Koronavirusi kinez, 213 të vdekur, Italia konfirmon dy rastet e para, shpall 'Gjendjen e Emergjencës Kombëtare', OBSH: Emergjencë globale

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur 'Emergjencë Globale të Shëndetit publik', teksa numri i të vdekurve në Kinë nga koronavirusi ka shkuar në 213 kurse i të infektuarve rreth 10 000. Deklarimi i OBSH nënkupton miratimin e masave parandaluese të koordinuara globalisht. Ajo që shqetëson më shumë OBSH është shpejtësia e përhapjes së infeksionit.
Sipas tyre, pikërisht masat e kontrollit, izolimit dhe parandalimit, përveç kushteve më të mira të sistemit shëndetësor në krahasim me periudhën e parë të pasluftës, janë të destinuara të ulin në mënyrë drastike vdekshmërinë.

Pavarësisht gjithçkaje, kjo është dita më e errët për Kinën që nga fillimi i epidemisë së koronavirusit.

Sipas të dhënave më të fundit, numri i vdekjeve të reja nga problemet e frymëmarrjes në lidhje me virusin është 43, numri më i lartë i regjistruar deri më tani, duke e çuar në 213 numrin total të atyre që kanë humbur jetën që nga fillimi i epidemisë.

Rreth 2 mijë të tjerë, gjatë ditës, të konfirmuar të prekur nga virusi,  afrojnë numrin e  përgjithshëm të të infektuarve në rreth 10,000.

Që bilanci i përhapjes së infeksionit do bëhej më i rëndë ishte i parashikueshëm dhe pritej, ndërsa jemi akoma larg nga piku.

Për momentin, sipas numrave, nuk ka shenja që karantina e imponuar në Wuhan dhe rajonin e Hubei po sjell efekte pozitive.

Ndërsa mbi 100 000 njerëz po mbahen nën vëzhgim në ‘qytetin ku lindi vdekja’, me simptoma të dyshimta tregon se sa më i madh mund të jetë numri i të infektuarve dhe sa shumë mund të jenë rastet ende të pazbuluara.

Kryeministri italian Giuseppe Conte, në një konferencë për shtyp sëbashku me Ministrin e Shëndetësisë, Roberto Speranza konfirmoi ekzistencën e dy rasteve të para të infektuar me koronavirusin e Wuhan dhe sot ka shpallur 'Gjendjen e Emergjencës Kombëtare' për një periudhë gjashtë mujore.

Dy shtetasit kinez që u konstatuan të infektuar, kishin mbërritur në Itali para dhjetë ditësh ndërsa dje u izoluan në spitalin Spallanzani në kryeqytet.

Në ‘Grand Hotel Palatino’ në Romë ku prej më shumë se 1 jave kishte qëndruar çifti kinez, ekziston frika, edhe pse klientët shprehen se tani për tani janë mirë.

Po në Itali dje rreth 7,000 njerëz u bllokuan në një anije lundrimi në portin e Civitavecchia, pas zbulimit të dy rasteve të dyshuara të koronavirusit.

Pas orëve të gjata të pritjes dhe pas rezultateve negative të analizave, rifilluan procedurat normale të zbarkimit dhe imbarkimit

Dy rastet e para të personave të infektuar me koronavirus janë konfirmuar në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë, në Gjermani ka shkuar në 5 numri i të infektuarve.

Ndërsa gjithnjë e më shumë kompani ajrore po anulojnë fluturimet për në Kinë, Rusia ka njoftuar mbylljen e kufirit kontinental me Kinën. Edhe Italia ka pezulluar fluturimet për dhe nga vendi i madh i dragoit.

Ndërkohë, operacionet e riatdhesimit të europianëve po vazhdojnë.

SHBA dhe Japonia kanë riatdhesuar gjithë shtetasit e tyre. Të njëjtën gjë janë duke përfunduar Franca dhe Portugalia kurse sot pritet që edhe Italia të kryej evakuimin e shtetasve të saj.

Fluturimet evakuuese europiane po koordinohen nga një qendër emergjente në Bruksel, në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Komunitetit, i aktivizuar nga Komisioni, me marrëveshjen e Shteteve Anëtare.

Ekspertët kinezë vërejnë se me masa adekuate të frenimit dhe parandalimit, infeksionet mund të ulen, por përparësia është gjetja e një vaksine: sipas studiuesve kinezë, do të duhen të paktën 3 muaj. Një laborator në Kaliforni planifikoi testet e para midis qershorit dhe korrikut. Rusët dhe Australianët janë gjithashtu në punë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:21
Koronavirusi...koronavirusi.., por një tjetër virus 'bën kërdinë' në SHBA

Një virus vdekjeprurës po shpërndahet me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas CNN, 15 milionë amerikanë janë prekur nga ky virus dhe më shumë se 8200 vetë kanë humbur jetën prej tij vetëm këtë sezon.

