Masa të reja radikale mund të shpallen në fundjavë nga qeveria italiane e kryeministrit Giuseppe Conte në përpjekje për të frenuar epideminë e koronavirusit.
Sipas mediave italiane masat e reja që mund të merren përfshijnë- ndalimin e praktikimit të sporteve në natyrë, shëtitjet jo të destinuara për blerje, për punë dhe për arsye shëndetësore. Supermarketet do të reduktojnë oraret e shërbimit. Gjatë javës mendohet që ato të jenë të hapura deri në orën 19 kurse në fundjavë deri në orën 15. Do shtohen kontrollet në rrugë dhe parqe nga Ministria e Brendshme si dhe do shtohen kontrollet te personat e detyruar të futen në karantinë.
Masat e reja vijnë në një kohë kur Guvernatori i Rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana deklaroi dje se ditët kur ‘me mirësjellje iu drejtuam njerëzve apelin për të qendruar në shtëpi kanë mbaruar dhe se tani e tutje autoritetet e ligjit do të tregohen më agresivë, duke mos përjashtuar bllokimin total të lëvizjeve’ kurse Ministri i Sportit Vincenzo Spadafora ka deklaruar se qeveria do jetë e detyruar të bëjë ndalim edhe të aktiviteteve në natyrë.
Ndërkohë sanksione të forta janë ushtruar jo vetëm ndaj personave që shkelin rregullat e përcaktuara por gjithashtu edhe ndaj bizneseve që janë gjetur në shkelje të ligjit të emergjencës shëndetësore.
Kryeministri italian Giuseppe Conte ka paralajmëruar zgjatjen e afatit të mbylljes së shkollave dhe aktivitetit të disa bizneseve. Në një intervistë për Corriere della Sera për emergjencën e koronavirusit, Conte tha se është e pamundur tani për tani rikthimi në jetën normale. Ai tha se edhe kur numri i të infektuarve të filloj të ulet të paktën në përqindje, shpresojmë në pak ditë, ne nuk do të jemi në gjendje të kthehemi menjëherë në jetën tonë të mëparshme.
Kryeministri Conte tha se ai do të këshillohet me komitetin shkencor, i ngritur pranë qeverisë, përpara çdo veprimi që do të ndërmarrë.
Lajmi kryesor: