Koronavirusi/ Në Itali mbi 23 mijë të infektuar, trendi në rënie! 2158 viktima! Conte: Ende s'kemi arritur pikun! Macron: Jemi në luftë për shëndetin

Koronavirusi/ Në Itali mbi 23 mijë të infektuar, trendi në rënie! 2158 viktima! Conte: Ende s'kemi arritur pikun! Macron: Jemi në luftë për shëndetin

Presidenti Conte

ROMË - Presidenti Giuseppe Conte është shprehur se ka një Itali që respekton rregullat e shpreh solidarizim duke kënduar nga ballkonet.

“Ne duhet të shmangim në të gjitha mënyrat lëvizjet jo absolutisht të nevojshme. Është koha për sakrifica, për zgjedhje të përgjegjshme.

Që në fillim kam punuar me një frymë uniteti, duke e vendosur shëndetin në qendër, e cila besoj shpjegon se konsensusi është 62%.

Jemi duke u përballur me një emergjencë që nuk njihet kurrë që nga periudha e pasluftës e deri sot”, është shprehur Conte.

Gjithashtu është shprehur se shumica dërrmuese e italianëve janë të vetëdijshëm se rregullat shërbejnë për të mbrojtur të dashurit e tyre dhe se është krenar që drejton këtë komunitet të madh, i cili në momentin e vështirësisë maksimale nuk ndalon së kënduari himnin kombëtar duke falenderuar mjekët dhe infermierët që punojnë të rraskapitur në repart.

Pyetjes se a do të jetë në gjendje Italia të ndalojë epideminë, apo do të infektohet një pjesë e madhe e popullsisë, Cone i është përgjigjur.

 “Nëse vazhdojmë të qëndrojmë në shtëpi duke shmangur kontaktet me rrezik, do të jemi më efektivë në kontrollimin e virusit. 

Shkencëtarët na thonë se ne ende nuk kemi arritur kulmin, këto janë javët më të rrezikshme dhe kemi nevojë për kujdes paraprak. Ne nuk mund ta lëmë ruajtjen tonë.

Ështe sfida më e rëndësishme e dekadave të fundit, për ta fituar atë ju duhet kontributi i përgjegjshëm i 60 milionë italianëve", është shprehur Conte.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 06:09
SHBA, shkon në 85 numri i të vdekurve nga koronavirusi, mbi 4 mijë e 600 persona të tjerë të infektuar

1584425921_Capture.PNG

Ka shkuar në 85 numri i të vdekurve në SHBA, ndërsa 4,661 persona janë konfirmuar të infektuar deri tani, sipas Qendrës së SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

CDC bën me dije se rreth 70 raste janë shtetas të riatdhesuar, si ata të evakuuar nga Kina apo anija e lundrimit Diamond Princess në Japoni. Washington dhe New York janë shtetet më të goditura, të dyja me më shumë se 900 raste. Kalifornia vijon me 448 raste.

West Virginia është i vetmi shtet që ende nuk ka raportuar një rast të koronavirusit .

Ora 06:05
Koronavirusi/ Ekspertët zbulojnë se kush përfiton më tepër nga kjo pandemi

Me 7,154 të vdekur deri tani dhe 182,405 të tjerë të infektuar koronavirusi është kthyer në një ndër viruset më vdekjeprurës i cili po kërcënon botën. Mirëpo, pavarësisht dëmeve të mëdha në jetë njerëzore, pandemia e COVID-19 ka sjell edhe disa përfitime. Dhe përfituesi më i madh në këtë rast është natyra. Mbyllja e fabrikave e pastrimi i rrugëve, fillimisht në provincën Hubei të Kinës- e cili ishte edhe epiqendra e koronavirusit- ulja e lëvizjeve të banorëve eventualisht solli edhe një ulje të ndotjes së ajrit dhe një qiell blu.

Pavarësisht se gjithë kjo është një përfitim i paqëllimshëm, Ministria e Ekologjisë dhe Mjedisit të Kinës bën me dije se numri mesatar i "ditëve të ajrit me cilësi të mirë" u rrit 21.5% në shkurt, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Por, Hubei nuk ka qenë i vetmi. Imazhet satelitore nga NASA dhe Agjensia Evropiane e Hapësirës tregojnë një ulje dramatike në emetimet e dioksidit të azotit - ato të lëshuara nga automjetet, termocentralet dhe objektet industriale - në qytetet e mëdha kineze midis janarit dhe shkurtit. Reja e dukshme e gazit toksik që varej nga termocentralet industriale pothuajse është zhdukur.

