TIRANË - Togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, pritet të nisin procesin gjyqësorë ndaj kolegut të tyre të Korçës, Dhimitër Pojanaku, të arrestuar pak kohë më parë nën akuzën e “korrupsionit pasiv”.
 
Vepra penale që është ngritur ndaj Pojanakut me ndryshimet që janë bërë në Kodin Penal dhe të miratuara nga Kuvendit, ka kaluar për kompetencë pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda.
 
Për herë të parë në 10 vite pas krijimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda në vitin 2004, pranë kësaj gjykate pritet të shqyrtohet një dosje për “korrupsion” e kjo përket me procesin gjyqësorë ndaj gjykatësit Dhimitër Pojanaku.
 
Masa e sigurisë “arrest me burg ndaj Pojanakut është dhënë nga gjykata e Korçës, ndërsa për shkak të ndryshimeve ligjore në kodin penal tashmë në fuqi, kjo gjykata ka shpallur moskopetencë lëndore duke transferuar dosjen pranë krimeve të rënda.
 
Vetë Pojanaku ka mohuar akuzën, ndërsa ka deklaruar se paratë e marra nga qytetarja e cila e ka denoncuar i përkasin një qiraje dhe nuk janë rryshfet për ndihmë në proces gjyqësor.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)