ka patur 6 viktima për shkak të Covid-19.

Në total, sipas të dhënave të Istitutit të Lartë të Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i të infektuarve në rradhët e mjekëve të infektuar në Itali është 12.681

Në Itali totali i të prekurve nga koronavirusi është 13 5586 kurse numri i viktimave ka shkuar në 17 127.

Ora 12:29
Koronavirusi, më shumë se 100,000 të infektuar dhe 2000 viktima në Gjermani

Në Gjermani ka më shumë se 103 mijë persona të identifikuar pozitiv me Covid-19 kurse numri I viktimave nga infeksioni është rritur në 1861.

Në 24 orët e fundit në vend u regjistruan 4003 raste të reja të koronavirusit dhe 254 viktima.

Shumë ekspertë thonë se norma relativisht e ulët e vdekjeve në Gjermani mund të jetë rezultat i testimeve të shumta.

Gjermania kryen rreth 350,000 teste në javë, shumë më shumë se çdo vend tjetër evropian.

36,081 janë personat e shëruar të cilt janë rikthyer në shtëpi, por nga ana tjetër lajmi i keq është se 4,895 të tjerë ndodhen në gjendje kritike për jetën.

Ora 10:32
Koronavirusi, testohet në Shtetet e Bashkuara vaksina e financuar nga Bill Gates

Dyzet vullnetarë në SHBA morën dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit e cila është financuar pjesërisht nga fondacioni Bill dhe Melinda Gates.

Vaksina është prodhuar nga kompania bioteknike amerikane bioteknike ‘Inovio’. Ajo më parë ishte testuar te kafshët dhe ka dhënë rezultate pozitive.

Sipas ‘TGCOM 24’ vullnetarët që morën dozen e dytë ishin zgjedhur nga Filadelfia dhe Kansas City.

Presidenti i CEO Inovio, Joseph Kim tha se "Ky është një hap i rëndësishëm përpara kundër një virusi që, pa vaksinë, do të vazhdojë të kërcënojë jetën e njerëzve dhe jetesën e tyre. Studiuesit, partnerët dhe financuesit tanë janë mobilizuar që nga fillimi i janarit, kur sekuenca gjenetike e virusit u bë e disponueshme, për të siguruar suksesin e Ino-4800".

Synimi i kompanisë amerikane është që vaksina të jetë gati brenda 12-18 muajve.

Joseph Kim tha gjithashtu se "Dhe ajo që është arritur deri  tani me këtë eksperimentim është një moment historik i rëndësishëm në funksion të këtij qëllimi".

Përgjigjet fillestare imune të dyzet vullnetarëve dhe të dhënat e studimit priten në jenë gati fund të verës. Kompania po përpiqet të rrisë prodhimin e ‘Ino-4800’ dhe po planifikon të përgatisë një milion doza deri në fund të vitit.

Ora 09:54
Koronavirusi, më shumë se 6000 vdekje në Britaninë e Madhe. Boris Johnson në gjendje të qendrueshme (VIDEO)

Britania e Madhe ka regjistruar një total prej më shumë se 6000 vdekje teksa ende pritet që pandemia të ketë pikun e saj në dhjetë ditët e ardhshme.

Autoritetet kanë raportuar se numri i përgjithshëm i rasteve të identifikuar me Covid-19 është më shumë se 56 mijë.

Kryeministri britanik Boris Johnson ka kaluar mbrëmjen e djeshme natën e dytë në terapi intensive në spitalin “St Thomas” në Londër dhe vazhdon të marrë trajtim për infeksionin nga koronavirusi.

Ministri i Jashtëm Dominic Raab, i cili po zëvendëson përkohësisht kryeministrin, ka deklaruar se gjendja e Johnson është e qëndrueshme  dhe se kryeministri nuk është i intubuar.

Sipas ekspertëve, të cituar nga Daily Mail, Kryeministri rrezikon të mos jetë në gjendje të punojë për një ose dy muaj, përpara se të shërohet plotësisht.

Boris Johnson u shtrua në spital të dielën, me këshillën e mjekut të tij, pasi vazhdoi të shfaqte simptoma të kollës dhe temperaturës së lartë, 10 ditë pas testimit pozitiv për virusin.

Sipas “The Times”, Kryeministri Johnson ishte furnizuar me rreth 4 litra oksigjen për të ndihmuar frymëmarrjen e tij, ndërsa pacientët në gjendje të rënduar shëndetësore kanë nevojë për rreth 15 litra oksigjen.

Ora 09:08
Koronavirusi, në Francë më shumë se 10 mijë vdekje. Macroni pa maskë ndez polemika

Me 607 vdekje në 24 orët e fundit Franca ka tejkaluar shifrën e 10 mijë e 300 viktimave që nga fillimi i epidemisë kurse numri total i të infektuarve është në pragun e 110 000 rasteve.

Ndërsa ndodhet në pllajën e saj të epidemisë pika kritike në vend është gjithmonë kujdesi intensiv.

Franca gjithashtu po projekton kryerjen e testeve të shpejtë te e gjithë popullata për të parë se sa përqind e njerëzve ka fituar imunitet, njohuri këto të vlefshme për të hyrë në Fazën 2 ajo e bashkëjetesës më koronavirusin dhe e rinisjes së aktiviteteve.