"Kjo është hera e parë që kam parë një përmbysje kaq dramatike mbi një zonë kaq të gjerë për një ngjarje specifike," thotë Fei Liu, studiues për cilësinë e ajrit në Qendrën Fluturuese Hapësinore Goddard të NASA-s, raporton CNN. "Nuk jam shumë i surprizuar”, -vijon ai-“pasi shumë qytete në mbarë vendin kanë ndërmarrë masa për të minimizuar përhapjen e virusit."

Konsumi i qymyrit u ul ndjeshëm. Stacionet e mëdha energjitike të qymyrit kanë bërë rënie të mëdha të konsumit, me gjasë sepse kërkesa për energji elektrike ka rënë. Grupit i studimeve të ndotjes së ajrit Qendra për Kërkime mbi Energji dhe Ajër të Pastër (CREA), ka bërë me dije se djegia e karburanteve fosile si qymyri lëshon dioksid karboni - dhe emetimet u ulën me të paktën 25% nga 3 shkurt deri më 1 mars.

Por disa janë të shqetësuar se pasi të kalojë kërcënimi i koronavirusit, Kina do të përqendrohet vetëm në rifillimin e ekonomisë së saj, dhe ndotja do të kthehet në fuqi të plotë.

Ora 22:54
Macron: Jemi në luftë për shëndetin! Çdo shkelje rregullave do të ndëshkohet

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se qytetarët duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe se të gjithë kufijtë me jashtë do të mbyllen për 30 ditët e ardhshme. “Është vendosur të zbatohen masat më të rrepta për të rritur kufizimin e lëvizjeve të njerëzve, duke filluar nga e marta në mesditë dhe të paktën për 15 ditët e ardhshme”, tha Macron.

“Çdo shkelje e këtyre rregullave do të ndëshkohet”, paralajmëroi presidenti. “Unë ju them me solemnitet të madh këtë mbrëmje, dëgjoni punonjësit e kujdesit shëndetësor që thonë: Nëse doni të na ndihmoni, duhet të qëndroni në shtëpi dhe të shmangni kontaktin”, vazhdoi ai, duke shtuar se të gjitha kompanitë duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar punonjësit që punojnë nga shtëpia.

“Ne jemi në një luftë për shëndetin”, tha Macron, para se të shtonte “kurrë më parë nuk i është dashur Francës që të ndërmarrë masa kaq të jashtëzakonshme, padyshim të përkohshme, në kohë paqeje”. Macron konfirmoi se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale që do të mbaheshin më 22 mars janë pezulluar si rezultat i shpërthimit të koronavirusit.

Ora 18:22
Koronavirusi/Itali, numri i përgjithshëm i viktimave 2158, të infektuarit më shumë se 23 mijë por trendi në ulje. Rritet numri i të shëruarve

Sot Italia ka regjistruar 349 vdekje të tjera nga infeksioni i koronavirusit dhe 2470 raste të reja të testuar pozitiv. Sipas Mbrojtjes Civile italiane numri total i të infektuarve është mbi 23 mijë kurse numri total i viktimave ka shkuar në 2158. Po sot janë shëruar 414 pacientë më shumë nga infeksioni për një total prej 2.749 personash.

Në rajonin e Lombardisë, në Itali numri i të infektuarve ka nisur të ngadalësojë rritjen por gjithsesi sot numri i viktimave ishte 202.

Në rajon pati sot 1377 pacientë të rinj (+ 10.4%), nga të cilët vetëm dy në Lodi, ish epiqendra e përhapjes së epidemisë në Itali.

Në SHBA, janë regjistruar 950 raste të personave të infektuar me Covid-19 nga të cilat 463 në shtetin e New York-ut, 163 më shumë sesa dje Po në New York numri i viktimave është rritur të paktën në 7 dhe Guvernatori Andrew Cuomo tha se  "New York është shteti më i prekur nga infeksioni në SHBA.

