Në Partinë Demokratike situata nuk është aq e mirë me aq sa paraqitet, por s’ka ndonjë ndryshim të madh me aq sa duket! Dhe kjo konstatohet me sy fare të lirë dhe pa ndonjë mundim të madh!
Partia më e madhe opozitare momentalisht është në habitatin e vet! Po ecën në të njejtën ‘korsi’ në të cilën ka ecur në këto 12 vite të qëndrimit të saj në mënyrë solide në opozitë, duke kaluar të njejtat etapa, pa asnjë ndryshim, sa herë që ka humbur zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore përballë socialistëve të udhëhequr nga Edi Rama!
“Stacionet’ nëpër të cilët’ kalon PD janë ‘precize’. Fillon me një fushatë me akuza të forta deri në të pabesueshme që i shkatërrojnë përqëndrimin edhe demokratit më të vendosur për të votuar opozitën, vijon me ditën e zgjedhjeve dhe paralajmërimet se fitorja është është e sigurtë, vota është në kuti dhe nuk bir nëne që e prek pasi i priten duart kujtdo ‘hajduti’, ‘uragani demokrat do të marrë përpara Ramën dhe qeverinë e tij” dhe qëndrime të tjera të këtij lloji!
Pastaj mbizotëron heshtja, pasi dalin dalëngadalë rezultatet, dhe në fund rifillojnë akuzat kundër qeverisë, kryeministrit Edi Rama për tjetërsim vote, farsë elektorale dhe përmendin indikacione nga administrata, drogërat e forta deri në kartele mafioze, njerëzit e krimit dhe kështu me radhë, jo për të kundërshtuar realisht rezultatet në çdo palë zgjedhje të humbura, por për të ‘intoksinuar’ demokratët e vet që kanë 12 vite që po u shkatërrohet ideali nga një grusht njerëzish, që u kanë uzurpuar kupolën e PD dhe nuk ka bir nëne që i shkul prej andej, e duke u garantuar humbjen jo vetëm deri më tani, por sipas gjasve duke ua premtuar paradhënie dhe për të ardhmen!
Kështu ka ndodhur sa kohë që ishte kryetar zyrtar i PD, Lulzim Basha, në prapaskenë ishte drejtues vetë Sali Berisha që luante fijet, bënte emërimet në parti, përzgjidhte kandidatët për deputetë apo kryetarë bashkie, e deri edhe merrte vendimet për aksionet politike, që nga ‘çadra’, bashkëqeverisja me Ramën më 2017, e deri te djegia e mandateve të deputetit, sulmin me molotov ndaj institucioneve dhe bojkoti i zgjedhjeve për pushtetin vendor më 2019! Kështu po ndodh dhe për zgjedhjet e humbura nga PD, me në krye Berishën, të rikthyer ngë pensioni politik pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA, përjashtimit që i bëri nga Basha nga grupi parlamentar i PD dhe përplasja deri në sulm fizik mbi selinë buzë Lanës, teksa mori vulën e logon e PD, si dhe përzuri ‘birin’ e tij politik nga drejtimi dhe vetë partia. Për të cilin ishte betuar se do ta bënte!
Berisha me rrëzimin dhe dëbimin e Bashës nga PD, në fakt përmbysi dhe ‘formulën’ e të gjitha partive politike , ku ‘biri vret babain’, duke e rikthyer sëprapthi tërë skemën, për ta transformuar në ‘babai ringrihet nga varri dhe vret të birin’! Eshtë treguar unikal me një fjalë!
Dhe për të mbetur tek ‘rutina’ e sjelljes së PD pas çdo palë zgjedhje të humbura përballë PS së drejtuar nga Rama, janë humbur të gjitha përballjet zgjedhore në masën 100 përqind në këto 12 vite, fillon pastaj ‘saga’ e kontestimit të rezultatit, bërjes publike të asaj që e quajnë në PD ‘farsa elektorale’, me prelud deklarimin se s’mund të zbatohet statuti që të ketë dorëheqje të kryetarit nga detyra, pasi nuk kishte zgjedhje, por votime dhe farsë elektorale! Këtë të fundit se përmban stratuti i partisë! Në fakt Berisha e ka më kollaj të thotë, ‘topi është i imi, penalltinë e gjuaj unë. Lojën e ndal kur të dua, ekipin e zgjedh unë etj”, pasi PD është një parti në pronësi të familjes Berisha, dhe nuk ka pse mundohet të justifikohet! Kaq sa është i duhet! Thjeshtë për të qënë në krye të një partie, për të pasur monopolin e opozitës dhe për ta përdorur për hallin e tij personal, përballjen me drejtësinë! I ka shërbyer deri më tani, madje i ka shijuar fort! S’i mbetet merak!
