Koronavirusi/ Në Itali 107 viktima, 30 ditë rregulla dhe masa të reja: Jo shtrëngime duarsh, 1m distancë! Mbyllen shkollat dhe universitetet

Itali shpresohej që kurba e infeksioneve do niste zbritjen në grafikun e epidemisë. Por pas të dhënave të ditës së djeshme mbi numrin e të infektuarve, Komiteti Shkencor pranë qeverisë Conte ka hartuar rregulla të reja dhe radikale për tju përgjigjur përhapjes së koronavirusit, të cilat tani vlejnë për të gjithë dhe jo vetëm për qytetarët e rajoneve të prekura nga infeksioni.

Nga sot eventet sportive do të zhvillohen me dyer të mbyllura, distanca e sigurisë mes njerëzve duhet të jetë të paktën 1 metër, të eleminohen kontaktet fizike gjatë përshëndetjeve si takimi i duarve, puthjet dhe përqafimet kurse të moshuarit mbi 65 vjeç duhet të reduktojnë në maksimum daljen në rrugë.

Për autoritetet "Kjo nuk do të thotë se të moshuarit do të duhet të barrikadojnë veten në shtëpi, por do të jetë më mirë të shmangin udhëtimet, vendet e populluara si dhe udhëtimet me autobus ose metro".
Këto rekomandime ndërkohë po shpërndahen në të gjithë vendin nga autoritetet e shëndetësisë. Të gjitha rekomandimet janë të vlefshme për të paktën 30 ditë, nuk janë të detyrueshme por shkencëtarët dhe qeveria shpresojnë se do të vihen në praktikë nga italianët.

Drejtori i Departamentit të Sëmundjeve Infektive të Istitutit të Shëndetit, Giovanni Rezza tha se tani është bërë e domosdoshme që njerëzit të ndryshojnë sjelljen dhe të bëhen më pak social, të moshuarit mbi 65 vjeç të reduktojnë në maksimum kontaktet dhe ekspozimin në rrugë pasi sipas të dhënave nga rajoni i Lombardisë, 53 përqind e të gjithë të infektuarve janë të kësaj grupmoshe.

Rezza ka hipotezuar edhe mundësinë e shtrirjes së zonave së kuqe në disa bashki dhe zona të tjera të vendit, duke përjashtuar Milanon.

Ai tha se ‘Ekziston nevoja për të ruajtur masat e marra deri më tani dhe ka të ngjarë të ketë nevojë për zgjerimin e zonave të kuqe bazuar në incidencën e koronavirusit.

Dekreti i ri qeveritar

Dekreti i ri qeveritar që parashikohet të hyjnë në veprim javën e ardhshme parashikon rritjen në 4 miliardë euro të financave të akorduara në përgjigje të emergjencës së epidemisë.

Ambicia e qeverisë është ti jap shtysë rritjes ekonomike dhe të shmang ‘mbytjen’ e saj për shkak të përhapjes së virusit.

Sidoqoftë, Kryeministri Conte e di se duhet të bëhet më shumë, se kundërshtimet, por edhe zëra të rëndësishëm të mazhorancës, kërkojnë një ndërhyrje edhe më radikale.

Por Kryeministri po përpiqet të marrë dritën jeshile nga Brukseli së pari për këtë rritje pasi ajo do të ndikojë në rritjen e deficitit nga 2.2 në 2.4%.

Fotografia e dekretit do të jetë më e qartë ne ditët në vazhdim, por dihet tashmë që masat e destinuara për të gjithë territorin kombëtar kanë të bëjnë me tre fusha të ndërhyrjes: Siguria sociale, shëndetësi dhe mbrojtje civile dhe sektori prodhues.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 00:16
Itali, Conte urdhëron pezullimin e eventeve publike e private për shkak të COVID-19: Respektoni distancën

1583364786_Conte.jpg

Vijon përshkallëzimi i situatës për shkak të koronavirusit në Itali, ku 107 persona kanë humbur jetën, 3 mijë e 98 janë konfirmuar të infektuar, ndërsa 276 të tjerë kanë mundur të rikuperohen pas infektimit. Kryeministri Giuseppe Conte përmes një udhëzimi ka urdhëruar pezullimin e çdo eventi publik apo privat që shkakton grumbullim njerëzish, duke u kërkuar që të respektojnë distancën mes tyre për çështje sigurie në të paktën një metër.

“Janë pezulluar demostratat, çdo event dhe spektakël i çfardo lloj natyre, përfshirë ato kinematografike dhe teatrale, të kryera në vende publike edhe private,të cilat shkaktojnë grumbullime turmash si dhe nuk lejojnë respektimin e distancës së sigurisë ndërnjerëzore në të paktën një metër", thuhet në udhëzimin e nënshkruar nga Conte.

Ora 18:16
Epidemia/Itali, 107 viktima. Flasin virologët: Koronavirusi, armiku ynë i ri që ka frikë nga nxehtësia

Sipas të dhënave të fundit nga autoritetet italiane numri i viktimave nga koronavirusi ka shkuar në 107, të infektuar 2706, të shëruarit 276 kurse pacientë me koronavirus nën kujdesin intensiv 295.

Nga të dhënat e Komisionerit Angelo Borrelli, në spitale ka më shumë se 1,346 të shtruar me simptoma ndërsa 1.065 janë në izolim në shtëpi.

Flasin virologët italianë: Koronavirusi, armiku ynë i ri, më ngjitës se gripi, ka frikë nga nxehtësia, infekton për tu riprodhuar

Massimo Clementi, Profesori i mikrobiologjisë në Universitetin San Raffaele në Milano tha se Koronavirusi që mbërriti mes nesh është një foshnjë e porsalindur, është tre muajsh. Në nëntor ai qarkullonte thuajse i pashqetësuar. Ai është shumë i vogël. Si një fëmijë i mirë, ai pëlqen të shkatërrojë dhe deri tani ka shkaktuar më shumë se 3,100 viktima dhe 5 trilion dollarë humbje në bursë.

Një organizëm që nuk është parë kurrë

Frika është vajza e pasigurisë. "Është një virus i ri edhe për shkencën - konfirmon Paolo Bonanni, profesor i Higjienës në Universitetin e Firences. "Na duket se ai do vinte pas disa shekujsh, por ka qenë në mesin tonë prej pak muajsh. Shumë pyetje i bëjmë vetes, thjesht nuk kemi përgjigje”.

“Ne po lëvizim në terren por pa harta”, - tha drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesu. - Ky virus nuk është as Sars dhe as grip. Është një virus unik me karakteristika unikale".

Infekton për të mbijetuar

Infektimi është një domosdoshmëri për mikrobet. "Jashtë organizmave, ata mbijetojnë për disa orë," shpjegon Clementi- Dhe nga këndvështrimi i një virusi, nuk ka parajsë më të mirë sesa bota jonë e sotme me miliarda njerëz dhe shumë afër me njëri tjetri”

"Kontaminimi- shpjegon Alberta Azzi, mikrobiolog në Universitetin e Firences - varet nga aftësia e virusit për të depërtuar në qeliza. Është sikur disa të kishin çelësa më të mirë se të tjerët".

"Shkalla e përhapjes varet nga virusi, por edhe nga vendi" shpjegon Bonanni. "Përballë një mikrob të ri, trupi ynë nuk ka mbrojtje imune. Dyert e tyre të preferuara janë rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Ai kanalizohet thellë në mushkri, në pjesën më fisnike dhe më delikate të njeriut" - thotë Bonanni. Pas mesatarisht 5 ditëve të inkubacionit, 5-7 ditë të tjera kalojnë me simptoma të ngjashme me gripin. Pastaj, te pacientët e prekur edhe nga sëmundje të tjera, shfaqen simptoma si vështirësia e frymëmarrjes.

“Epidemia do të vazhdojë të paktën deri me ardhjen e temperaturave të larta. Gripi i verës migron në hemisferën jugore, pastaj kthehet," - shpjegon Azzi. Nëse koronavirusi gjithashtu do ndiqte të njëjtin kurs, çdo gjë do niste nga e para por ndërkaq sistemi ynë imunitar do ketë mësuar të mbrohet, sipas rregullave të luftës së përjetshme midis njeriut dhe viruseve”.

Ora 15:04
Koronavirusi, Irani do të lirojë përkohësisht 54,000 të burgosur për shkak të epidemisë

Irani do të lirojë përkohësisht 54,000 të burgosur për shkak të epidemisë ndërsa zyrtarët kanë njoftuar një seri masash për të përmirësuar infeksionet vdekjeprurëse

Irani raportoi të mërkurën se numri i vdekjeve në vend u rrit në 92, pasi 586 raste të reja të prekur nga virusi i ri kinez u raportuan brenda natës, duke e çuar totalin në 2,922.

Rreth 8% e ligjvënësve iranianë u testuan pozitivë për virusin. Lista e zyrtarëve përfshin zv Ministrin e Shëndetësisë, Ministri i Industrisë dhe 23 deputetë. Media shtetërore iraniane raportoi të hënën për vdekjen e Mohammad Mirmohammadi, 71 vjeç, këshilltar i liderit suprem të Iranit.

Por ekspertët mjekësorë thonë se shifrat janë të dyshimta. Një studim kanadez parashikoi një javë më parë se numri i vërtetë i infeksioneve mund të ishte mbi 18,000 në Iran.

Rrugët e Teheranit janë të shkreta ndërsa banorët në panik janë mbyllur në shtëpi nga frika e infeksionit.

Ora 14:04
Koronavirusi-Itali/Masa parandaluese. Mbyllen shkollat dhe universitetet deri ​​në 15 mars

Emergjenca e koronavirusit në Itali, qeveria ka urdhëruar mbylljen e menjëhershme të shkollave dhe universiteteve në të gjithë Italinë nga sot deri në mes të marsit

Qeveria, për vendimin për mbylljen e shkollave dhe universiteteve është mbështetur në mendimin e komisionit shkencor që dje kishte rekomanduar tashmë mbylljen edhe për një muaj të ngjarjeve sportive në të gjithë vendin. 

Në mëngjes nga Puglia masa e mundshme e qeverisë u parapri nga fjalët e guvernatorit Michele Emiliano i cili tha, "Unë i ftoj të gjitha familjet që të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë sepse nuk janë të detyruar t'i dërgojnë", tha ai gjatë konferencës për shtyp të mbledhur në Bari.

Mbyllja e njëkohshme e 40,879 shkollave italiane në njëzet rajone do të thotë që 8.5 milionë nxënës, nga të cilët shtatë milion e 682 mijë të regjistruar në shkolla publike, do ta zhvillojnë procesin mësimor në distancë, gjë për të cilën Ministria e Arsimit ka përgatitur një plan mësimi elektronik. Mendohet gjithashtu që nuk do të ketë zgjatje të vitit shkollorë kurse Ministria e Arsimit tashmë ka një plan të detajuar për “Provimet e Shtetit."

Ora 12:50
OBSH: Gjithashtu edhe kartëmonedhat mund të përhapin infeksionin e koronavirusit

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, e cituar sot nga BBC, edhe kartëmonedhat gjithashtu rrezikojnë të jenë një mjet për përhapjen e infeksionit nga koronavirusi.

"Dihet se paratë i ndryshojnë shpesh duart dhe mund të kapin çdo lloj bakterie apo virusi, kështu që ne sugjerojmë që njerëzit të lajnë duart pas përdorimit të parave" dhe në veçanti "nuk duhet të prekin fytyrën”.

Kina dhe Koreja e Jugut ditët e fundit tashmë kanë filluar dezinfektimin e kartëmonedhave në qarkullim. Sidoqoftë, Banka e Anglisë ka ulur rrezikun e përhapjes së infektimit nga paratë për Mbretërinë e Bashkuar, duke vërejtur se një numër i madh i kartëmonedhave të reja 'të plastifikuara' (të bëra me polimere) dhe që po qarkullojnë në vend, kanë aftësinë t’i mbajnë larg viruset dhe bakteret, të cilat gjithashtu nuk mund ‘të jetojnë’ te kartat e kreditit.

Për Organizatën “Epidemia e koronavirusit po bëhet gjithnjë e më komplekse. ‘Covid-19’ nuk është ‘Sars’, nuk është as ‘Mers’ dhe nuk ka të njëjtin ndikim te njëriu. Është një virus unik me karakteristika unike 'dhe për këtë arsye kriza "nuk mund të zgjidhet vetëm nga organizimi i autoriteteve të kujdesit shëndetësor dhe as nga një vend i vetëm, por kërkon bashkëpunim dhe koordinim global"

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit tha se 'Në krahasim me gripin normal, koronavirusi është më serioz’, sepse globalisht rreth 3.4% e të infektuarve kanë vdekur, ndërsa shkalla e vdekshmërisë sezonale nga gripi është më e ulët me 1%', duke shtuar se, 'ndërsa kemi vaksina ndaj gripit, aktualisht nuk ka vaksina dhe trajtime specifike për ‘Covid-19’, edhe pse ende më shumë se njëzet vaksina po zhvillohen globalisht'.