Bëhet fjalë për virusin e gripit, një vrasës i heshtur, ndërkohë që e gjithë vëmendja botërore është përqendruar te koronavirusi kinez.

Deri tani të paktën 140 mijë persona janë shtruar në spitalet amerikane me ndërlikime nga gripi dhe numri parashikohet të rritet edhe më shumë.

Sipas mjekes Margot Savoy, nga Universiteti “Temple”, kjo po ndodh për shkak se njerëzit nuk i kushtojnë shumë rëndësi.

“Të gjithë mendojnë në dimër se çdo shqetësim është thjesht një e ftohur e lehtë. Nënvlerësimi është arma më vdekjeprurëse e gripit”, thotë ajo për CNN.

Ekspertët parashikojnë se të paktën 12 mijë vetë mund të humbin jetën në SHBA nga gripi, çdo vit.

Përveç SHBA gripi është bërë shqetësues edhe në vende të tjera të botës me mijëra të prekur dhe viktima po ashtu.

Në Itali, në javën e tretë të janarit, mesatarisht 228 njerëz gjetën vdekjen çdo ditë për shkak të gripit sezonal.

Shifra, e llogaritur në bazë të statistikave të 'Istituto Superiore di Sanità', është më e ulët se ajo e 250 vdekjeve të pritshme ditore, dhe ka të ngjarë që ta keni lexuar diku tjetër ditët e fundit si një masë krahasimi me koronavirusin e ri (2019-nCoV), i cili që nga identifikimi i tij në fund të vitit 2019  ka shkaktuar vdekjen e të paktën 213 personave në të gjithë në Kinë. Krahasimi mund të japë një ide mbi ndikimin e dy sëmundjeve virale në popullatë.

Edhe pse është akoma shumë herët, shkalla e vdekshmërisë së koronavirusit të ri kinez vlerësohet të jetë 2%.

Niveli i vdekshmërisë së infeksioneve në viruset:

·         SARS: 12%

·         MERS: 30%

·         Gripi H5N1: 30%

·         Rastet e gripit të rëndë sezonal: 5% / 10%

·         Shkalla e përgjithshme e ndikimit, rreth 0.03%

·         Meningjiti: 15%

Ora 16:59
Në Suedi është konfirmuar rasti i parë i infektimit nga koronavirusi kinez

Në Suedi është konfirmuar rasti i parë i infektimit nga koronavirusi kinez.

Ajo është një vajzë 20 vjeçare.

Ky është rasti i parë në Suedi që dikush infektohet me virusin e Wuhan.

"Nuk është e papritur pas disa rasteve të dyshuar”, - tha Karin Tegmark Wisell, kreu i departamentit të shëndetit public në Suedi.

E infektuara ishte kthyer para pak ditësh nga Wuhan dhe konfiromhet se nuk ka pasur asnjë kontakt pasi ishte kthyer në shtëpi.

Vajza aktualisht po trajtohet në klinikën e infeksionit në Spitalin e Qarkut Ryhov në Jönköping.

Ora 16:20
Koronavirusi po përhapet bashkë me racizmin dhe ksenofobinë ndaj aziatikëve

Një gazetë franceze kishte botuar fundjavën e kaluar një shkrim në faqen e saj të parë të titulluar ‘Alarm i Verdhë’. Shkrimi gjithashtu shoqërohej nga imazhi e një guaje kineze me maskë në fytyrë. Në një tjetër titull gazete, edhe kjo franceze, lexohej ‘Kërcënimi i Ri i Verdhë?’

Titujt tërhoqën zemërimin e menjëhershëm të lexuesve të cilët akuzuan gazetat se kishin përdorur gjuhë fyese. Gazeta shpejt kërkoi falje dhe tha se qëllimi nuk ishte përmendja e steriotipeve raciste ndaj aziatikëve.  

"Yellow Peril" apo ndryshe “Rreziku i verdhë " është një ideologji e njohur dhe e vjetër raciste që shënjestron aziatikët lindorë. Shprehja mishëron më të keqen nga stereotipet anti-aziatike, të cilat kanë pllakosur komunitetet e imigrantëve që nga fillimi i valëve të para të emigracionit kinez në Shtetet e Bashkuara në shekullin e 19-të.