OBSH: Mesazhi ynë është, bëni testet

"Mesazhi ynë kryesor është: teste, teste, teste për çdo rast të dyshuar të koronavirusit." Kjo ishte fjalia ekstrakt e deklaratës së drejtorit të OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus gjatë konferencës së jashtëzakonshme.

"Ne kemi parë që vende të ndryshme kanë marrë masa të shpejta që kanë të bëjnë me distancimin shoqërorë të tilla si mbyllja e shkollave, anulimi i ngjarjeve sportive apo tubimet por nuk kemi parë një përshkallëzim sa duhet urgjent në testimin, izolimin dhe ndjekjen e kontakteve të personave të infektuar, që është shtylla kurrizore e përgjigjes së shteteve ndaj Covid -19 "shtoi ai.

Sipas OBSH, infektimi nga koronavirusi është sëmundje e rëndë dhe mund të ketë viktima edhe te të rinjtë dhe fëmijët.

Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se "Kjo është një sëmundje serioze. Megjithëse provat që kemi na tregojnë se më të rrezikuarit janë personat mbi 60 vjeç, kjo nuk do të thotë se të rinjtë dhe fëmijët janë të përjashtuar nga rreziku i infektimit dhe vdekjes.

Ora 17:14
Koronavirusi/SHBA, testohet sot te 45 vullnetarë vaksina e re eksperimentale kundër Covid-19

Sipas BBC, kompania ‘Moderna Therapeutics’ do të testojë sot te një grup prej 45 vullnetarësh një vaksinë eksperimentale kudnër Covid-19. Vaksinimi do të kryhet në ambientet e institutit kërkimor Kaiser Permanente, në Seattle.

Vaksina e re nuk ka një virus të dobësuar por ajo përmban një kod gjenetik të padëmshëm të kopjuar nga koronavirusi vrastar.

Kjo provë e parë njerëzore, e financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, shmang një prove që sin ë çdo rast tjetër do duhej të bëhej te kafshët e më pas te njëriu. Por vaksina e re dhe testi i kryer direkt te njëriu shkurton kohën e nxjerrjes së përfundimeve dhe rrjedhimisht edhe kohën e prodhimit.

Vaksinat tipike për viruset, siç është fruthi, bëhen nga një virusi i dobësuar ose i vrarë. Por vaksina mRNA-1273 nuk është bërë nga virusi që shkakton Covid-19.

Në vend të saj, ai përfshin një segment të shkurtër të kodit gjenetik të kopjuar nga virusi që shkencëtarët kanë arritur ta bëjnë në një laborator. Kjo shpresohet se do të nxisë sistemin imunitar të trupit për të luftuar infeksionin e vërtetë.

Por edhe nëse këto teste fillestare të sigurisë shkojnë mirë, mund të zgjasë ende 18 muaj që çdo vaksinë e mundshme të bëhet e disponueshme për publikun.

Ora 17:05
BE thirrje shteteve anëtare: Mos mbyllni kufijtë! Mund të ketë probleme me ilaçet e ushqimet

Bashkimi Eropian u bën thirrje shteteve anëtare që të mos i mbyllin kufijtë pasi virusi tashmë është përhapur pothuajse në të gjithë shtetet e Evropës. Bashkimi Eurpian sqaron se mbyllja e kufijve mund të sjellë probleme për shpërndarjen e ilaçeve dhe ushqimeve në kontinentin e vjetër. Kjo ishte deklarata e shpërndarë sot nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian Erik Mamer. Ndërkohë që Europa ka marrë masa drastike për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, që tashmë shënon rreth 160 mijë të prekur dhe rreth 6 mijë të vdekur në të gjithë botën.

Gjermania ka vendosur kontrolle të rrepta në kufi me Austrinë, Danimarkën Francën, Luksenburgun dhe Zvicrën. Sipas autoriteteve gjermane mund të lëvizet vetëm për një motiv të rëndësishëm, kryesisht për arsye pune lejohet të kalohet kufiri. Ndërkohë nga Spanja njoftohet se gjendja e alarmit do të vijojë edhe pas 15 ditëve. Lajmin e bëri të ditur ministri i transporteve të Spanjës Jose Luis Abalos. Ndërkohë që presidenti i Francës do të flasë sot në mbrëmje.