Këtë e tregon dhe përballja me ‘Grupin e të Rinjve’ në PD, të kryesuar nga Ervin Salianji dhe pak më i distancuar Ilir Alimehmeti. Salianji me atributin e ‘heroit’ që bëri burg, vetë e ka deklaruar, për PD-në, pasi u dënua me heqje lirie në të dyja shkallët e gkyqësorit për skandalin e “Babales’, ndërsa Alimehmeti me ‘as’-in e madh në xhep, atë të rezultatit tepër të lartë në listën e hapur të kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës, ku vetëm për një grusht votash mbeti jashtë Kuvendit! Pasi, me gjithë përkrahjen, një çikë me hile dhe nga strukturat e PD e pak dhe nga fushata agresive e Agron Shehajt të “Mundësia’, e humbi mandatin e deputetit në finish!
Jemi bërë dëshmitarë të startimit të dy ‘foltoreve’ paralele në PD, Salianji pas ‘kafes’ së famshme me fituesit e primareve dhe atyre që dhanë rezultate të forta në zgjedhje, organizoi një takim në Durrës, ndërsa vetë Berisha ‘foltoren’ para kryeministrisë e zhvendosi nëpër rrethe! Duke hedhur në qarkullim dhe ‘qarkoren’ se duhet të fillojë analiza e zgjedhjeve të 11 majit, të nxirren përgjegjësitë, madje të analizohen dhe kandidatët për deputetë që nuk morën rezultate të larta! Njëherësh Berisha kërkoi që të gjitha rezervat për PD të paraqiten vetëm në forume, duke u kërkuar ‘rebeluesve’ që të vijnë në zyrë dhe të bisedojnë, pasi do t’i dëgjojë. “Qarkore’ që u shoqërua dhe me sulme nga të gjitha anët për ‘tradhëtarët’ që kishin ngritur krye teksa Berisha dhe PD ishin të zëna’ dhe po përballeshin me qeverinë e Ramës! Dolën nga ‘arkivat’ dhe fotot e Salianjit me shkop në dorë teksa mbronte që nga ngujimi selinë e PD nga turmat e Berishës më 8 janar, si dhe sulme të tjera të këtij lloji!
Po në ato pak replika e dobëta të bëra nga ana e Salianjit dhe Alimehmetit, në themel të tyre kishin përbetimin se e gjithë kjo lëvizje, nëse quhet lëvizje, kishte për qëllim vetëm e vetëm rivitalizimin e PD, rishikimin e qasjes opozitare e deri në riformatimin e partisë! Mëse njëherë, si Salianji ashtu dhe Alimemheti kanë garantuar se nuk ikin nga PD, nuk kanë asnjë qëllim për krijimin e ndonjë partie të re politike dhe mbi të gjitha nuk kanë ndërmend as të kandidojnë për postin e kryetarit të PD! Të paktën deri më tani nuk e kanë artikuluar këtë qëllim! Ata kanë kërkuar vetëm ‘shkundje’ të PD, pasi ndjehen të trishtuar që ka pjesëmarrje të ulët në protestat kundër Ramës apo në ‘foltoren e paradës’ para kryeministrisë, nën dritën e qirinjve natën vonë, me më pak se 200 mbështetës si pjesëmarrës!