Ndërsa përhapet paniku, kështu ndodh edhe racizmi

Ndërsa lajmet për virusin janë përhapur, shumë njerëz me origjinë aziatike që jetojnë jashtë vendit të tyre thonë se janë trajtuar si patogjenë të gjallë. Gazeta britanike 'The Guardian' shkruan se në autobuzë vendasit i shmangen kujtdo që dallohet se është nga Azia. Në Kanada, ka pasur raportime se fëmijët kinezë janë ngacmuar ose veçuar në shkollë. Në Zelandën e Re - ku nuk ka raste të konfirmuara të koronavirusit - një grua nga Singapori  tha se ajo ishte përballur me ngacmime raciste teksa ndodhej në një qendër tregtare.

Këto raste i bëjnë jehonë historisë së gjatë të racizmit në perëndim. 

Gjatë epokës së "Yellow Peril", frika anti-kineze çoi në linçimin e imigrantëve kinezë të cilët pësuan dhunë racore, diskriminim sistematik - madje edhe ndalim të plotë për emigrantët kinezë për 61 vjet në SHBA në bazë të ‘Ligjit të Përjashtimit nga Vendi’. Kjo është arsyeja pse termi "Rreziku i Verdhë", i cili përmban trauma shekullore, është kaq i ngarkuar emocionalisht.

Ndoshta forma më e përhapur e ksenofobisë vjen nga stereotipa të çuditshme dhe sensacioniste për ushqimin kinez.

Koronavirusi i ri deri tani besohet se ka ardhur nga një treg i prodhimeve të detit dhe kafshëve të egra në Wuhan, dhe shkencëtarët kanë thënë se me shumë mundësi, virusi ka qënë bartës te lakuriqët dhe gjarpërinjtë dhe më pas ka kaluar te njëriu.

Kjo ka nxitur një valë të pangopur racore ndaj ushqimit kinez nga shumë njerëz që akuzojnë kinezët se janë ata që përmes mënyrës së tyre të të ushqyerit kanë shkaktuar një pandemi të mundshme globale.

Ajo që shpesh mungon nga keqinformimi viral dhe mbulimi i befasishëm i mediave është se vetëm një pakicë e vogël e njerëzve në Kinë në të vërtetë hanë kafshë të egra. Shumë njerëz hanë pothuajse të njëjtat gjëra që ne konsumojmë në kuzhinën tonë si mish derri apo pule. Në fund të fundit, ajo që njerëzit pëlqejnë të hanë është relativisht kulturore.

Sigurisht kjo nuk do të thotë që të gjitha kritikat ndaj ushqimit kinez janë të pavlefshme; Kina ka një problem me tregtinë e parregulluar të kafshëve të egra, e cila ka çuar në shpërthime të mëparshme të virusit.

Kreu i Shëndetit Publik të Torontos, në Kanada tha se dezinformatat rreth virusit kishin krijuar "një stigmë të panevojshme kundër anëtarëve të komunitetit kinez në Kanada".

Ora 15:25
Gjermani, një fëmijë i infektuar nga koronavirusi i ri kinez

Ministria e Shëndetësisë e Bavarisë njoftoi se mes gjashtë rasteve të konfirmuara të infektuar nga koronavirusi që shpërtheu në Wuhan, është edhe një djalë i vogël.

Të gjitha rastet e prekura nga infeksioni i virusit kinez janë të lidhura me një kompani bavareze, e cila ishte vizituar nga një grua kineze e infektuar ndërsa kishte ardhur nga qyteti i Wuhan, epiqëndra e virusit vrastar.

Po sot edhe Britania e Madhe konfirmoi infektimin e dy personave kurse dje Kryeministri italian Giuseppe Conte, gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp tha se Italia kishte regjistruar tashmë dy personat e parë të infektuar.

Ora 15:23
Rusia konfirmon dy raste të personave të infektuar me virusin e Wuhan

Zëvendëskryeministrja Tatiana Golikova ka njoftuar se në Rusi tashmë janë konfirmuar dy persona të infektuar nga koronavirusi që shpërtheu në qytetin industrial të Wuhan.

Po sot edhe Britania e Madhe konfirmoi infektimin e dy personave kurse Gjermania zyrtare tha se një tjetër person ishte shtuar listës prej 5 të infektuarish, duke e çuar numrin e përgjithshëm të atyre të prekur nga virusi në gjashtë.

Dje Kryeministri italian Giuseppe Conte, gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp tha se Italia kishte regjistruar tashmë dy personat e parë të infektuar. Ata ishin një çift kinez që kishte mbërritur në Itali para një jave dhe kishin disa ditë që po qëndronin në Romë.

Ora 14:31
Në Kinë psikoza është më e fortë se virusi: kinematë, teatrot, palestrat janë mbyllur dhe njerëzit e paktë në rrugë duken si fantazma

Në Kinë psikoza është më e fortë se virusi: kinematë, teatrot, palestrat janë mbyllur dhe njerëzit e paktë në rrugë duken si fantazma.

Pothuajse 10,000 njerëz të infektuar dhe 213 të vdekur.

Ndërsa bilanci i koronavirusit vazhdon të përkeqësohet dhe OBSH ka shpallur Gjendjen e Emergjencës Globael, në Kinë psikoza është më e fortë se virusi

Njerëzit qëndrojnë të mbyllur në shtëpi dhe nëse duhet të dalin në rrugë vendosin maska dhe mjetet të tjera mbrojtëse.

Fabrikat mbeten të mbyllura, si dhe shumë dyqane. Kinematë, teatrot, palestrat dhe vendet e tjera të argëtimit publik mbeten të mbyllura deri në një njoftim të mëtejshëm.

Kombi më i populluar në botë ka mbetur i bllokuar në karantinë, duke pritur që numri i të infektuarve të fillojë të ulet.

Ora 13:00
Koronavirusi, vdes në rrugët e Wuhan nga një atak në zemër. Nga frika e infektimit, askush nuk e ndihmon (FOTO)

Psikoza është më e fortë se virusi.

Dje, një burrë i moshuar i goditur nga një sulm në zemër, ndërsa ai po kthehej në shtëpi, u la të vdiste ndërsa askush nuk guxonte t'i afrohej.

Ngjarja ndodhi në qytetin Wuhan, në Kinë, aty ku filloi pandemia e koronavirusit që po frikëson planetin.

Askush nuk e ndihmoi burrin, i cili mbante një maskë në fytyrën si të gjithë bashkëqytetarët e tij.

Në qytetin industrial me 11 milionë njerëz nën karantinë, në rrugë ka vetëm disa kalimtarë, por ata nuk guxojnë të shkojnë pranë viktimës.

Ora 12:46
Vendet e Ballkanit marrin masa paraprake mes frikës së koronavirusit

Ndërsa shqetësimi për përhapjen e koronavirusit po rritet, disa vende të Ballkanit kanë ndërmarrë masa paraprake fillestare, duke lëshuar informacione për mbrojtjen dhe duke rritur kontrollet për udhëtarët.

Disa vende të Ballkanit kanë rritur masat e sigurisë shëndetësore në aeroportet dhe vendkalimet kufitare dhe kanë lëshuar informacione për mbrojtjen e qytetarëve të tyre, pasi ekziston shqetësimi për një shpërthim të mundshëm infeksionit në rajon.

Serbia ka forcuar kontrollet në vendkalimet kufitare dhe të gjithë udhëtarët nga zonat e infektuara janë të detyruara të raportojnë tek shërbimet epidemiologjike brenda 24 orëve pasi të hyjnë në vend.

Ministria e Jashtme në Kroaci ka nxjerrë një rekomandim për qytetarët që të "shtyjnë udhëtimet e tyre në provincat e Hubei dhe qytetin e Wuhan.

Në Rumani, Ministria e Shëndetësisë po operon në aeroporte me kamera skanimi termik të afta për të zbuluar pasagjerë të sëmurë.

Maqedonia e Veriut gjithashtu ka vendosur kamera skanimi termik në aeroportin e saj kryesor ndërkombëtar në Shkup. Autoritetet kanë frikë se infeksioni mund të përhapet nga fluturimet që vijnë nga Dubai dhe Stambolli, kurse Bullgaria dhe Kosova deri më tani nuk kanë futur masa shtesë paralajmëruese në terminalet e aeroporteve dhe vendkalimet kufitare.

Ora 12:45
Koronavirusi, një rast i tretë i dyshuar në Romë: Kontakt me çiftin kinez

Një rast i tretë i dyshuar në Romë i infektuar me virusin kinez.

Ai është një punëtor rumun që thotë se kishte qenë në hotel dhe kishte patur kontakt me çiftin kinez që tashmë janë konfirmuar si të infektuar nga virusi i Wuhan.

42-vjeçari rumun, Marian C, i cili u shtrua në spitalin e Tivoli-t pasi kishte ethe dhe temperaturë të lartë kishte qenë në kontakt me çiftin kinez në hotelin Palatino.

