TIRANË- Kandidatët për deputetët në Partinë Demokratike pritet t’i nënshtrohen procesit të primareve, edhe pse anëtarja Alesia Balliu thotë se duhej të ishin zhvilluar më parë. E ftuar në Report Tv, Balliu thotë se në listat e mbyllura të Partisë demokratike duhet të futen figura të reja dhe deputetët aktualë të sfidohen në listat e hapura.
Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Balliu thotë se është pro primareve dhe sipas saj, ky proces është për të përzgjedhur kandidatët që pushteti të mos jetë vetëm i kryetarit dhe jo për të përçarë Partinë Demokratike.
“Jam pro primareve është thelbësore që elektorati të zgjedhë kandidatët dhe pushteti të mos jetë vetëm i kryetarit. Duke ndjekur këtë parimi, jam pro masës, pro të vërtetës dhe të fitojë më i miri nga primaret që është i zgjedhuri i popullit dhe jo i kryetarit. Kjo është garë për të përzgjedhur kandidatin, jo për tu përçarë PD. Duhet parë dhe formula kush do futet në listë të mbyllur, lista e hapur. Ende nuk e kemi një formulë si do funksionojë. Kohë ka mjaftueshëm, por mendoj se duhet të ishin zhvilluar më parë, që të ishin më të përgatitur për fushatën.
Në lista të hapura duhet të jenë gjithë deputetët aktualë në parlament, për të parë si votëbesimin. Nëse e kanë kryer detyrën mirë, populli duhet ti zgjedhë. Lisat e mbyllur duhet të jetë me të rinj, që kjo parti të ketë edhe gjeneratën e re”, thotë Balliu.
Nga ana tjetër, deputeti demokrat Saimir Korreshi zbulon në Report Tv se drejtuesit e qarqeve të PD, nuk do t’i nënshtrohen procesit të primareve. Pra, logjikisht ata do të jenë në listat për deputetët pa kaluar në primare siç do bëjë pjesa tjetër e deputetëve apo kandidatëve.
“Pavarësisht se do ketë primare, nuk e di si do bëhen, se nuk e ka të përcaktuar statuti se si bëhen. Drejtuesit e qarqeve nuk do futen në primare, me aq sa di. Ata të tjerët për ca do futen në primare”, thekson Korreshi.
Korreshi thotë se ka qenë për lista të hapura, ndërsa sa i takon primareve shprehet se koha nuk është në favorin e PD.
“Unë kam qenë për lista të hapura. Kur flitet për lista të mbyllura, varet për çfarë qarku flasim. Nëse do ishte një qark në gjithë Shqipërinë, siç kërkohej nga partitë e reja, ka disa kandidatë që po të votoheshin për kandidat, nuk i njihte njeri, krahasuar me një figurë publike. Ata si Berisha apo Rama do kishin shumë më shumë mundësi të merrnin vota në gjithë Shqipërinë. Njerëzit më të rinjtë do e kishin më të vështirë të futeshin në politikë. E rëndësishme është që të maksimizohen votat.
Në të gjitha variantet prapë do ketë pakënaqësi. Koha nuk është në favorin tonë, duhet parë mirë kryesia e Këshilli si do të veprojnë. Do ketë primare besoj. Nëse nuk vjen PD në pushet nuk kanë rëndësi ato emra, por sa e shpërblen Partinë Demokratike me pushtet. Ky vend po kërkon ndryshimin e pushtetit”, vijon Korreshi.
Gazetari Anri Bala shprehet se 46 deputetë nga partitë e mëdha do jenë të fiksuar.
“46 deputetë janë të fiksuar, por flasim për partitë e mëdha. këto Primaret apo deputeti që duam më shumë më duken sajesa. Primaret janë po të njëjta, se vullneti është i kryetarit”, tha Bala.