Në krye të herës, Salianji dhe Alimehmeti kanë garantuar në deklaratat e qëndrimet e tyre se nuk aspirojnë të garojnë për kryetar të PD në prillin e vitit të ardhshëm. Deklarata këto të bëra, pasi vetë Berisha ka vënë ‘shishen’ në radhë për të qënë ai kandidat për kryetar i PD, dhe kuptohet të gjithë e dinë, se Berisha nuk u rikthye në PD pas gjithë asaj beteje me Bashën e grupin ne tij, gjysmën i ka tashmë nën hyqëm, për t’ia lënë PD-në Salianjit, apo një të ngjashmi me të! Këtë e dinë dhe vetë Salianji e Alimehmeti! Prandaj ata nxitojnë për të garantuar se s’kërkojnë ‘kokën’ e Berishës! Por nuk lënë pa përmendur mungesën e aksionit politik dhe mungesën e efikasitetit të lidershipit të nivelit të dytë, çka ka sjellë përgjumjen e PD! Pra për të ‘shkundur’ PD-në sipas tyre! Pavarësisht se gjithkush mund të pyesë se çfarë ka mbetur për t’u shkundur në PD, pasi Berisha s’ka lënë asnjë ‘kokërr fryti’ që mund të bëjë punë në ‘pemën e tharë’’ për 35 vite të kësaj partie! Ka zero fryte, janë dëbuar të gjithë dhe s’ke kujt i vë gishtin për sjelljen e një fryme të re në PD, për të marrë në dorë riorganizimin e kësaj partie!
Dhe për të qënë më konkretë, ‘Foltorja’ e Salianjit kërkon ‘kokën’ e numrit dy të PD, Flamur Noka, të kreut të grupit të PD, Gazment Bardhi dhe të kryetares së përjetshme të Gruas në PD, deputetes Albana Vokshi, për t’i ‘kryqëzuar’ si përgjegjësit kryesorë të përgjumjes së PD, të cilët duhej të sakrifikohen në emër të ‘shkundjes’ së kësaj partie, për të luftuar arrogancën e mungesën e efikasitetit në parti, për ta nxjerrë PD nga apatia dhe për të ngritur në një stad tjetër aksionin opozitar, përmes zbritjes në bazën e partisë të njerëzve që priten mirë, që nuk janë arrogantë e kanë çfarë thonë e tregojnë! Pra, kërkohet riformatim i PD, pa u prekur Berisha, por për të nxjerrë një copë vend për vete, dhe për të rindarë ‘tortën’ e ofiçeve në PD, përmes një ndarjeje të re! Deri këtu e kuptojmë lëvizjen e nisur nga Salianji, që nuk prek kreun e PD.
Për hir të së vërtetës, Berisha u shfaq i acaruar apo bëri si i acaruar për disa arsye pas daljes së “foltores’ së Salianit! Pavarësisht udhëzimeve qarkoreve të shpërndara në drejtim të strukturave të bazës, apo mesazheve në drejtim të strukturave për të bojkotuar takimet e Salianjit, si takime private me axhendë personale, mbledhjes së kryesisë së PD në të njejtën ditë me takimin e Salianjit në Durrës, shkoi vetë më terren për të ‘testuar’ situatën! Dhe për të qënë në rregull me mbushjen e sallës mbërriti në Rrëshen, ku kreu i bashkisë i përket PD dhe bashkë me të ardhurit nga Lezha e Laçi arriti ta mbushë sallën! Sa për të ‘kënaqur’ syrin dhe për t’i bërë një çikë karshillëk Salianjit e atyre që e ndjekin, ndoshta dhe me lejen e tij!
Berisha u acarua fort, megjithëse nuk e shprehu, në momentin kur njëri pas tjetrit demokratët mirditorë kritikuan me emër e mbiemër, Flamur Nokën, Albana Vokshin, dhe gjithë drejtuesit e PD në qendër, bashkë dhe me deputetët e qarkut të Lezhës se i kanë shkëputur me kohë e vakt lidhjet me elektoratin, janë arrogantë, janë të njejtat fytyra për 30 vite me radhë, kanë qënë ministra e drejtues të PD që sollën largimin nga pushtetiu më 2013. Madje kërkuan largimin e këtyre emrave, pasi sipas tyre PD nuk vjen në pushtet me këta njerëz në krye! Kritikuan dhe vetë Berishën për listën e mbyllur madje, ndërkohë që ‘Foltoren’ e tij e cilësuan ‘paradë mode’ para kryeministrisë. Me ironi të hollë, ata i kujtuan luksin e pjesëmarrësve deputetë, që tregonte ashiqare se janë më se të kamur dhe në opozitë, ndërkohë që demokratët e thjeshtë janë 12 vite jashtë pushtetit dhe me të ardhura modeste! Ia thanë hapur në Mirditë!
