DURRES- Në 1 korrik 2010 qindra banorë të Hamallajt u përleshën me policinë e cila mbronte aksionin e Inspektoratit të Policisë Ndërtimore, për të prishur banesat e ngritura aty dhe që do t'i hapnin rrugë fillimit të punës për ngritjen e resortit turistik pranë bregdetit. Aksioni nisi pas miratimit nga Këshilli i Ministrave dhe KRRTRSH-ja të bazës ligjore për të nisur prishjen e banesave. Banorët shpreheshin se kërkonin legalizimin për banesat e tyre dhe jo shembje, siç kërkonte Ndërtimorja. Po në protest ata kërkonin edhe lirimin nga burgu të gjashtë personave që ishin arrestuar gjatë aksionit të dhunshëm për prishjen e ndërtesave në ditën e parë të protestave. Në 24 shtator 2010, pas lajmeve se nga Inspektoriati do të kishte një tjetër aksion të ndërtimorëve, banorët bllokua rrugën me gurë të mëdhenj dhe blloqe çimentoje. Rrugët u mbushën edhe me parulla: "Larg duart nga fshati ynë sekserë e matrapazë", "Duam liberalizim e jo gjenocid". Gjatë protestës banorët shpreheshin se vetë pushtetarët e PD-së i kishin zhvendur në atë zonë vite më parë. "Na ka bërë thirrje vetë Berisha për te ardhur këtu. Ne kërkojmë deklaratën publike nga Kryeministri dhe të dimë nëse do t'i mbajë apo jo premtimet. Përpara zgjedhjeve këtu erdhën disa deputetë dhe na uruan për shtëpitë që do na legalizoheshin",- thonë banorët e fshatit. Nga ana tjetër ata shpreheshin se nuk kishin mundësi që të nisnin jetën në vend tjetër, sepse jetonin në varfëri dhe se 70 % e tyre vuante për bukën e gojës. Resorti që do të ndërtohej në tokat ku ata kishin ngritur banesat, në një sipërfaqe prej mëse 100 mijë metrash katrorë. Më 23 prill 2010 KRRT-ja e Bashkisë së Sukthit miratoi studimin pjesor urbanistik në zonën midis Përroit të Tarinit dhe hidrovorit, ndërsa në Bashkinë e Sukthit deklaronin se investitorët zotëronin certifikatë pronësie. Në sipërfaqen për të cilën nisi përplasja mes banorëve dhe strukturave shtetërore ishin parashikuar të ngriheshin blloqe vilash 2-3-katëshe, pishina dhe të gjitha lehtësirat e tjera të shërbimeve për pushime në këtë pjesë të Adriatikut. Bashkia e Sukthit deklaronte se zona kishte një masterplan të miratuar më 2004-n, ndërkohë që në vitin 2009 ishte bërë edhe studimi urbanistik i zonës që kaloi edhe në KRRTRSH e në të është parashikuar ndërtimi i një tjetër fshati turistik me një sipërfaqe 43 hektarë.

(arr/shqiptarja.com)