31 persona kanë rënë në prangat e policisë italiane pas një operacioni të ndërmarrë nga Guardia di Finanza. Grupi kriminal i korrierëve të heroinës ishte i përbërë nga pakistanezë dhe u shkatërrua pas ekzekutimit të urdhër-arresteve në një aksion me pjesëmarrjen e 150 forcave policore.
Goditja ndaj grupit kriminal erdhi pas dy vitesh hetime, ndërsa ndërsa pasuritë që u janë sekuestruar të ndaluarve kapin vlerën e gjysmë milion euro. Transportuesit pakistanezë gëlltisnin kapsulat e vogla të heroinës dhe udhëtonin nga Greqia drejt Italisë me avion. Sapo mbërrinin në aeroportin e Romës apo të Napolit, Firences, Milanos dhe Pizës, ata i prisnin anëtarët e tjerë të organizatës, gjithashtu nga Pakistani, të cilët i merrnin korrierët e drogës dhe i dërgonin në destinacione të ndryshme, kryesisht në Italinë veriore.
Me të njëjtën mënyrë, heroina u transportua dhe nga Spanja në Itali. Sasitë e transportuara në çdo rrugë nga një korrier me teknikën "body paker", shkonin nga 400 në 700 gram, ndërsa një kapsulë sipas një oficeri italian që mori pjesë në operacion kishte një peshë prej rreth 10-15 gram. Grupi gjithashtu mësohet se përdorte dhe stacionet e trenit. Sa i përket origjinës së heroinës, sipas të dhënave që disponon policia italiane, raportohet të kenë ardhur nga Pakistani dhe Afganistani. Policia italiane vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë grup kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Komento