India ka karantifikuar dhjetëra mijëra njerëz në shtëpitë e tyre. Por disa nga masat e krijuara për t'i mbajtur ato brenda - si për shembull shenjat e postuara jashtë shtëpive të tyre dhe bërja publike e të dhënave të tyre personale - kanë çuar në pasoja të padëshiruara dhe të pakëndshme. BBC raporton disa raste konkrete.
Familja prej gjashtë anëtarësh e Bharat Dhingra ka qenë në "karantinë në shtëpi" në kryeqytetin e Indisë, Delhi, pasi vëllai dhe kunata e tij u kthyen nga SHBA më 22 mars. Ata nuk kanë shfaqur ndonjë simptomë, por e gjithë familja ndoqi këshillat e qeverisë dhe u vetë-karantinua.
Mirëpo, gjatë kohës që qëndronin në karantinë zyrtarët postuan një afishe jashtë shtëpisë së tyre ku shkruhej: "Mos vizito. Shtëpi nën karantinë".
Masa të tilla të ndërmarra nga autoritetet vendase për tu siguruar që qytetarët të respektonin rregullat janë kthyer në "stres dhe presion psikologjik" për këta të fundit.
"Shtëpia jonë është bërë si një kopsht zoologjik," tha Bharat Dhingra për BBC. "Njerëzit ndalojnë të bëjnë foto kur ata kalojnë. Fqinjët tanë na thonë të futemi brenda, edhe kur të dalim në ballkonin tonë për një minutë. Ne gjithashtu e kuptojmë se shtëpitë që janë në karantinë duhet të shënohen për t’ua qartësuar njerëzve dhe autoritetet kanë qenë shumë të sjellshëm ne, por është qëndrimi i disa njerëzve që vret”.
"Disa njerëz e shpërndanë foton e shtëpisë sonë në grupet e WhatsApp si një paralajmërim. Dhe kjo shkel privatësinë e familjes time. Njerëzit duhet të kuptojnë se karantina në shtëpi është një masë paraprake - nuk do të thotë se jemi të infektuar, por le të themi edhe nëse jemi, nuk kemi nevojë të ndihemi të përjashtuar për këtë fakt", ka thënë ai.
Janë të shumtë njerëzit që kanë pasur përvoja të ngjashme në Indi. Një çift tha për BBC se shtëpia e tyre në Noida - një periferi të Delhi - ishte kthyer në një vend tmerri për shumë njerëz.
"Ne u vendosëm në karantinë në shtëpi menjëherë pasi u kthyen nga jashtë si një masë paraprake. Pak e kuptuam se do të turpërohemi plotësisht nga komuniteti, por të gjithë na shikojnë me dyshim, madje edhe kur jemi në ballkonin tonë. Kjo duket në sytë e tyre. Është me të vërtetë e trishtueshme që po trajtohemi kështu", kanë thënë ata.
Periudha e karantinës së disa personave mund të përfundoi dhe ata të rezultojnë negativ, por stigmës do t’i duhet një kohë e gjatë. Qytetarë në Indi tregojnë se ka patur raste që edhe mënyra e kryerjes së testimit ka shkaktuar problem.
Një çift në Bihar tha që djalit të tyre iu kërkërkua të dilte nga ndërtesa e banimit në rrugë për t’i marrë tamponin për provë.
"Ai ishte në karantinë në shtëpi pasi u kthye nga Kanada. Ardhja e kaq shumë mjekëve me kostume hazmat i bëri fqinjët tanë me të vërtetë të frikësuar. Njerëzit madje ndaluan edhe së thëni një përshëndetje qoftë edhe nga një distancë e sigurt". Ata shtuan se djali i tyre u rezultoi negativ testeve, por diskriminimi vazhdon. "Njerëzit ende ngurrojnë të bashkëveprojnë me ne," thanë ata.
Emrat dhe adresat e atyre që janë në karantinë u bënë publike në qytetet jugore të Hyderabad dhe Bangalore në Indi.
"Njerëzit [në karantinën e shtëpisë] po lëviznin për fatkeqsisht sikur të ishin me pushime dhe kjo është arsyeja pse të dhënat u bënë publike," shpjegoi një zyrtar i lartë në Bangalore.
Megjithatë, kjo metodë sipas ekspertëve shkel privatësinë e njerëzve.
"Do të ishte mirë sikur qeveria të kishte publikuar vetëm emrin. Por dhënia e adresave është një ftesë për telashe," tha avokati me bazë në Bangalore, KV Dhananjay.
Janë raportuar gjithashtu disa protesta për objektet e karantinës. Në Mysore, 150 km larg nga Bangalore, vendasit i detyruan autoritetet të evakuojnë një hotel ku ishin karantinuar 27 persona.