Pritet që Macron të publikojë masa të tjera shtrënguese. Ndërkohë që drejtori i institutit të shëndetësisë Jerome Salomon tha se gjendja është alarmante.  Edhe Austria po merr masa drastike për të parandaluar përhapjen e koronavirusit duke ndjekur modelin italian. Masat e marra nga Austria krijuan disa ditë më parë radhë të gjata rreth 20 km të gjatë. Kamionët vinin nga Italia dhe duhet të kalonin në Austri.

Ora 16:00
Koronvirusi, ‘Kurohet Italia’, dekreti 25 miliardë euro i qeverisë italiane në mbështetje të ekonomisë

Qeveria italiane "ka hapur zjarr" me të gjitha municionet e saj kundër koronavirusit. Dekreti i qeverisë Conte, "Kurohet Italia" i cili parashikon një buxhet 25 miliardë euro, do të shoqërohet në muajin prill me një tjetër dekret mbështetës për ekonominë dhe familjet.

Maxi manovra e qeverisë italiane është e strukturuar në katër shtylla kryesore, 1) Për të financuar me 3 miliardë euro forcimin e sistemit kombëtar të shëndetit dhe mbrojtjen civile 2) 10 miliardë euro mbështetje për punësimin, mbrojtjen e punës dhe të ardhurave, në mënyrë që askush të mos humbasë vendin e punës për shkak të epidemisë. 3) Injektimi i likuiditetit në sistemin e kreditit për të garantuar 340 miliardë euro për ekonominë, me pezullimin e kësteve të kredive dhe hipotekave. 4) Pezullimi i detyrimeve të pagesës për taksat, kontributet dhe detyrimet e tjera tatimore. 5) Ndihma për familjet si psh. leje speciale e barabartë me 50% të pagesës për prindin apo prindërit që për arsye të mbylljes së shkollave janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi si babysitter, si dhe ndihma të tjera financiare për punonjësit në sektorin shtetëror, privat si dhe profesionet e lira. Ndihma parashikohet edhe për bizneset që ulin prodhimin apo numrin e punëtorëve për shkak të epidemisë.

Kryeministri Giuseppe Conte tha se kjo është manovra më e madhe ekonomike në një gjendje emergjence shëndetësore dhe se qeveria po përpiqet që të ndërtojë një digë financiare për të mbrojtur bizneset, familjet dhe punëtorët. Conte tha se "Qeveria është afër bizneseve, profesionistëve, familjeve, grave dhe burrave, të rinj që bëjnë sakrifica të mëdha. Askush nuk duhet të ndjehet i braktisur dhe ky dekret e dëshmon". Ai tha gjithashtu se Italia është shembull për marrjen e masave dragoniane ndaluese dhe masat në mbështetje të ekonomise dhe se prej saj duhet të marrin shembull gjithë vendet e tjera europiane.

Ora 13:33
Franca drejt mbylljes totale, Emmanuel Macron mesazh popullit. Rusia mbyll kufirin e fundit

Me pesë mijë të infektuar me koronavirus dhe 127 vdekje, Franca po dëshmon një përshpejtim të rëndësishëm të epidemisë nga virusi i Wuhan.

Sot gjithë vendi u zgjua me shkolla, bare, restorante, universitete dhe dyqane të mbyllura. Autoritetet i kanë bërë thirrje njerëzve të qëndrojnë në shtëpi. Ministri I Shëndetësisë tha se Franca po shkon drejt izolimit total si Italia. Ndoshta nga sot ose nesër, qeveria duhet të shpallë dekretin për bllokimin total. Presidenti Emmanuel Macron paralajmëroi për sot në orën 20:00 një fjalim drejtuar popullit në lidhje me gjendjen e krijuar nga epidemia

Në Rusi, kufiri i fundit i hapur, ai me Bjellorusinë është mbyllur.

Komisioni qeveritar që koordinon reagimin e Rusisë ndaj epidemisë prej koronavirusit ka njoftuar një plan 300 miliardë rubla për të luftuar kolapsin ekonomik i shkaktuar nga emergjenca shëndetësore.

Deri më tani, Rusia ka regjistruar vetëm 63 raste të infektuar nga koronavirusi dhe asnjë rast vdekje. Nuk është e qartë nëse numri i ulët i të infektuarve është për shkak të numrit të vogël të testeve të kryera apo mbylljes së hershme të kufijve. Shumë prej rasteve të identifikuara me koronavirus janë ata që kanë patur një histori udhëtimi në Itali.

Ora 12:05
Koronavirusi/Itali, viktimat-5.8% e numrit të përgjithshëm të të infektuarve. Rreth 70 % e të prekurve janë burra

 

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane, numri i vdekjeve, në numrin e përgjithshëm të të infektuarve nga koronavirusi, aktualisht është i barabartë me 5.8% të totalit të rasteve.

Mosha mesatare e viktimave nga Covid-19

Raporti, i publikuar në faqen e internetit të ‘Epicentro’, tregon se mosha mesatare e pacientëve që kanë vdekur nga koronavirusi në Itali është 80 vjeç, rreth 15 vjet më e lartë se mesatarja e moshës e personave të identifikuar të infektuar.

Në numrin e përgjithshëm të rasteve të testuar pozitiv nga Covid-19, vetëm 28.4% janë gra. (mosha mesatare për gratë është 84.2 vjeç, ndërsa tek burrat 80.3). Një tjetër fakt i raportuar është se vdekshmëria rritet ndjeshëm pas moshës 70 vjeç.

Graziano Onder, drejtor i Departamentit të sëmundjeve kardiovaskulare, dismetabolike dhe të plakjes në Poliklinikën Gemelli, thotë se faktorë të rrezikut të shtuar janë sëmundjet patologjike të mbartura. Nuk është rastësi që numri mesatar i patologjive të vërejtura te të vdeklurti në Itali nga infeksioni i koronavirusit është 2.7

Ora 11:33
Koronavirusi, numri i vdekjeve në botë tejkalon numrin e viktimave në Kinë

Për herë të parë, numri i vdekjeve nga koronavirusi në të gjithë botën ka tejkaluar ato në Kinë. Sipas Universitetit Johns Hopkins, vdekjet jashtë Kinës kanë arritur në 3241. Pekini zyrtar njoftoi sot 14 vdekje të tjera, duke e çuar totalin në 3213 dhe 16 raste të reja pozitiv duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në  80.860.

Frika nga përhapja e infeksionit e ka shtyrë Amerikën, ku të infektuarit kanë tejkaluar 3.400 njësi dhe viktimat janë 65, të marrë masa që nuk janë parë kurrë më parë.

Në Las Vegas, kazinotë do të mbyllen për të paktën dy javë, duke përfshirë ‘Bellagio’, ‘Mandalay Bay’ dhe ‘Mirage’.

Bare dhe restorante të mbyllura në New York dhe Los Angeles

Nga sot në New York janë mbyllur në të gjithë vendin kinematë, restorantet dhe baret. Edhe Los Angeles gjithashtu ndoqi të njëjtën linjë në përpjekje për të kufizuar infeksionet. Në Kaliforni prej dy ditësh ka rradhë kilometrike përpara supermarketeve, megjithë thirrjet e vazhdueshme të autoriteteve se nuk ka rrezik në furnizimet me ushqime.

Spanja vë kujdesin shëndetësor privat në shërbim të sistemit shëndetësorë Kombëtar

Masa të pashembullta po ndërmarrin edhe shumë shtete europiane. Në Spanjë dhe Itali qeveria ka vendosur të vërë kujdesin shëndetësor privat në shërbim të atij shtetërorë kombëtarë.

Epidemia e Koronavirusit vazhdon të përparojë në Spanjë, e cila duket se është e destinuar të ndjekë gjurmët e Italisë për sa i përket numrave të personave të infektuar. Për momentin në vend janë regjistruar rreth 290 të vdekur dhe më shumë se 7750 të infektuar.

Ora 10:32
Koronavirusi/Britani e Madhe, 318 mijë viktima, 80% e popullsisë do të infektohet, raporti shokues i ‘Public Health England'

Sipas ‘The Guardian’ e cila citon një dokument nga ‘Public Health England’ (Phe), rreth 80% e banorëve të Britanisë së Madhe do të infektohen nga koronavirusi, do të vdesin të paktën 318 mijë njerëz dhe do të shtrohen në spitale rreth 7.9 milion njerëz, kurse epidemia do të zgjasë deri në pranverën e vitit 2021.

