Një pjesë e Kukësit është zgjuar sot në petkun e bardhë të dëborës, e cila duket se ka ardhur së bashku me koronavirusin, pasi dje u konfirmua rasti i parë në këtë qytet. Gjithsesi pamja mbresëlënëse që ka krijuar kjo dukuri e natyrës ka bërë që të harrohet sadopak situata anormale që po kalon jo vetëm Kukësi, por i gjithë vendi dhe bota mbarë.
Dëbora ka rënë në Shishtavec ku ashtu siç duket edhe nga pamjet ka zbardhur gjithçka. Edhe pse një zonë malore nuk ndodh shpesh që në këtë periudhë të vitit të ketë dëborë. Sakaq dje në Kukës rrugët ishin bosh më shumë për shkak të shiut, por me dëborën e rënë në Shishtavec, sot duket e vështirë që qytetarët të lënë shtëpitë e tyre.
Mbrëmjen e së martës janë rikthyer reshjet e borës në zonat malore të qarkut Dibër. Ndryshe nga bora e 1 Prillit, kjo e fundit nuk pati kohëzgjatje duke bërë që trashësia në zonat e thella të shkojë jo më shumë se 15 centimetra.
Por reshjet kanë përfshirë edhe fshatrat që ndodhen afër qyteteve, ndonëse trashësia aty nuk është shumë e madhe, banorët kanë frikë për pasojat në frutikulturë.
Një qytetar shprehet: 'Dëbora në ka prishur të gjithë pemët, kumbullat, çdo lloj perimesh. Këtu jemi mirë për koronavirusin, por kemi probleme të tjera. Unë jam pensionist po kam 10 ditë që s'ma kanë sjellë pensionin. Nuk më lejojnë të shkoj në qytet.'
Reshjet e mbrëmshme nuk kanë shkaktuar probleme në bllokimin e rrugëve. Autoritetet bëjnë të ditur se rrugët nacionale e ato rurale janë të kalueshme pa probleme.