Ora 11:45
Koronavirusi/Itali, gati plani qeveritar për të rritur me 50% vendet në kujdesin intensiv shëndetësor

Stafi shëndetësor rishpërndau për ndihmën dhe riorganizimin e aktiviteteve lokale spitalore. Tre mjekë dhe katër infermierë ushtarakë mbërrijnë gjithashtu në zonën e Lodi, Mbrojtja Civile aktivizon stacionet e energjisë elektrike në distancë. Zgjatja e mbylljes së shkollave përtej 8 Marsit vlerësohet

Është gati plani i Qeverisë Conte për të rritur me 50% vendet e kujdesit intensiv shëndetësorë i hartuar nga Ministria e Shëndetësisë. Pritet gjithashtu një rritje me 100% e shtretërve në repartet e pulmonologjisë dhe njësive të sëmundjeve infektive. Është parashikuar gjithashtu edhe një "rimodulim i aktiviteteve spitalore" dhe " rishpërndarja e personelit shëndetësor si dhe rritja e kapaciteteve njerëzore trajnuese në mbështetje të mjekëve dhe infermierëve që po përballen me epideminë.

Gjithashtu në përballje të situatës janë vënë në dispozicion të autoriteteve edhe objekte ku mund të trajtohen pacientë që mund të preken nga Covid-19.

Gjithmonë për të qenë të gatshëm për çdo emergjencë shëndetësore, Mbrojtja Civile ka aktivizuar qendrat për koordinimin e ndihmës urgjente mjekësore. Këto janë dy struktura, një në Piemonte dhe një në Toscana, të gatshme për të koordinuar dhe kryer çdo lëvizje të pacientëve nga një spital në tjetrin.

Masat për të mbështetur spitalet në zonën e kuqe

Ministria e Mbrojtjes ka vënë në dispozicion - në rast nevoje dhe me kërkesë të autoriteteve kompetente për emergjencën e koronavirusit - rreth 2.200 dhoma dhe rreth 6.600 shtretër, të shpërndara në të gjithë territorin kombëtar, në favor të qytetarëve që duhet t'i nënshtrohen periudhës së mbikqyrjes.

Ora 10:08
Koronavirusi/Sulm racist në Londër. 92 mijë raste në mbi 70 vende. Në Iran, 23 parlamentarë dhe ministri i industrisë të infektuar

Sipas të dhënave të azhornuara, deri tani koronavirusi ka vrarë 3,200 njerëz, shumica në territorin e Kinës. Aktualisht epidemia është shtrirë në mbi 70 vende dhe territore. Zona të tjera të kuqe janë Irani, Japonia, Koreja e Jugut dhe Kina.

Sulm racist ndaj 23-vjeçarit në Londër

Një djalë 23-vjeçar nga Singapori që studion në Londër tha në Facebook se ishte sulmuar, rrahur dhe goditur me shkelma gjatë një sulmi racist. Jonathan Mok përshkroi çdo detaj të sulmit në postimin e tij. Ai tha se ishte goditur nga një grup njerëzish në Oksford Street, një zonë tregtare e mbushur me njerëz në qendër të kryeqytetit britanik. Agresorët, ndërsa po e shqelmonin thërrisnin: Nuk duam në vendin tonë koronavirusin tuaj. Mok gjithashtu falënderon të gjithë ata ë e kanë përkrahur dhe e kanë ndihmuar në përhapjen e mesazhit të tij.

“Unë thjesht shpresoj se të gjithë mund të punojmë së bashku për të zhdukur racizmin në këtë botë dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë "- shkruan Jonathan Mok

Irani në pikën e thyerjes

Në Iran deri tani janë regjistruar mbi 2300 raste të konstatuar të infektuar nga koronavirusi kurse numri i viktimave ka shkuar në 77.

Rreth 8% e ligjvënësve iranianë u testuan pozitivë për virusin. Lista e zyrtarëve përfshin zv Ministrin e Shëndetësisë, Ministri i Industrisë dhe 23 deputetë. Media shtetërore iraniane raportoi të hënën për vdekjen e Mohammad Mirmohammadi, 71 vjeç, këshilltar i liderit suprem të Iranit.

Por ekspertët mjekësorë thonë se shifrat janë të dyshimta. Një studim kanadez parashikoi një javë më parë se numri i vërtetë i infeksioneve mund të ishte mbi 18,000 në Iran.

Rrugët e Teheranit janë të shkreta ndërsa banorët në panik janë mbyllur në shtëpi nga frika e infeksionit.

Shtetet e Bashkuara: 126 infeksione, 9 viktima

126 persona janë infektuar me koronavirus në Shtetet e Bashkuara kurse numri i viktimave ka shkuar në 9.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja