Fermerët e fshatit Lumalas të Korçës kanë hedhur mijëra ton patate, mundi dhe puna një vjeçare, ku humbjet arrijnë dhjetërta e miliona lekë.

Bujqësia prodhon por nuk shet dot. Një fakt të tillë e tregojnë tonelatat me patate të mbetura stok në magazina dhe flakja e prodhimit bujqësor në fushat e fshatit Lumalas të Korçës.

Importi i patates nga Kosova, por dhe mungesa e lëvizjes për shkak të pandemisë paralizoi tregun duke zeruar shanset e shitjes për këtë prodhim.

Fermerja Luljeta Shahollari tregon se humbja është e konsiderueshme, në dy javët e fundit patatja në Lumalas është shitur nën kosto me 10 lek për kg, por tashmë shitjet kanë stopuar.

"Që para 15 ditësh filloi nën kosto, por nuk është më, nuk  ka ardhur një njeri që të thotë urdhëro 5 lekë për këtë dëm që të është bërë. Sivjet kemi prodhuar 20 mijë kuintalë patate, kemi shitur 12 mijë, 8 mijë janë gjendje, na bllokon shumë malli i futur nga Kosova", është shprehur ajo.

Fermerët ndihen të braktisur nga shteti edhe në Kukës. Në fshatrat e Shishtavecit, shitja e patates me të cilët fermerët e kësaj zone sigurojnë jetesën është bllokuar.

"Kam mbjellë 5 dylym dhe kam marrë 100 kuintalë patate, dhe ato i kam stok nuk po shiten", ka thënë një fermer.

"E rëndojnë çmimin, e marrin 200 e shesin 600(të vjetra), fitojnë trefishin", ka thënë një tjetër fermer në Kukës.

Banorët thonë se prej me shumë se dy muajsh patatja ka mbetur stok dhe e groposur për shkak të mungesës së tregut.

"Kam 7-8 kuintalë deri tani, tanë vitin për këto patate punoj, që nxjerrim të ardhurat. Inshalla shteti mos të marrë nga jashtë pa hequr tonat", ka thënë fermeri.

Patatja është kultura kryesore bujqësorë që mbillet në këtë zonë malore dhe një nga të paktat mundësi ekonomike që kanë banorët e zonës.

Shishtaveci njihet në të gjithë Shqipërinë për pataten e tij. Zakonisht tregtarët e shumicës vijnë dhe e blejnë pataten direkt nga fshatarët, por sivjet për shkak pandemisë dhe masave shtrënguese për COVID-19, kjo nuk ka qenë e mundur.

Patatet stok në Korçë