Politikanë dhe zyrtarë të lartë janë në listën e 13 të arrestuarve në Malin e Zi, me akuzat për korrupsion në shkallë të gjerë. Grupi i të arrestuarve kishte krijuar një sipërmarrje kriminale që kishte për qëllim përfitimin në mënyrë të paligjshme, në dëm të shtetit.

Skema ka të bëjë me manipulimin e lejeve të ndërtimit, që mendohet se i ka shkaktuar shtetit malazias miliona euro humbje.

Në mes të të ndaluarve janë Lazar Ragjenoviç, kryetari i bashkisë së Budvës, zona më e njohur turistike e vendit, si edhe administratorja e qytetit, Milena Maroviç-Bogdanoviç, njëkohësisht vajza e ish-presidentit malazez, Svetozar Marovic.

Gjithashtu janë arrestuar edhe ish-kryetarët e bashkive, Rajko Kuljaca dhe Dragan Maroviç, si edhe Aleksandar Tiçiç, këshilltar i kryeministrit Milo Gjukanoviç.

Mali i Zi përballet me kërkesat e përsëritura të Bashkimit Europian për luftën kundër korrupsionit në nivel shtetëror, gjë që mesa duket ka kushtëzuar anëtarësimin në BE, pavarësisht se bisedimet janë hapur që në vitin 2006. / Shekulli /
 
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)