Francë, polemikë për Macronin pa maskë

Vizita e presidentit Emmanuel Macron në një spital në Francë ka ngjallur polemika pasi ai, pa mbajtur maskë, iu drejtua një turme njerëzish për ti takuar. Në mediat sociale ‘u ndez stuhia kritike’, duke filluar me një mesazh nga Marine Le Pen e cila akuzoi Macron se ai nuk respektonte kufizimet, masat mbrojtëse dhe distancën. “Kjo është absolutisht dëshpëruese"- shkruante Le Pen.

Ora 09:02
Koronavirusi, më shumë se 14 mijë viktima në Spanjë. Hotelet shndërrohen në spitale

Kurba e vdekjes së koronavirusit në Spanjë për të pestën ditë është në ulje teksa në 24 orët e fundit u raportuan 556 viktima nga koronavirusi.

Por rënia e numrit të vdekjeve nuk është e pasqyruar në uljen e presionit në kujdesin intensiv në spitale teksa sot pati 3836 raste të reja infeksioni për një total prej rreth 142 000 kurse numri i përgjithshëm i vdekjeve është mbi 14 mijë.

Hotelet bëhen spitale

Ndërkohë, në Madrid, shoqata e hotelierëve ka vënë në dispozicion 40 hotele të gatshëm për t'u kthyer në departamente sanitare me një kapacitet mbi 9000 shtretër.

Ora 08:51
Koronavirusi-Itali, qeveria projekton kalimin në fazën 2, rinisjen e aktiviteteve dhe zbutjen e masave të izolimit (VIDEO)

Më në fund duket se në Itali po shihen ulje të rasteve të reja të infeksionit në kurbën e epidemisë pas një faze të gjatë në pllajë. Nëse në ditët në vijim konsolidohet kjo tendencë mund të thuhet se kthesa e shumëpritur ka nisur dhe frymëmarrja e një populli të tërë do jetë më e lehtësuar.

Autoritetet e shëndetësisë në vend thonë se edhe nëse shifrat do bien shpejt koronavirusi do mbetet mes popullatës dhe se duhet të zbatohen me rigorozitet masat e distancimit shoqëror sepse çdo relaksim mund të nënkuptojë një rifillim të qarkullimit të koronavirusit.

Heqja e izolimit në dy faza, në fillim aktivitetet pastaj njerëzit

Takimi virtual përmes një video konference midis kryeministrit italian Giuseppe Conte dhe grupit tekniko shkencor për të diskutuar mbi vazhdimin e masave të izolimit dhe situatën epidemike pati si rezultante konkluzionet se e ashtuquajtura ‘Faza 2’ do të jetë e karakterizuar nga dy hapa: e para (pas të hënës së Pashkëve) do të ketë të bëjë me hapje të vogla të aktiviteteve të prodhimit, ndërsa e dyta (pas datës 4 maj) do të përfshijë një rimodelim tërësor të masave.
Në çdo rast, nuk u hipotezua asnjë datë por u theksua vetëm nevoja për maturi dhe gradualitet.

Gjithashtu mendohet se nëse situata epidemiologjike konfirmon ende trendin zbritës në numrat e grafikut të epidemisë do të rifillojë lëvizja e reduktuar dhe njerëzit do të dalin nga shtëpitë por me shumë masa paraprake pasi koronavirusi ende nuk është mposhtur dhe duhet pritur të paktën mesi i muajit maj.

Për autoritetet është e kuptueshme se sa më shumë kohë të kalojë aq më shumë është e vështirë mbajtja e njerëzve në shtëpi siç u dëshmua në fundjavë ku u vendosën rreth 10 mijë gjoba për thyerje të masave izoluese, dhe duket se për të pirë një kafe në një bar apo për të ngrënë me miqtë në një restorant do duhet pritur akoma

Ora 08:38
Koronavirusi, pas 76 ditësh në izolim hapet Wuhan. Në Kinë 62 raste infeksioni të importuara dhe dy vdekje

Kur akrepat e orës shënuan mesnatën e djeshme Wuhan epiqendra e epidemisë në Kinë hoqi të gjitha pengesat e ngritura që më  23 janar duke i dhënë fund izolimit.

Në qytet u rihapën transporti rrugor, hekurudhor, detar dhe ajror.

Kina raportoi për 62 raste të reja të infeksionit nga koronavirus, nga të cilat 59 të importuara si dhe për dy vdekje, një në Shanghai dhe një në Hubei.

Në total numri i të infektuarve që nga fillimi i epidemisë është 81,802, nga të cilat 1,190 ende nën trajtim. Numri i të shëruarve është rritur në 77 279 kurse numri i përgjithshëm i viktimave është 3333.

Koreja e Jugut, 53 raste të reja dhe 6 vdekje

Koreja e Jugut raportoi për 53 raste të reja të infeksionit nga koronavirusi për një total prej 10.384 raste pozitiv të testuar kurse numri i vdekjeve është rritur në 200. Seuli deri më tani ka kryer mbi 486,000 teste mbi pozitivitetin e Covid-19.

/I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emi: 08/04/2020 10:00

    Shte komunis nermal se do ja dalin te paret.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Samiti i NATO-s në Shqipëri në 2027! Hasani: Kemi nisur bashkëpunimin me stafin e Aleancës! Bilanci i diplomacisë shqiptare në vitin 2024

Samiti i NATO-s në Shqipëri në 2027! Hasani: Kemi nisur bashkëpunimin me stafin e Aleancës! Bilanci i diplomacisë shqiptare në vitin 2024