Ndërkohë, lëvizjet e çiftit të infektuar dhe grupit të turistëve kinezë, janë duke u hetuar dhe është konstatuar se ata kishin bërë ndalesë në Parma para se të mbërrinin rreth një javë më parë në Romë.

Ora 11:40
Koronavirusi, Italia shpall 'Gjendjen e Emergjencës Kombëtare' për një periudhë gjashtë mujore

Në Itali, Këshilli i Ministrave ka shpallur 'Gjendjen e Emergjencës Kombëtare' për një periudhë gjashtë mujore, pas konstatimit të dy rasteve të para të të infektuarve nga koronavirusi i ri kinez.

Ndërkohë, kryeministri Conte ka njoftuar mbylljen e trafikut ajror në dhe nga Kina, Macao, Hong Kong dhe Taipei.

Dy rastet e para të personave të infektuar me koronavirus janë konfirmuar edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkohë, në Gjermani ka shkuar në 5 numri i të infektuarve.

Dje Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur 'Emergjencë Globale të Shëndetit publik', teksa numri i të vdekurve nga koronavirusi ka shkuar në 213 kur se i të infektuarve rreth 10 000.

Ajo që shqetëson më shumë OBSH është shpejtësia e përhapjes së infeksionit. Sipas tyre, pikërisht masat e kontrollit, izolimit dhe parandalimit, përveç kushteve më të mira të sistemit shëndetësor në krahasim me periudhën e parë të pasluftës, janë të destinuara të ulin në mënyrë drastike vdekshmërinë

Ora 11:37
Mbretëria e Bashkuar konfirmon 2 rastet e para me koronavirus, në Gjermani shkon në 5 numri i të infektuarve

Dy rastet e para të personave të infektuar me koronavirus janë konfirmuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Pacientët, të cilët janë anëtarë të së njëjtës familje, por kurohen nga Shërbimi Kombëtar Shëndetësor në veriperëndim të Anglisë.

Ndërkohë, në Gjermani ka shkuar në 5 numri i të infektuarve.

Rasti i fundit është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë e Landit të Bavarisë.

Pacienti, mashkull, ishte i punësuar në të njëjtin vend ku punonin edhe 4 personat e infektuar, të cilët e kishin marrë virusin nga një kolege që kthehej nga Kina. 

Ora 08:56
SHBA-të shpërndajnë imazhin e koronavirusit kinez

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Atlanta, Shtetet e Bashkuara, ka shpërndare imazhin e morfologjisë ultrastrukturore (struktura që nuk është e dukshme me mikroskopin optik, por vetëm me mikroskopët elektronikë dhe jonikë më të fuqishëm) të koronavirusit (2019 -ncov).

Eshtë ky virusi i identifikuar si shkaku i epidemisë së sëmundjes së frymëmarrjes që shpërtheu në Wuhan, Kinë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetit, vdekjet e shkaktuara nga koronavirusi janë 213.

Ekzistojnë 9776 raste të konfirmuara në Kinë, 12.167 raste të dyshimta, rreth 100 000 nën kontroll dhe 1.370 pacientë në gjendje të rëndë.

Sa i përket Evropës, ka dymbëdhjetë raste të konfirmuara, pesë në Francë, një në Finlandë, katër në Gjermani dhe dy në Itali.

Ora 21:00
Mbi 170 viktima/ OBSH-ja shpall emergjencën globale nga virusi kinez

1580414569_OBHS.jpg

Organizata Botërore e Shëndetit ka shpallur emergjencën globale, pasi virusi vazhdon të përhapet jashtë Kinës.

"Arsyeja kryesore nuk është ajo që po ndodh në Kinë por ajo që po ndodh në vendet e tjera" tha shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, teksa bëri njoftimin në një konferencë për shtyp në Gjenevë. Shqetësimi është se virusi kinez mund të përhapet në vendet me sisteme të dobëta shëndetësore.

Nga virusi kinez kanë humbur jetën mbi 170 persona, ndërsa mijëra janë infektuar. Virusi nuk ka shkaktuar viktima vetëm në Kinë, por është përhapur edhe në vende të tjera duke ngritur alarmin.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Muslim: 31/01/2020 19:31

    Allahu akber. Te gjitha jane te shkruar ne kuran.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Report Tv, Namir Lapardhaja: PS ka rritje, prej 'luftës civile' në PD! Partitë e reja të gjejnë forcë të bashkohen rreth euro-atlantizmit

Sondazhi i Report Tv, Namir Lapardhaja: PS ka rritje, prej 'luftës civile' në PD! Partitë e reja të gjejnë forcë të bashkohen rreth euro-atlantizmit