Numri i viktimave nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut ka shkuar në 30. Në 24 orët e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë kanë humbur jetën 4 persona.
Në njoftimin për shtyp thuhet se një pacient 73-vjeçar ka ndërruar jetë në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup dhe një tjetër person 44-vjeçar është gjetur i vdekur në Kavadar ndërsa në mostrën e marrë pas vdekjes, ai ka rezultuar pozitiv në COVID-19.
Në statistikën e sotme është regjistruar edhe rasti i vdekjes së një pacienti, i cili mbrëmë ndërroi jetë rrugës për në spital.
Ministria e Shëndetësisë ka informuar gjithashtu se ka humbur jetën edhe një paciente 27-vjeçare nga Kumanova.
Në 24 orët e fundit në Maqedoni janë regjistruar 18 raste të reja me koronavirus. Prej tyre, 7 janë në Shkup, 4 në Prilep, nga dy në Kumanovë dhe Manastir ndërsa nga një rast është regjistruar në Kavadar, Krushevë dhe Koçani.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në vend arrin në 617, prej të cilëve 35 janë shëruar.
Shkupi është qyteti me numrin më të madh të të infektuarve në vend, me gjithsej 261 raste.










Komente
Komento