Nuk e dimë me tamam, nëse me këtë goditje u pajtua dhe Berisha, i cili nuk është çudi që t’i sakrifikojë Nokën, Bardhin e Vokshin, me argumentin se uljen e tyre në detyrë nuk e kërkojnë vetëm këta të “Foltores’ së Salianjit, por ia kanë kërkuar direkt vetë atyre në Kamzë, por dhe vetë Berishës në Mirditë! Ua gjen vendin Berisha besnikëve, Vokshin e nis andej nga Brukseli apo Brazili për të kryer këtë ‘rutinën’ e tij si zv.president i CDI, të ‘armatosur’ me letrat për të nxirë Shqipërinë, Nokën e mban për të bërë sherr në Kuvend, si ‘dyshin’ pa grada në PD! E ka bërë këtë punë edhe para se të bëhej ministër e më vonë, pa qënë Sekretar i Përgjithshëm i PD! Nuk është në terren të panjohur! Ndërsa për Bardhin, me sa duket ka menduar përmes ‘qarkores’ së shpërndarë për analizën e 11 majit, ku kërkon analizë për rolin e deputetëve nëpër zona dhe të drejtuesve të qarqeve! Bardhi gjithnjë ka dhënë rezultate ‘gropë’, në Elbasan më 2021 ku la pas dhe një viktime dhe sidomos në Fier në 11 majin e këtij viti! Kështu duken ‘bathët’!
Berisha është acaruar se përse i nxorën jashtë loje “Foltoren’ para kryeministrisë, e kishte marrë me shumë qejf këtë punë, në orët e vona të mbrëmjes! Pasi në Durrës Salianji mblodhi trefishin e atyre që mblidhen çdo të hënë për Berishën para kryeministrisë! Kjo s’durohet nga Berisha! Nga ana tjetër, teksa ka thënë më se njëherë që të kërkohet gjithçka në forume, Berisha me sa duket këtë e ka si ftesë të ‘koduar’ për të mbajtur me gajret rindarjen e ‘tortës’ në PD! Por që nuk e donte në këto momente, pas kërkon të duket se është i zënë me Ramën, për çështjen e numrit dy të qeverisë! Apo që ka nisur hetimi me tamam i 21 janarit 2011 me seancën e pyetjeve për të!
Nuk përjashtohet mundësia që Berisha të ‘dorovisë’ Salianjin dhe Alimehmetin me poste brenda PD. Hapin e parë e ndërmori, ndau postet parlamentare nga ato partiake! Pra bëri vend për të gjithë! E ka bërë me Bardhin këtë punë kohë më parë kur e bëri kryetar grupi të PD, dhe nuk e ka për gjë ta këmbejë atë me Luçiano Boçin si kryetar grupi! Pronë të vetën e ka PD-në Berisha, emëron Salianjin sekretar të Përgjithshëm meqë s’është deputet! Bën dhe ndonjë lëvizje tjetër për Albana Vokshin, gjen një kryetare të re të grave, pa diskutim mbështetëse të fortë të tij! Jo se Berisha ka frikë se i merr njeri drejtimin e PD, ajo çështje ka mbaruar me kohë dhe vakt! Berisha do të shkojë tek i Plotfuqishmi si kryetar i PD. Dhe atje, shkon me gjithë vulën e logo! Por ama Berisha kërkon qetësi në këto momente, nuk kërkon përplasje! Ka halle të tjera ai, nuk ka kohë as moshë, as për përplasje as për pushtet! Prandaj nuk besojmë të ketë ndonjë ‘shkundje’ në këtë parti, përsa kohë askush nuk kërkon ‘kokën’ e Berishës! Lufta bëhet për nivelet e dyta!
Komente