Ndërsa në Londër dhe pjesën tjetër të Britanisë së Madhe jeta po vazhdon si zakonisht dhe, në dallim nga shumica e vendeve europiane, asnjë vend publik nuk është mbyllur, qeveria e kryeministrit Boris Johnson i konsideron masat dragoniane si kundërproduktive, por mbi të gjitha të paqëndrueshme në planin afatgjatë.

Britania e Madhe do fillojë mbylljen pak nga pak, ‘me rubinetë’, jo menjëherë dhe në mënyrë alternative në mënyrë që të menaxhohet fluksi dhe numri i lartë dhe i pashmangshëm i infeksioneve, pa peshuar shumë mbi sistemin shëndetësorë, i cili në të kundërt do vihej në kolaps.

Dokumenti i ‘Public Health England’ (Phe) konfirmon të dhëna të tjera të qarkulluara ditëve të fundit. Me 80 përqind të popullsisë të infektuar, sipas Chris Ëhitty, autoriteti më i lartë mjekësor i qeverisë së Johnson, nëse përqindja e vdekshmërisë në Mbretërinë e Bashkuar do të qëndronte sa është tani në Itali, në këtë rast, vdekjet e vlerësuara nga epidemia e koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar mund të llogariten në rreth 318,000.

‘Public Health England’ llogarit gjithashtu se epidemia do të zgjasë, të paktën në Mbretërinë e Bashkuar, deri në pranverën e vitit 2021, me një ngadalësim në muajt e verës për shkak të më pak kohe të kaluar nga qytetarët në vende të mbyllura, dhe pastaj epidemia do të kulmojë sërish në vjeshtë dhe dimër. Kjo është arsyeja pse, sipas linjës së ‘Doëning Street’, është thelbësore që në Britani të ketë një lloj "imuniteti të tufës", term ky që u përdorë para disa ditësh nga një autoritet i lartë i shëndetit në Britaninë e Madhe dhe që pas polemikave të ditëve të fundit, nuk do të dëgjohet më.

Ora 10:28
Koronavirusi/ Situatë optimiste në Kinë vetëm 16 persona pozitivë, Korea e Jugut 74 raste të reja

1584351915_koreaejugut.jpg

Situata po përmirësohet në Korenë e Jugut në krahasim me 3 javë më parë, gjithashtu edhe në Kinë, pas shifrave të djeshme, me vetëm16 persona pozitivë.

Rastet e reja të koronavirusit në Korenë e Jugut ranë në 74 nga 76 të shtunën të dielën, duke arritur në nivele më të ulëta për tre javë.

Qendra Koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka vendosur numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 8.236, nga të cilat 75 vdekje dhe 1,137 të shëruar nga spitalet. 

Rreth 61% e infeksioneve të identifikuara i atribuohen Kishës së Jezusit Shincheonji, një sekt fetar me qendër në Daegu.

Situata po përmirësohet gjithashtu në Pekin. 

Autoritetet thanë që ata regjistruan vetëm 16 infeksione të reja të dielën, krahasuar katër ditë më parë.

 Nga 16 raste, 12 janë ‘të importuara’. 

Komisioni Kombëtar i Shëndetit Kinez shtoi se kishte 12 vdekje.

Ora 10:22
Koronavirus/ Izraeli solidarizohet me Italinë, flamuri tringjyrësh në muret e Jeruzalemit dhe komunës

1584350667_izraeli.jpg

Komuna e Jeruzalemit së bashku me atë të Tel Aviv ka vendosur të bëjë homazhe dhe solidaritet për viktimat dhe të infektuarit me koronavirus në Itali.

Për këtë arsye, muret e Qytetit të Vjetër janë ndriçuar me flamurin italian në një përqafim simbolik të vendit, të shoqëruar me fjalët: "Itali, Jeruzalemi është me ju".

 E njëjta gjë ndodhi në Komunën e Petach Tikva, në qendër të Izraelit, e cila u ndez me flamurin italian.

Foto nga Jeruzalemi
//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi (VIDEO)

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi (VIDEO)